TURP! Ekskavatorë në vendgërmimet arkeologjike

537
Sigal

Drejtuesit e Trashëgimisë Kulturore dhe të Arkeologjisë shqiptare mundohen të fshehin krimin e dëmtimeve arkeologjike në Butrint

Pas publikimit të skandalit që një ekip arkeologjik amerikan i Universitetit Notre Dame, me arkeologun David Hernandez dhe me kolegun e tij shqiptar, Dhimitër Kondi, kishin bërë gërmime arkeologjike në zonën e Forumit Romak të Butrintit dhe i kishin lënë këto gërmime në mëshirën e fatit, pa u përkujdesur për t’i konservuar dhe mirëmbrojtur, duke bërë që gropat e gërmimeve arkeologjike të mbusheshin me ujë dhe janë kthyer në gropa të thella, ku mund të rrezikohet edhe jeta e njerëzve, vjen reagimi. Ka dy ditë që ekskavatorë janë futur brenda zonës të Forumit Romak në Butrint dhe …mbushin gropat me dheun dhe mbeturina, si të ishin gropa të ujërave të zeza. . Si mund të punohet me Ekskavator në zemrën e Pasurisë Botërore të UNESCO-s të Butrintit? Është një pyetje e drejtpërdrejtë për drejtuesit e Trashëgimisë Kulturore të Ministrisë së Kulturës, të Arkeologjisë shqiptare, të cilët, ose nuk janë fare në detyrë, ose janë krejtësisht të papërgjegjshëm dhe të paaftë profesionalisht! Në të dyja këto raste, këta drejtues duhet të mbajnë përgjegjësi penale, për dëmtimin me dashme të trashëgimisë kulturore, por edhe për shpërdorimin e detyrës. Mbulimi i gërmimeve arkeologjike me ekskavator në Butrint, dëshmon se këta drejtues të Ministrisë së Kulturës, të Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe të Arkeologjisë shqiptare mundohen që të fshehin e groposin përgjegjësitë e tyre, pa i vrarë aspak ndërgjegjja për dëmin e madh që i bëjnë me dashje arkeologjisë shqiptare e trashëgimisë kulturore. Nëse kishin neglizhuar deri tani, i kishin prapë mundësitë të reflektonin, duke marrë masa të mbrojtjes dhe ruajtjes së gërmimeve arkeologjike. Por, duke vënë në punë ekskavator, madje edhe natën, që të fshihen nga vëzhgimi i qytetarëve, këta drejtues bëjnë krim me dashje.

 Reagon Auron Tare, eksperti i Trashëgimisë Kulturore të PS-së

“Fotot që ju dërgojmë sot vinë nga zona e Forumit Romak të Butrintit. Siç e shikoni ekskavatori ka dy ditë që punon deri në orët e vona të natës për të mbuluar urgjentisht monumentet e lëna në mëshirë të fatit për katër vjet, të cilat kanë dalë nga gërmimet e një ekipi të vogël të Universitetit të Notre Dame dhe kolegut të tyre shqiptar Dhimitër Kondi. Këto monumente, të cilat duhen konservuar dhe më vonë restauruar sipas një plani të përcaktuar mirë kanë vite që rrinë ashtu të ekspozuara dhe rrezik për këdo që afrohet pranë tyre. Me sa duket zotërinjtë në fjalë janë trembur nga ekspozimi i këtyre gërmimeve pa standarde profesional dhe vendosen ta zgjidhin në mënyrë shqiptarçe. Me Ekskavator. Mbas botimeve të fotove me monumentet e lëna në mëshirë të fatit në Forumin Romak pas gërmimeve të arkeologut David Hernandez dhe Dhimiter Kondi, për dy ditë me radhe një ekskavator ka punuar gjithë ditën për të mbuluar këto monumente të sapo gërmuara. Siç shikohet nga fotot ky është një skandal më vete, ku mu në zemrën e Butrintit punohet me ekskavator për të bërë një punë, e cila do kohë dhe kujdes për t’u bërë pasi zona është shumë delikate. Si mund të punohet me ekskavator në zemrën e Pasurisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga vendet më të rëndësishme që ne kemi një zot e di. Po që në Shqipëri ka marrë fund çdo gjë standard profesional kjo kuptohet qartë”.