Ndërtimet pa leje zaptojnë tokat bujqësore

1044
Sigal

ELBASAN/ Flet Shefik Bishqemi, drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Territorit dhe Mbrojtjes së Tokave

Fenomeni i zaptimit të tokave bujqësore në Qarkun e Elbasanit në një pjesë bashkish dhe komunash është kthyer në një problem madhor. Shumë ndërtime pa leje kanë filluar të mbijnë si kërpudha. Qytetarë të ndryshëm nuk përfillin as institucionet shtetërore duke ngulur piketat dhe duke mos zbatuar asnjë ligj të Qeverisë. Zënia e tokave të bukës, ka bërë që të jetë një nga problemet shqetësuese, ndërkohe problematike është dhe zënia e shesheve në disa nga bashkitë, sidomos në bashkitë e vogla.

Reagimi

Sipas Shefik Bishqemit, drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Territorit dhe Mbrojtjes së Tokave Bujqësore në Qarkun e Elbasanit, ky fenomen ka prekur të gjitha komunat dhe bashkitë e Qarkut të Elbasanit, më problematike janë komunat më afër qytetit të Elbasanit si Tregani, Bradasheshi, Shirgjani, Rrajcë, Gostimë, Labinot-Fushë, Bashkia e Belshit, Përrenjasit e më gjerë, qindra hektarë toka bujqësore janë zaptuar nga ndërtimet pa kriter dhe pa leje. “Këshilli i Qarkut ju ka kërkuar zyrave të Urbanistikës në komuna dhe bashki të marrin masa për parandalimin e këtij fenomeni. Megjithëse janë ushtruar kontrolle nga Inspektorati Urbanistik i Ndërtimit të Elbasanit dhe janë vendosur edhe gjoba përsëri ndërtimet pa leje dhe pa kriter mbeten një nga problematikat kryesore. Inspektorati i Ndërtimit Elbasan aktualisht mbulon 34 komuna dhe një bashki që është Bashkia Belësh. Ku është e vetmja bashki që ka një bashkëpunim mjaft të mirë në zbatim të ligjit 97/80 të datës 16.7.2007 për inspektoratin e ndërtimit, i cili është aplikuar në mënyrë shumë korrekte nga kjo bashki, për mos lejimin e këtyre ndërtimeve dhe për të gjithë do të zbatohet ligji. Ndërsa në bashkitë dhe komunat e tjera Inspektorati Ndërtimor Urbanistik (INU) ndërhynë në raste të vështira kur bashkia ose komuna nuk arrin dot vetë. INU e Qarkut të Elbasanit në mbështetje të ligjit bashkëpunon me bashkitë dhe komunat, të cilat janë të detyruara ligjërisht të dërgojnë brenda dy ditëve informacionin me shkrim dhe aktin e pezullimit të punimeve, për të vazhduar procedurat në këtë drejtim për parandalimit të ndërtimeve pa leje në territorin e Qarkut të Elbasanit”,- tha Bishqemi për “Telegraf”.

DREJTORI I POLICISË NDËRTIMORE, KUJTIM HAZBIU

Por një pjesë komunash dhe bashkisë  nuk dërgohet informacion në lidhje me të gjitha ndërtimet pa leje. Sipas Kujtim Hazbiut, drejtori i Policisë Ndërtimore të Qarkut të Elbasanit, INU e Elbasanit i ka të gjitha kapacitetet juridike, teknike dhe bazën ligjore për të realizuar këtë proces. “Drejtuesit lokale duhet të zbatojnë ligjin dhe me të drejtë kryetari i Qarkut, Eugen Isai ju kërkon ligjërisht informacionin gjithë njësive vendore për të gjitha ndërtimet pa leje dhe të zënieve të sipërfaqes së tokave të bukës”,- tha Hazbiu.