Konkurrenca e pandershme, autobusët bllokojnë një orë rrugën nacionale

494
Sigal

BERAT/Kryetari i Sindikatës Fuat Toska: Të anulohet vendimi, ndryshe bllokojmë aksin nacional!

Konkurrenca e pandershme në shërbimin e udhëtarëve dhe vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak për ndërrimin e vendqëndrimit ka bërë që ditën e djeshme, shoferët dhe pronarët e autobusëve të Beratit të ndërpresin punën dhe të protestojnë. Bashkë me mjetet e tyre, rreth orës 08:00 të ditës së enjte, ata janë mbledhur në hyrje të qytetit duke bërë dhe bllokimin e  rrugës nacionale. Në këtë situatë, është dashur ardhja e forcave të policisë, drejtuesit e së cilës, pas negociatave, kanë bërë që rruga të lihet e lirë. Bllokimi i aksit për gati një orë ka sjellë problem në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.

PROTESTA

Shoferët e autobusëve Berat-Kuçovë, që në orët e para të ditës së djeshme, nuk kanë dalë në punë në linjë, por janë mbledhur në hyrje të qytetit në një protestë kundër vendimit të Këshillit Bashkiak që i largon nga stacioni i tyre i zakonshëm i nisjes në qendër të qytetit duke i dërguar në periferi. “Është absurd vendimi i fundit i Bashkisë që na largon stacionin nga qendra, pra nuk na lë të futemi në qytet e na e ka caktuar në periferi, tek Kombinati. Ndërkohë, ky vendimin nuk është i vlefshëm për furgonët, të cilët mund të futen lirshëm në qytet e të marrin pasagjerët. Nuk mjafton konkurrenca e pa ndershme, ku shumë mjete punojnë pa licencë, por një vendim i tillë ne na falimenton. Jemi taksapagues të rregullt, sakrifikojmë jo pak për të mbajtur familjet me bukë, ndaj do e kundërshtojmë prerë këtë vendim si të padrejtë”,-pohon Fuat Toska, përfaqësuesi ligjor i shoqërisë së Sindikatës së Transportit. Pas negociatave me policinë, shoferët kanë liruar rrugën nacionale duke konfirmuar përshkallëzimin e protestës.

ARGUMENTET

Teksa shoferët dhe pronarët që protestuan sjellin argumentet që i çon drejt falimentimit nga ky vendim i Këshillit Bashkiak, pasoja bie dhe mbi udhëtarët. “Tashmë, udhëtarëve që vijnë nga fshatrat drejt qytetit të Beratit, nga Ura Vajgurore apo dhe qendra të tjera urbane, do të duhet të zbresin në Kombinat e aty të ikin drejt qendrës me furgona apo mjete të tjera. Kështu, në vend të kësaj sfilitje, ata preferojnë furgonët apo taksitë pa licencë, ndërkohë ne mbetemi pa punë, duke harxhuar dhe kursimet për detyrimet ndaj shtetit”,- shton një prej pronarëve. Ndërsa kreu i Sindikatës së Shoferëve konfirmon se në pritje të reagimit të bashkisë, do të varet dhe protesta e tyre në ditët e ardhshme.