Kremtohet 93-vjetori i Forcave Detare Shqiptare

2024
Sigal

Shefqet Kërcelli

Në Komandën e Forcës Detare, Plepa, Durrës, u festua 93-vjetori i Krijimit të Flotës sonë Luftarake Detare. Në këtë festë të detarëve tanë morën pjesë krahas kuadrove dhe detarëve të Forcës Detare dhe ish kuadro të Flotës Luftarake, veteranë të saj, që kanë shërbyer në vite, në anije dhe baza të rëndësishme të Flotës, përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Gjithashtu për të nderuar festën e detarëve dhe kontributin e tyre në vite, mori pjesë dhe Ministri i Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral-brigade Bardhyl Kollçakë, ish-Presidenti Rexhep Mejdani, kuadro të Ministrisë së Mbrojtjes, familjarë të K/Admiral Abdi Matit, etj. Mbas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, Komandanti i Forcës Detare, Gjeneralmajor Ylber Dogjani, duke përshëndetur pjesëmarrësit e kësaj ceremonie theksoi se, festojnë 93 vjet histori, krenari, angazhim dhe sakrifica në mbrojtje të atdheut tonë të dashur. Sot ne kemi një Forcë Detare që po modernizohet me pajisje dhe mjete moderne, kemi një trupë oficerësh të trajnuar dhe kualifikuar në vendet perëndimore, kemi anije të Klasit “Iliria”, të cilat prej dy vjetësh janë pjesë e NATO-s, duke shpëtuar jetë në detin Egje, kemi oficerë që shërbejnë në Komandat dhe shtabet e NATO-s, duke na përfaqësuar denjësisht. Të pranishmit i përshëndeti dhe Tasim Meçe, ish drejtues i Flotës sonë Luftarake, Zamir Mati, djali i K/Admiral Abdi Matit.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në përshëndetjen drejtuar detarëve theksoi se, mundi, sakrificat dhe vështirësitë e kaluara në qindra lundrime, stërvitje apo operacione në hapësirën tonë detare nuk harrohen kurrë nga populli ynë dhe do përcillen nga brezi në brez. Në çdo periudhë, epokë apo ngjarje historike, roli i detarëve shqiptarë në Adriatik e Jon, ka qenë prezent, për vetë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Sigurisht, në këtë histori të ndritur, periudha mbas krijimit të shtetit shqiptar zë vend kryesor. Gjatë kësaj rruge shekullore, ku bashkohet kontributi i disa brezave, përfshihet dhe roli i pazëvendësueshëm i detarëve me uniformë, të cilët në vite, me sakrifica, vështirësi, guxim e heroizëm, duke u përballur me dallgët e detit, gjatë lundrimeve pa fund, ditë e natë, në mot të qetë e të trazuar, kanë shkruar historinë e tyre të lavdishme, si pjesë integrale e Historisë së Popullit Shqiptar. “Flota jonë Luftarake Detare, në këto 93 vite ka pasur zhvillime të rëndësishme në varësi të strategjisë dhe politikave të sigurisë të ndjekura nga shteti ynë. Efektivat e Flotës sonë Luftarake Detare, në këto 93 vite janë dalluar për profesionalizmin, kulturën, vullnetin e përkushtimin në kryerjen e misionit fisnik për mbrojtjen e kufijve dhe zbatimin e ligjshmërisë detare, duke bashkëvepruar me strukturat e tjera të shtetit shqiptar. Detarët tanë shkruan me mund, djersë, gjak e sakrifica të panumërta, historinë e ndritur të Forcës Detare Shqiptare. Ministrja Xhaçka falënderoi detarët tanë për kontributin e tyre në operacionin “Sea Guardian”, ku kanë shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish. Gjithashtu detarët tanë kanë pasur dhe kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e hapësirës sonë detare, si një burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë. Hapësira jonë detare ka marrë rëndësi të veçantë gjatë kësaj periudhe dhe për shkak të zbatimit të projektit TAP, theksoi ajo. Pjesëmarrësit vizituan një fotoekspozitë të përgatitur enkas për këtë ceremoni me tematikë:-Forca Detare në vite dhe jetën e K/admiral Abdi Matit. Ndërkohë zoti Zamir Mati, djali i madh i K/Admiral Abdi Matit prezantoi një album, me fotografi, Flota Shqiptare, 1945-1992.