Kryebashkiaku Bardhyl Gjyzeli: “Qeveria ka 20 vjet që nuk investon në Kuçovë”

232

BRAKTISJA/ Qyteti ka nevojë për ndërhyrje urgjente në shëndetësi, arsim, infrastrukturë dhe kanalizime 

Qyteti i Kuçovës, i ndërtuar në një zonë naftëmbajtëse disa vite më parë me prodhimin e naftës plotësonte jo vetëm kërkesat e vendit, por dhe eksportonte naftë për interesat e vendit. Gradualisht ky qytet me një krenari të lartë sot po përjeton një varfëri të madhe, ku po përballet me një infrastrukturë të shkatërruar dhe mungesën e institucioneve shtetërore etj.. Shumë ndërmarrje janë të mbyllura dhe ato dy ndërmarrje që kanë mbetur punojnë një numër i vogël punëtorësh. Qyteti sot po përjeton edhe braktisjen e qeverisë, e cila nuk ka investuar në këtë qyteti që prej 20 vjetësh.

Mungojnë fondet

Ka më se 20 vjet që Qeveria nuk ka bërë asnjë investim për këtë qyteti si në infrastrukturë, shëndetësi arsim dhe në shumë sfera të tjera. Në këtë qytet mungon dëshira e pushtetarëve vendor që të investojnë, kjo jo se nuk kanë fonde, por sepse është bastioni i socialistëve dhe si i tillë qeveritarëve ju “vishen sytë” kur e shikojnë dhe jo të investojnë. Infrastruktura është në gjendje shumë të keqe dhe kanalizimet janë të gjithë të bllokuar. Tubacionet 40-vjeçare të ujërave të zeza dhe të ujit të pijshëm janë tejet të amortizuar dhe të gjitha janë shkatërruar, ku si pasojë sa herë që bije shi në stinën e dimrit ujërat e zeza dhe ato të bardha vërshojnë rrugëve të qytetit. Shumica e institucione shtetërore si sigurimet shoqërore, gjykata, spitali, ujësjellësi, elektriku, gjendja civile etj., i janë hequr Kuçovës dhe kanë përfunduar në Berat. Për një certifikatë apo për një vërtetim për pension, qytetarët janë të detyruar që të udhëtojnë për në Berat.

Kuçova me 50 mijë banorë ka vetëm një Qendër Shëndetësore

Çdo i sëmurë është i detyruar që të shkojë në Berat për t’u operuar apo kuruar nga sëmundje të ndryshme, pasi Spitali i Kuçovës që dikur përballonte 50 mijë banorë sot është kthyer vetëm në një Qendër Shëndetësore. Mjekët që punojnë aty janë në moshë të madhe dhe në prag rë pensionit. Madje dhe studentët që diplomohen për mjekësi nuk kthehen në Kuçovë pasi e shikojnë jetën të zymtë dhe pa perspektivë.