Ostreni i Madh vishet me Flamuj

2170
Sigal

DIBËR/ Nderohet e kujtohet patrioti ostrenas, Elez Koçi që ngriti flamurtarin e parë të Pavarësisë në Gollobordë

Këto ditë Ostreni i Madh në Gollobordë të Dibrës mblodhi të moshuar e të rinj, veteranë e intelektuale të fushave të ndryshme që i kanë dhënë emër Gollobordës, familjare ostrenas nga Elbasani, Tirana e deri nga Shkodra, një vargan i gjatë dasmorësh në dasmën e madhe të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Gjithë ky manifestim emocionues popullor organizohej nga kryetari i Komunës z.Razi Rama dhe drejtorit të shkollës së mesme të bashkuar “Elez Koçi” për të kujtuar e nderuar patriotin e madh ostrenas, Elez Koçi, flamurtarin e parë të shpalljes së Pavarësisë dhe 90- vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe në Ostren të Madh më 28 Nëntor 1922. Ostreni i Madh, me sheshin dhe rrugicat e asfaltuara e tërë ndriçim, me godinën e administratës të rikontrukturuar, me shkollën e mesme, me klasa e ambiente tepër funksionale, me xhaminë në qendër dhe lokalet tepër të kohës e bënin një qytezë tepër tërheqëse për çdo vizitor a turist.

Eventi

Merrnin pjesë në këtë eveniment familjare të ish-patrioteve, të dëshmorëve të luftës, mësues veterane nga zona e Dibra, ish-drejtues shkollash në zonë, Ferat Koçi, nipi i patriotit Elez Koçi, Mentor Moglica, nipi i patriotit, Hoxhe Moglica, Ferhat Lila, nipi i patriotit steblevas, Hazis Lila, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e të Shkencës z. Besnik Rama e Shemsi Muça, Njazi Seferi, Prokuror te Krimet e Rënda, Lulzim Shahinaj, përfaqësues i Prefekturës Elbasan, Alban Fejza, kryetar i Komunës Stëblev, Fitim Balla, kryetar i Komunës Trebisht Ramazan Hoxha, kryetari i shoqatës “Golloborda” bisnesmenët, Flamur Muça e Remzi Muça. Në orën 10:00 të gjithë të ftuarit i priti kryetari i Komunës z.Razi Rama dhe të gjithë së bashku, nën tingujt e orkestrinës popullore, iu drejtuan oborrit të shkollës, ku valëviteshin flamujt kombëtarë dhe zëri kumbues i korit të vajzave me këngën: “Xhamadani vija -vija, është Kosova është Shqipëria, etj..”. Grupi artistik i shkollës, drejtuar nga vajzat, Aurela Shefqet Muça, Frosina Clirim Tola dhe mësuesi i letërsisë z.Hakit Duka, emocionoi të pranishmit me poezitë e Rilindësve për flamurin e gjuhen shqipe, me këngët e vallet e mrekullueshme të traditës gollobordase.

Ekspozita

Më pas të ftuarit iu drejtuan Muzeut të shkollës, falë kontributit të piktorit të mirënjohur ostrenas, Duro Ibrahmi, në stendat e të cilit ishin të ekspozuar figurat e njohur të Pavarësisë për zonën e Gollobordes si: Elez Koçi, Hoxhe Moglica, Hazis Lila, Hysen Destani, që me jetën e veprën e tyre u bënë therorët e parë të shtetit shqiptar në luftë me serbët në vitin 1915. Në ato stenda shpalosej historiku i arsimit dhe i qindra mësuesve që dhanë kontributin në arsimimin e mijëra nxënësve si: Hasan Ahmeti, Shaban Ibrahimi, Hamdi Muça, Vahit Kormaku, Muharem Tola, Muharem Kurti, Sefedin Hasani, Raim Limani, Fisnik Muça, Hakit Duka, Ilir Tola, Agim Muça, Ramije Koçi, Azbije Muça, Rabije Duka, Florie Tola, Nazmije Muça, drejtuesit e shkolles: Mustafa Shahinaj, Gafur Ibrahimi, Ruzhdi Mata, Beqir Tola, Fahri Muça, Besnik Rama, Shefqet Karasani, Rami Karasani, zv.drejtoret: Zenepe Kurti, Islam Rama, Ramazan Muça, Enver Tola, Shaqir Kurti. Zeqir Hysa, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Ostren i Vogël”, intelektualët e shquar e drejtues në zonë si: Hysen Mata, Rifat Tola, Qamil Mata, Binas Tola, Azize Muça, Farie Mata etj.. Sipas traditës, në drekën e organizuar, vallen e rëndë e kërcyen mjeshtrat Sul Rama e Ilir Tola e pastaj me radhë vallet të prirë nga Ruzhdi Mata, Gëzim Kaba, Fisnik Muça, Razi Rama, Shefqet Muça me kolektivin e mrekullueshëm të mësuesve, vajzat e gjimnazit me veshjet tradicionale të zonës.

Mehmet Hasani

Ish-drejtori i shkollës së mesme të bashkuar “Spiro Velko”, Klenje