Kryebashkiaku Stefan Çipa: “Stop situatës së masakrës urbane”

621
Sigal

SARANDË/ Rigjallërimi i ndërtimeve pa leje përbën kërcënim për qytetin dhe çon në prishjen e ekuilibrave urbanë

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, në një komunikim me mediat mesditën e së enjtes, ka bërë prezente situatën alarmante të ndërtimeve pa leje që ka nisur në parametrat e makutërisë. Sipas zotit Çipa, ky fenomen shkatërrues i ekologjisë, okupimit të sipërfaqeve publike si tokësore, ashtu edhe ujore, është kthyer në një garë mes ndërtuesve të qytetit, sidomos tani pas fushatës zgjedhore. Sipas Çipës, rigjallërimi i ndërtimeve pa leje përbën kërcënim për qytetin dhe çon në prishjen e ekuilibrave urbanë, që u desh jo pak, po dy vjet për t’i vendosur, sidomos edhe me dy konferenca kombëtare “Të gjithë për Sarandën”. Kthimi në ndërtimet pa leje bëhet pa përfillur shtet e pushtet, madje edhe duke treguar muskujt, -ka vijuar Stefan Çipa, Kryetar i Bashkisë Sarandë.

Masat

Ky mendim dhe veprim pas 23 Qershorit se nuk ka shtet, ka përballur institucionin e bashkisë me personat që kryejnë ndërtime pa leje në qytet dhe rrethinat e tij. Po hidhen inerte për okupim të sipërfaqeve ujore detare, madje në disa raste edhe me blloqe betoni të marra nga kaskadat e lumenjve, duke shkatërruar kështu edhe kaskadën që klasifikohet vepër arti dhe shkaktuar përmbytje të fushave me dëme kolosale ndaj fermerëve. Strukturat e specializuara të bashkisë, të cilat kanë qenë në krah të kryebashkiakut në komunikimin me shtypin, janë duke marrë të gjitha masat ligjore dhe në emër të qytetarisë sarandiotë, por edhe në bashkëpunim me strukturat homologe si INUKU, për të qenë bllok në frenimin e kësaj masakre urbane, duke mos përjashtuar edhe bashkëpunimin me forcat e rendit. Bashkia e Sarandës ka çuar në prokurori rreth 20 raste të shkeljeve të ligjit urbanistik, por tani po merr masa radikale për t’i thënë jo vetëm STOP ndërtimit pa leje dhe zënies së sipërfaqeve publike, por edhe LAMTUMIRË këtij fenomeni gërryes të performancës së qytetit.

Sezoni turistikë

Lidhur me sezonin turistik dhe okupimin me lëndë inerte të sipërfaqes ujore dhe asaj ranore me shezlonge nga privatët, z.Çipa ka nënvizuar se bashkia është duke marrë masat e fundit për të krijuar kushte optimale për pushime. “Pjesë e këtyre përgatitjeve për një sezon turistik të suksesshëm është edhe kontrolli mbi territorin, mbi plazhet dhe urbanizimin e qytetit, respektimi me rigorozitet maksimal i rregullave që vetë kemi vendosur atyre që shkelin këtë pakt bashkë qeverisës dhe qytetar, do t’u kujtoja se është hequr vetëm moratoriumi i skafeve, por jo edhe moratoriumi i vendosur në punën e betonierave dhe çekiçëve. Ne nuk jemi për ta shëmtuar jetën e qytetit, por për ta zbukuruar atë dhe jetën e banorëve e pushimet e kujtdo që preferon Sarandën këtë verë”, ka përfunduar zoti Çipa duke kujtuar edhe njëherë vendosmërinë në zbatim të ligjit me tolerancë zero dhe se askush nuk do të lejohet të ecë kundër këtyre përpjekjeve të përbashkëta për t’ia arritur kësaj. Ashtu sikurse ndodhi edhe mëngjesin e së enjtes në pengimin e hedhjes së betoneve pa leje dhe shoqërimi i një qytetari në komisariatin e policisë së rendit.