Lazarat, RENEA dhe FNSH kontroll në çdo banesë, 45 të shoqëruar

624
Forcat RENEA dhe ato të FNSH-së po vijojnë që prej orëve të para të mëngjesit operacionin në fshatin Lazarat. Me mjete të blinduara dhe shumë forca në terren po vazhdon kontrolli banesë më banesë për të gjetur armët dhe personat e grupit të zjarrit, dhe veçanërisht vrasësit e efektivit të policisë, Ibrahim Basha. E para që është kontrolluar ishte banesa e vëllezërve Aliko, të akuzuar si anëtarë të grupit të zjarrit si edhe banesa e Sebastian Shurdhit. Ky i fundit u dorëzua në Fier dhe është shoqëruar nga policia në Komisariatin e Gjirokastrës. 
Kontrollet po vazhdojnë në çdo banesë me shumë imtësi dhe me masa të rritura vigjilence. Policia kërkon dorëzimin e të kërkuarve dhe nëse ata reagojnë me armë do të asgjësohen. Në total numri i personave të shoqëruar deri më tani nga policia në Lazarat është 45. Dy prej tyre u është komunikuar masa e arrestit, ndërsa për 18 të tjerë është verifikuar se nuk kanë lidhje me të shtënat me armë kundër forcave speciale të RENEA-s.
Një pjesë e të shpallurve në kërkim nga ana e policisë janë arrestuar, ose të vetëdorëzuar në postbllokun e policisë, që ndodhet pranë fshatit Lazarat. Ndërkohë, mëngjesin e së enjtes një grup hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i kryesuar nga prokurori Adnan Xholi, mbështetur nga forcat RENEA ishte në vendin e vrasjes së efektivit të policisë. Janë gjetur rreth 10 vatra ku është qëlluar me armë, ku janë sekuestruar mbi 100 gëzhoja kallashnikovi dhe mitralozi, një granatë dhe një thikë. Sipas policisë operacioni do të vijojë deri në kapjen e personit të fundit në kërkim edhe përballjen e tyre me forcën e ligjit.
Sigal