Kasapët në protestë: Qeveria na mori deshtë dhe qengjat dhe na la pa punë

130

BERAT/ Tregtarët e mishit: Gjedhët që u morën në Tiranë do të krijojnë një boshllëk disamujor në punën tonë

Të gjithë deshtë dhe qengjat që kishte Qarku i Beratit kanë udhëtuar drejt Tiranës, për t’u flijuar ditën e sotme me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Duke parë rëndësinë dhe vlerësimin e blegtorisë, e cila vjen nga zonat e njohura të Tomorrit kasapët e Beratit kanë krijuar marrëdhënie me rritësit e gjedhit në këto zona, që numëron 12 fshatra, por ky bashkëpunim i hershëm u trondit nga blerja që bëri Qeveria. Kështu që sot në Tiranë deshtë dhe qengjat e Beratit bëhen kurban.

Situata

Për blerjen e deshve nga Qeveria kanë reaguar kasapët, të cilët në një protestë ata ngritën zërin duke thënë se këto festa i gjetën ata me “gisht në gojë”, “duar bosh” dhe pa lëndën e parë dhe për këtë ata akuzojnë nismën e Qeverisë. Disa kasapë shprehen se, ushqehen me këtë punë. Mbajnë familjen. “Qeveria nuk ka pse i detyron fshatarët që të dërgojnë gjedhët e tyre në Tiranë. Ky numër i madh deshësh dhe qengjash që u morën për festën do të krijojë një boshllëk të madh në punën tonë, ku dihet që merremi me tregtimin e mishit. Ky numër është i pazëvendësueshëm për therjet në qytetin e Beratit”, thanë ata.

Lakmia

Burime të sigurta bëjnë me dije se lakmia ka qenë më e madhe në Qarkun e Beratit, pasi gjedhët kullosin në zona malore dhe ushqehen me trëndelinë dhe gjethe. Sipas blegtorit Bajram Myrteja, banor i zonës së Tomorrit bëhet e ditur për gazetën se, të gjitha fshatrat i shitën deshtë dhe qengjat që kishin. “Unë kisha 200 kokë bagëti. Numrin më të madh e kisha me qengja, pasi tani në stinën e dimrit ata janë më të kërkuar nga kasapët. Unë kam lidhje me disa kasapë me të cilët kam nënshkruar një kontratë për tërheqjen e bagëtive për therje. Por tanimë atë numër që kisha caktuar për kasapët sipas kontratës isha i detyruar që t’i dërgoja për kurban në Tiranë, sigurisht kundrejt pagesës dhe kasapët e Beratit mbetën bosh. Si unë, janë një numër i madh blegtorësh që kanë kontratë me kasapët e Beratit, Poliçanit, Çorovodës apo edhe Kuçovës”, tha Myrteja.

Nuk u respektua kontrata

Kasapi Hajredin Musta u shpreh: “Ne kemi një kontratë me blegtorët, e cila nuk u respektua për lëndën e parë, pasi ne tregtimin e mishit e marrim nga ata, për dy arsye. E para se bagëtitë kullosin në mal dhe janë të pastra dhe e dytë kanë mish të shijshëm. Në stinën e dimrit ushqehen me gjeth dhe stinën e verës me trëndelinë mali. Kjo bënë që dhe konsumatorët ta preferojnë mishin e bagëtive, por tashmë ne mbetëm me gisht në gojë, pasi ky numër i madh bagëtish do kohë që të zëvendësohet, për të na furnizuar ne. Ne jemi dhe në prag të Vitit të Ri dhe nuk e dimë sesi do shkojë puna jonë”.