“Labëria”: Klasa politike kosovare, të gjejë gjuhën e komunikimit për interesat kombëtare

546
Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, ka ndjekur me shqetësim të veçantë, ngjarjet dramatike që kanë ndodhur në Kosovë, gjatë protestave të tri partive opozitare të Vetëvendosjes, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës, që organizuan më 28 Nëntor 2015, një tubim paqësor ndaj Parlamentit të Kosovës. Marrëdhëniet midis pozitës dhe opozitës patën një dinamik të nxehtë nëpërmjet protestave në parlament, që u arrit deri në ekstrem duke përdorur gaz lotsjellës në institucionin e parlamentit. Pavarësisht nga motivet patriotiko-kombëtare, që e shtyn opozitën për të bërë presion me mjete jo paqësore, duhej gjetur gjuha e komunikimit për të arritur një marrëveshje me interesa mbarë kombëtare. Por gjithmonë kur shohim pasojën duhet të zbulojmë shkakun, se nga lind. Edhe kur opozita kalon etikën e sjelljes ndaj pushtetit, është detyrë e më të fuqishmit që t’i hap rrugë më të dobëtit, që ka vetëm atributin e fjalës. Ajo situatë dramatike, që u përgatit nga pushtetarët, që me forcën e dhunës, nëpërmjet policisë, terrorizoi fizikisht protestuesit opozitar, por shpirtërisht mbarë Kosovën dhe Shqiptarët kudo që janë, që e përcollën nëpërmjet medias. Kjo ngjarje e pazakontë mes dy grupeve politike opozitare, që u kalua në armiqësi të egër, ka irrituar mbarë komunitetin e Labërisë dhe Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”. Por jo vetëm Labërinë, por gjithë qytetarët e këtij vendi, vëllezër të një gjaku, që kanë ferment shqiptar, janë ndier të fyer lidhur me qëndrimin e përçudnuar të pushtetit terror të pozitës, ndaj opozitës. Ky ishte një akt i shëmtuar, jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve. Për më tepër, ky akt u krye në një ditë simbolike, në ditën e Pavarësisë, si për tu thënë të huajve se ne jemi aq të papërgjegjshëm dhe të pa denjë për njëri-tjetrin, saqë përdhosim dhe ditët e shenjta të historisë kombëtare.
Mbarë Labëria, e cila ka një ndjeshmëri shpirtërore atdhetare të theksuar, e ka përjetuar me dhimbje masakrën e pa shoqe, që siç e shprehte Kryetari i Nderit të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria, Akademiku Rexhep Qosja, në letrën drejtuar ambasadave të huaja të akredituara në Kosovë, e quajti “armiqësore”, qëndrimin që u mbajt ndaj protestuesve, në një vend demokratik. Aq më tepër reprezaljet ndaj protestuesve duke i rrahur, gjakosur e torturuar, që në konfiguracionin e tyre në media ngjanin as më shumë e as më pak me ato të regjimit obskurantist të Milosheviçit, janë të pafalshme për një qeveri që aspiron për tu futur në Bashkimin Europian. Ato pamje jo të zakonta, kanë tronditur thellë zemrat e shqiptarëve të ndershëm dhe ndërgjegjësisht ne si Shoqatë “Labëria”, jemi solidarë me opinionin e shëndoshë të popullit të Kosovës dhe qëndrimin e intelektualëve të shquar të saj. E përsërisim,se pavarësisht nga ndonjë veprim i gabuar i opozitës, me të cilin nuk pajtohemi si shoqatë dhe e dënojmë atë, rruga e zgjidhjes për asnjë arsye, nuk mund të ishte me mjetet e dhunës. Labëria, si mbarë shqiptarët e ndershëm, e dënon këtë veprim aventuresk të një pushteti demokratik, që kërkon të afirmohet në opinionin ndërkombëtar. I bashkohemi shqetësimit të opinionit shoqëror se situata e krijuar është me pasoja të rënda, për rrezikun që mbart, nga një qëndrim kaq ekstremist, Ndaj ne, si shoqatë me ndjenja të theksuara atdhetarie, iu bëjmë thirrje pozitës dhe opozitës kosovare, që të gjejnë gjuhën e marrëveshjes për të krijuar një klimë sa më funksionuese në të mirën e përbashkët për interesa të thella kombëtare, duke ruajtur autonominë dhe mëvetësinë e shtetit të Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm Petrit Ruka 
 Kryetari  Prof. Dr. Ago Nezha
Sigal