Kol Nikolla: Skandali i qeverisë: Jepet koncesion uzina e bakrit për uzinë të kromit

867
Sigal

*Kryetar i Konfederatës së Sindikatave

Uzina e Bakrit në Rubik është dhënë me koncension, për t’u kthyer në …Uzinë ferrokromi, edhe pse në zonën e Mirditës nuk ka asnjë minierë kromi. Qëllimi është që uzinën e bakrit ta shkatërrojnë e ta shesin për …skrap, duke lënë në papunësi mijëra punëtorë, por edhe të pazhvilluar  industrinë e prodhimit të bakrit. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, në intervistën për “Telegraf”, zbardh skandalin e këtij koncensioni dhe i bën apel qeverisë së re, që të shpëtojnë industrinë e prodhimit të bakrit nga rrënimi dhe …skrapi.

– Zoti Nikolla, si ka mundësi që Uzina e Bakrit Rubik të jepet me koncension për Uzine Kromi?

– Gjithkush që e dëgjon çuditet me këtë fakt, i cili  akoma nuk është bërë publik. Ministria e Ekonomisë, duke abuzuar me hapësirën ligjore që i lejon ligji “Mbi koncesionet” dhe ligji “Minerar” abuzon duke mos patur parasysh asnjë kriter funksional dhe moral. Historikisht në Mirditë që në kohën e Pirustëve e deri më sot është prodhuar dhe përpunuar minerali i bakrit. Dhënia me koncension është një mënyrë de fakto për ta shkatërruar dhe asgjësuar atë uzinë si objekt fizik dhe për të pasuruar disa njerëz afër qeverisë në ikje.

– Kujt politike në Shqipëri i intereson që kjo uzinë të rrënohet?

– Kjo uzinë po pëson fatin e shkatërrimit dhe përvetësimit për përfitime të klientëve të qeverisë. METE, nëpërmjet një pseudo-kontrate koncesionare, këtë uzinë ia jep me koncesion M.A. shtetas gjerman me kombësi kosovare, i cili ka krijuar shoqërinë “AMG GROUP ALBANIA” sh.p.k të regjistruar  QKR me 1 milion lekë të vjetra kapital dhe administrator një të afërmin e një deputeti dhe funksionari të lartë të PD-së. Ky person ka dhe dy firma të tjera të regjistruara në QKR, por që të tria këto firma nuk njihen për ndonjë aktivitet ekonomik në Shqipëri.  Kjo marrëveshje nuk ka një datë nënshkrimi përveçse citon se, pas 30 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes koncesionari do të regjistrojë shoqërinë koncensionare sipas të drejtës shqiptare dhe marrëveshja futet në fuqi 60 ditë pas nënshkrimit. Vlera e investimeve do të jetë 11 milion USD, koncesioni jepet për një periudhë 35 -vjeçare dhe koncesionarit i jepet e drejta të përdorë si garanci bankare pasuritë e shoqërisë. Më poshtë del sekreti i këtij koncesioni, kur në programin e punimeve citohet se koncesionari garanton të zbatojë investimet e parashikuara në planin e ristrukturimit të kësaj uzine dhe … Për mundësitë që dalin të lira si rezultat i realizimit të projektit koncesionarit i lind e drejta, që në marrëveshje midis palëve t’i përdorë ato duke investuar edhe për prodhime të tjera … pra duket qartë që ai ka të drejtë ta shkatërrojë uzinën ta shesë për skrap dhe gjasme do të hapë një shesh ndërtimi për një uzinë të re ferrokromi në një vend ku nuk ka krom.  Me këtë kontrate nuk flitet për asnjë aset ekzistues që del i tepërt nga ndryshimi teknologjik i uzinës se çfarë do të bëhet me ‘to si dhe flitet gjasme për mbajtjen në punë të fuqisë punëtore ekzistuese, kur aty nuk ka asnjë punëtor të punësuar, përveç rojeve në detyrë që kryhet nga pronarët e tokës.

– Dhënien e uzinës së bakrit për uzinë kromi ju e quani skandal, a keni ndërmend ta padisni?

– Kjo kontratë nënshkruhet mbështetur në një autorizim të ministrit me nr.10529 datë 7.12.2012, por pa vendim të qeverisë apo të parlamentit, të cilët kanë të drejtë të autorizojnë nënshkrimin e kontratave të tilla. Qëllimisht kontrata nuk përcakton kritere specifike punimesh sidomos në rastin që ajo flet për një ndryshim teknologjik nga një uzinë bakri në një uzinë kromiqe. Realisht duhet të shkatërrohet uzina e bakrit dhe të ndërtohet uzina e re e kromit sepse janë teknologji krejtësisht të ndryshme. Kontrata ka afate zbatimi të investimeve fiktive dhe kontradiktore mes tyre si dhe vlerat e investimit janë krejtësisht fiktive pa analizë ekonomike, logjike apo teknike. Kjo kontratë ka dhe absurditete skandaloze sa që autorizon ZRPP-në Rubik që brenda 30 ditëve ta regjistrojë në një kohë që Rubiku është një qytezë punëtorësh dhe nuk ka një ZRPP dhe administratë vendore pasi këto kryhen në Rrëshen ose Lezhë që janë rrethi dhe prefektura. Kontrata jo vetëm që nuk ka datë nënshkrimi, por pavarësisht se ka 12 faqe në asnjërën prej tyre nuk ka siglën e nënshkruesve  përveçse në faqen e fundit  nënshkruhet për METE me një shkarravinë “Neritan Alibali” pa specifikuar se kush është ky zotëri dhe çfarë funksioni shtetëror ka. Po kështu dhe në hyrje të saj citohet “Përfaqësuar nga z.Neritan Alibali” pa cituar autoritetin e tij shtetëror si zv.ministër.  Në kontratë thuhet se AMG GROUP ALBANIA sh.p.k. zotëron kapacitetet e nevojshme tekniko-financiare për të realizuar projektin e miratuar sipas kësaj marrëveshjeje, por se kush janë kapacitetet dhe sa janë ato askund nuk thuhet.  Kontrata jepet me koncesion në formën ROT që do të thotë rehabilitim, shfrytëzim, transferim, ndërsa faktikisht objekti i saj është tjetërsim dhe ndryshim teknologjik apo troç shkatërrim i uzinës së bakrit dhe eliminimi i saj dhe është qesharak objekti i kësaj kontrate që përcakton rehabilitim, ristrukturim në parametra sipas plan biznesit të paraqitur të tërësisë fizike dhe teknologjike të objektit si dhe operim optimal tekniko-ekonomik për prodhimin e ferrokromit karbonik. Këtu në këtë objekt asgjë nuk kuptohet dhe asgjë nuk lidhet me uzinën e bakrit Rubik. Për të gjitha këto ne sapo jemi vënë në dijeni nga sindikata e territorit dhe ajo e industrisë, kemi ndërhyrë për të pezulluar veprimtarinë shkatërruese duke përdorur “Rezistencën Demokratike” në mungesë të shtetit dhe pezulluar shkatërrimin e mëtejshëm të saj megjithëse një sasi e konsiderueshme e repartit të elektrolizës dhe disa pajisjeve ndihmëse janë shkatërruar dhe shitur privatisht. Këtu bëhet fjalë për disa tonelata plumb si dhe shllam anodic dhe pllaka me minerale të çmuara si ari, argjendi, arseniku etj..  Një mbështetje për këtë e kemi gjetur dhe tek pushteti vendor dhe pronarët e tokës. Këto ditë ne po përfundojmë procedurat nëpërmjet departamentit ligjor të KSSH-së për ta dorëzuar dosjen e plotë tek Prokurori i Përgjithshëm së bashku dhe me disa shkelje dhe abuzime ligjore të tjera dhe shpërdorim detyre për disa funksionarë të shtetit jo vetëm për uzinën e Rubikut por dhe për minierat e Bulqizës, veçanërisht të zonës D si dhe uzinën e ferrokromit në Burrel etj., ku shpërdorimi dhe abuzimi jo vetëm ka pësuar një dëm të madh ekonomik të Buxhetit të Shtetit, por dhe ka marrë jetë njerëzish të pafajshëm si rrjedhojë e moszbatimit të marrëveshjeve koncensionare dhe e garancisë teknike në punë.  Padija jonë po ngrihet mbi një parim kapital të rendit tonë juridik se “organet e administratës shtetërore përgjigjen për dëmet pasurore dhe jopasurore jashtëkontraktore, që u shkaktojnë personave fizikë a juridikë, privatë, vendas a të huaj” (neni 1 i ligjit nr.8510, datë 15.7.1999 për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore. Sipas nenit 3 të këtij ligji organet e administratës shtetërore që janë METE, RISHMI, AKPN etj përgjigjen për dëmet që u shkaktojnë personave fizikë a juridikë dhe në rastin tonë jo vetëm në Rubik por dhe në minierat e Munellës, ku trafikohet ari dhe argjendi jashtë shtetit apo në ato të Bulqizës ku për pasojë të mungesës së investimeve dëmtohet jo vetëm ekonomia kombëtare por merren edhe jetë njerëzish në mënyrë të vazhduar. Gjithë kjo veprimtari përbën një “rrezik të vazhdueshëm” që sipas nenit 2 të këtij ligji krijohet mundësia e përhershme për të shkaktuar dëm si rezultat i veprimeve ose mosveprimeve të administratës shtetërore. Dosja jonë që do të dorëzojmë në Prokurori ka gjëra konkrete dhe jo slogane e akuza të ndërsjella politike, ne jemi pikërisht në kushtet kur mosveprimi i administratës shtetërore (marrja e masave përkatëse në zbatim të kontratave koncesionare) është një shkak që punonjësit e minierave të ndodhen nën “rrezikun e vazhdueshëm” , që cenon jetën, shëndetin, ekonominë apo punësimin afatgjatë të tyre. Besojmë që këto janë të mjaftueshme për Prokurorinë e Përgjithshme që së bashku dhe me përgjegjësitë konkrete për drejtues të ndryshëm siç është nënshkruesi i kontratës së Uzinës së Rubikut apo të tjerë të jenë të mjaftueshme dhe të detyrueshme për të filluar hetimet.

Keni biseduar me ekspertë të PS-se lidhur me këtë problem të zhvillimit të industrisë në Mirditë?

– Duke qenë se PS-ja ka qenë në opozitë sigurisht që bashkëpunimi jonë ka qenë më i suksesshëm dhe transparent. Tani që PS-ja është në pushtet ne presim që ajo të zbatoje premtimet. Konkretisht për Mirditën, ne kemi biseduar me pushtetin vendor dhe deputetët e zonës për t’i paraqitur ministrit të ardhshëm një sërë kërkesash dhe propozimesh për industrinë në tërësi dhe për bakrin në veçanti pasi sot në saj të zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe informatike tregu i bakrit po merr një rol parësor në rrymat e dobëta dhe në elektronikë.

Në konferencën që zhvilloi Edi Rama “Shqipëria e Gjeneratës tjetër” shumë ekspertë ekonomikë të huaj theksuan se, Shqipëria ka nevojë të zhvillojë industrinë e saj. A ka konkretisht qeveria e re projekte konkrete për zhvillimin e industrisë së minierave?

-. Ne kemi mendimin se kjo konferencë duhet të ishte më shumë e shtrirë në pjesëmarrje të mos kufizohej vetëm në rrethin politik të PS-së, apo në përbërjen e qeverisë së re, por dhe të kishte pjesëmarrës nga aktorët e faktorët potencialë në ekonomi dhe shoqëri siç është biznesi, sindikatat, shoqëria civile etj. por rëndësi ka që u fillua diçka e mirë dhe besojmë që në të ardhmen. Ne do të japim të gjithë kontributin tonë për ta kthyer Këshillin Kombëtar të Punës në një këshill ekonomik e social duke zgjeruar jo  vetëm aktorët që marrin pjesë në të por dhe tematikën e vendimmarrjeve të tij. Konkretisht për minierat ne e kemi mbështetur nismën e PS-së për të filluar nga glorifikimi i kontratave koncensionare, të cilat realisht kanë qenë eksplozivi i minierave dhe shkatërrimi i tyre.

E ardhmja e ekonomisë është zhvillimi i industrisë

– Sa punëtore mund të punonin nëse funksiononte dhe sa mund të ishte prodhimi i bakrit në vend?

– Industria e bakrit që në vitin 1994 e deri më sot ka pësuar një rrënim total saqë sot është e pamundur dhe e pabesueshme të krahasosh shifra apo të flasësh për shifra. Megjithatë para viteve 1990 prodhohej çdo vit rreth 1 milion ton mineral bakri epiriti, 50 mijë ton koncentrat bakri, 12-15 mijë ton bakër elektrolitik, 8-10 mijë ton tela dhe kabllo, 20-25 mijë ton acid sulfurik, 4 mijë ton tunxhe dhe bronze. Në këtë periudhë prodhohej 120-140 kg ar në vit dhe 1.5-1.7 ton argjend në vit, 4-5 ton selen dhe shumë minerale të tjera të çmuara. I gjithë ky produkt industrializonte dhe punësonte gjithë zonën veriore të Shqipërisë kryesisht në rrethet Mirditë, Pukë, Kukës, Shkodër, Laç etj. punësonte 12 000-13 000 punonjës direkt dhe indirekt shtoheshin dhe punonjësit e transportit, të shërbimit gjeologjik, të shërbimit social e komunal. Uzina e Rubikut prodhonte aliazh prokat, çelik me dy fletë bakri mbuluar nga sipër që përdorej për industrinë e mbrojtjes, çeliku dhe tunxhi prodhonin gëzhoja në Poliçan. Sot asgjë nuk prodhohet, askush nuk është i punësuar dhe dy kontrata koncesionare që janë nënshkruar ajo për minierën e Munellës dhe ajo për ta kthyer uzinën e Rubikut në uzinë kromi janë jo vetëm të errëta e jo transparente, por në dëm të ekonomisë kombëtare dhe zhvillimit të vendit duke abuzuar hapur me këtë pronë kombëtare.