KAPEDAN, MORE ESTREF!

918
Enver CAKAJ

Të pathëna për Heroin e Popullit Estref Caka (Osoja)
Do ta themi që në fillim, se duke shkruar njerëz, që nuk e kanë njohur Estrefin, i shtrembërojnë faktet, sidomos datëlindjen dhe datën e rënies. Estrefi ka lindur në vitin 1918 dhe ka rënë në 11 nëntor 1944 sipas dokumenteve të Arkivit Qendror të Shtetit dhe buletinin të luftës. Nuk është mirë të laturisim veprën heroike te heronjve. Ishte koha kur prindërit bëheshin pishman që kishin lindur fëmijë. Varfëria ishte ulur sheshazi, pushtuesit vinin e iknin sipas dëshirës. Në familjen e Abdurrahman Cakës kishte sherr e dhimbje. Atje kishte zënë vend fjala: “Në qafshin fëmijët për gjella, vdekshin, në qafshin për bukë, vdeksha unë!” Ku të vinin djemtë e shkretë, po ç’të bënin dhe prindërit e varfër? Tokat nuk jepnin, pazaret donin lekë. Zanati i vetëm për djemtë ishte ai i bariut. Dhe një ditë Abvdurrahmani i tha të shoqes, Nerënxës, që të tre djemtë që ishin mëkëmbur t’i pajtonin hyzmeqarë. Djemtë nuk kishin moshë pune, po kishin etje për bukë. Estref Caka kishte synime të tjera, por kushtet e pengonin. Atij i pëlqente arsimimi. Në Osojë ishte kryeplaku që dinte pak shkrim dhe ai nuk iu nda. Po hyzmeqarllëku ia preu atë mundësi. Ai vocërrak do të ruante dhentë e dervish Abdullahut në fshatin Grepckë. Abdullahu ishte fetar, por dhe patriot. Kur kthehej Estrefi nga bagëtitë uleshin të dy dhe mësonte shkronjat. Ato tre vjet që ndenji atje për një qase misër në muaj, përparoi në shkrim e këndim. Ngado që shkonte atyre pyjeve, shikonte rrasa guri dhe ulej e shkruante. Kjo bëri që të hiqte vëmendjen nga bagëtitë aq sa ujqit i hëngrën disa dele. Abdullahu nuk e qortoi, që të mos prekej, i tha vetëm kaq: “Fajin e kam unë, se më shumë të kam këshilluar që të mësosh shkrim. ”Por Estrefit i vinte rëndë dhe u largua për t’u pajtuar hyzmeqar në Dhorës dhe Vëseshtë. Vëllai i madh, Selmani kishte ikur në Korçë, ku pastronte plehrat e haneve. Por kjo i kushtoi familjes, sepse ai u sëmur rëndë dhe u desh të shisnin kaun e vetëm për të paguar shpenzimet e mjekimit. Pasuria e tyre mbeti me një gomar dhe dhjetë dhen. Siguronte bukën për pesë muaj!Po pastaj?
Ishte fundi i vitit 1941. Në mes të halleve e varfërisë, Estrefit i vete një fletëthirrje për të shkuar ushtar. Kazoja me Bektashin e porositën të mos paraqitej atë ditë në zyrën e rekrutimit dhe ai vajti ditën e dytë. I nisën për në Kazermat e “Ali Rizait” në Tiranë e që andej në Korçë. Estrefi kishte synime të lidhej me njësitet guerile, por fashistët e lëviznin repartin “Korata” shumë shpejt. Nga Korça shkuan në Fushë-Krujë, në Pukë e më në fund kaluan kufirin e u vendosën në Suharekë të Kosovës. Për të mos pasur kontakte me popullin dhe njësitet që vepronin në Kosove reparti u vendos në një pyll të dendur. Komanda e nuhati përgatitjen dhe shkathtësinë e tij dhe e gradojnë rreshter. Por Estrefit i pëlqente vetëm një gradë, ajo e militantit. Ai lexonte dhe dëgjonte mjetet e tjera të informimit, ku mësonte se në Shqipëri po shtoheshin njësitet dhe çetat partizane. Estrefi ishte komandant toge me mitraloz të rëndë “Breda” dhe filloi të zgjidhte ushtarët më të fortë fizikisht. Ai i kishte thirrur me radhë të gjithë ushtarët shqiptarë në çadrën e tij fshehtazi dhe u kishte thënë, se këta janë fashistë, po të përgatitim arratisjen me shumë kujdes. Ai krijoi një grup të zgjedhur me në krye Halim Zano Likën nga Drizari i Mallakastrës, Koço Prifti nga Gjirokastra, Halim Murati nga Kallarati i Vlorës dhe dy të tjerë nga Karbunari dhe Qishbardha e Vlorës. Të gjithë ushtarëve shqiptarë ai i furnizonte me letra e zarfe, që të mbanin lidhje me familjet, që të merrnin informacione për lëvizjet që kishin nisur, sepse reparti ishte rrethuar me roje italiane dhe nuk i linin të dilnin jashtë. Një ditë Estrefi, për të siguruar bindjet e ushtarëve shqiptarë u tha: “Kam dëgjuar se andej nga Jugu i Shqipërisë kanë dalë komitë e luftojnë kundër italianëve, ç’të jenë këta? Mos druani nga unë pse jam rreshter. ”Të dy Halimët u përgjigjën si me droje. edhe ata me të dëgjuar e kishin. Një ditë, pasi mbaruan stërvitjen Estrefi e thirri në çadër Halim Zanon dhe e pyeti për patriotin Dino Ahmeti për të hapur muhabetin. 
Dyshimet ndaj Estrefit lindën që në Fushë-Krujë, kur Estrefi zgjodhi ushtarët nga Jugu për togën e tij. Ata bënë riorganizimin e togës së Estrefit dhe i shpërndanë nëpër togat e tjera. Kjo bëri që ata të takoheshin në fshehtësi, kur oficerët shkonin në Prizren. Estrefi shfrytëzoi tre ditët e pushimit, që dha komanda dhe i thirri një nga një në çadër e i porositi të njihnim mirë terrenin, burimet, përrenjtë, kodrat, por më shumë të zëmë shoqëri me banorët e këtyre viseve. Ai i porositi të kishin kujdes, se midis kosovarëve kishte dhe banorë serbë. Dhe të gjithë ushtarët u futën nëpër familjet e shqiptarëve kosovarë me pretekstin për të marrë bar e kashtë për të shtruar, se nuk kishin dyshekë. Por një ditë Estrefit i erdhi një ftesë nga një plak kosovar, që e ftonte për darkë. Për të mos u diktuar ata morën nga një fletëleje për në Prizren. Në të errur dolën të veçuar nga reparti me Halim Zanon dhe takimin e kishin lënë tek një çezmë. Në shtëpi i pritën si heronj, po plaku, që quhej Halil, fliste me shumë rezervë. Edhe kur Estrefi e pyeti nëse kishte komitë në ato anë, plaku foli prerë: “Unë nuk merrem me ato punë, more djem. ” Por ai i shikonte dy miqtë me shumë kujdes për t’i studiuar. Estrefi e kuptoi dhe i tha plakut të fliste hapur, se jemi djemtë tuaj. Atëherë plaku kërkoi besën dhe u shtriu dorën dy miqve. Xha Halili ishte një nga pjesëtarët e njësitit dhe u tha që të takonin shitësin që tregtonte pranë repartit të tyre për të hyrë në lidhje. Parulla do të ishte: “A keni bukë kallamboqi?” Dhe ai do të përgjigjej: “Jo, kam vetëm simite. ” Atëherë djemtë do të blinin simite, brenda së cilës do të gjenin një letër, që i ftonin në takim. Ishte gusht i vitit 1942 kur Estrefi me Halimin vajtën te simitexhiu, i cili u dha një simite të mbështjellë me një letër, brenda të cilës ishin futur disa komunikata. Në letër ishte dhe ky shënim: “Komunikatat t’u shpërndahen ushtarëve, kurse për takimin tjetër duhet të prisni. ” Në komunikata u bëhej thirrje ushtarëve që të arratiseshin nga ushtria italiane dhe të bashkoheshin me lëvizjen. Estrefi ia dha të 40 komunikatat Halim Zanos t’i shpërndante atë ditë dhe vetë do të shkonte në Prizren me lejë, që të mos diktohej. Një komunikatë kishte hedhur dhe në çadrën e Estrefit. 
Mëngjesi në atë repart u gdhi me alarm. Komandanti i Batalionit, Neshat Kalenja me komandantin e kompanisë Xhemal Sollaku përkthenin fjalët e komandantit italian dhe kërcënonin, por asnjë nuk hapi gojën nga ushtarët. Atëherë u mblodhën oficerët, tok me ta edhe Estrefi, dhe vendosën që brenda 24-orëve të zbuloheshin shkaktarët. Pas një mbledhje pa praninë e Estrefit ata vendosën ta thërrisnin Estrefin, sepse dyshonin, por Estrefi u mbrojt me fakte dhe e lanë të lirë. Pas një jave atyre u erdhën komunikata të tjera dhe takimin e shtynin. Estrefi i la takim Halimit në mbrëmje, kur ushtarët bënin shëtitje. Atje i dha komunikatat dhe lajmin se të nesërmen do të takoheshin tek çezma me disa shokë. Për të mos u diktuar ai i tha Halimit që të merrte disa ushtarë, të shkonin te arat me misër e të piqnin dhe po të diktoheshin, t’u thoshte, se vajta tek ushtarët, se po vidhnin misrin. Për këtë planifikoi që njërit prej ushtarëve t’i jepte arrest. Por kur e panë që s’kishte asnjë dyshim, Estrefi u ul me ushtarët dhe u tha, se Atdheu po na thërret të bashkohemi në luftë kundër fashizmit. Në fund u dha traktet për t’i shpërndarë natën. Mëngjesi erdhi sërish me alarme. Fashistët u tërbuan dhe bllokuan lëvizjen e ushtarëve jashtë repartit. Të parin thirrën Estrefin pastaj Halim Zanon veç e veç, por asnjë nuk tregoi. Djemtë shqiptarë kufizuan takimet, por jo veprimet. Atë ditë shitësi i simiteve u tha, se ishte caktuar dita e takimit me pjesëtarë të njësitit, ku do të merrte pjesë Estrefi, ose vetëm ose me një shok. Takimi do të bëhej duke shëtitur në rrugë, kurse për kohën ishin caktuar tri ditë në orë të ndryshme, në mbrëmje. Estrefi mori shoqërues Halim Zanon dhe dolën në rrugë në orën e caktuar, por as ditën e parë as të dytën nuk doli njeri. Kjo i shqetësoi djemtë shqiptarë. Natën e tretë, pranë tyre kaloi një burrë i veshur si fshatar dhe u tha: “A morët bukë kallamboqi?” Estrefi i dha parullën dhe ai i ftoi të vinin pas tij. Rrugë pa rrugë ishin ngjitur në një shtëpi dy katëshe, ku i priti një burrë i moshuar. Shoqëruesin e quanin Xheladin Hana dhe ishte nga Gjakova. Atëherë ishte krijuar çeta e parë e Skraparit dhe Estrefi u rreshtua me ta. Çeta sa ishte shkrirë dhe ishte formuar Batalioni “Riza Cerova”. Kahreman Ylli, sekretari qarkor i Partisë shkruan në kujtimet e tij: “…Ishte fillimi i vitit 1943 kur mblodhëm batalionin partizan tek Arrët e Novajt dhe zgjodhëm për në Brigadën e Parë Sulmuese djemtë më të mirë dhe njëri nga ata ishte Estref Caka. ” Ai u rreshtua në kompaninë e tretë të batalionit të tretë të Brigadës së Parë sulmuese, duke kryer detyrën e komandantit të kompanisë. Si djalë i stërvitur dhe kurajoz ai mori pjesë në 27-beteja. Disa herë ai doli vullnetar për të përballuar situate të vështira. Në luftën për çlirimin e Tiranës ishte propozuar për komandant batalioni. Ai nuk e mori dot vesh detyrën e re, po shokët gjithmonë i thërrisnin komandant. Por në mes të luftës ai u sëmur dhe ka qëndruar në shtëpinë e Maliq Vlushës. Temperatura nuk i ulej dhe nënë Hatixheja i qëndronte te koka, por kur dëgjonte ato krisma pa pushim, e flaku jorganin dhe iku në krye të kompanisë. Ishte 11 nëntor i vitit 1944. Në cepin e rrugës “Asim Vokshi”, gjermanët kishin zënë një shtëpi dy katëshe të fortifikuar me thasë rëre të vendosura nëpër dritare dhe qëllonin mbi partizanët. Por partizanët i sulmuan me bomba e shishe benzine dhe shtëpia mori flakë. Kjo i bëri gjermanët të dorëzoheshin, por të tjera forca gjermane po afroheshin. Estrefi hipën në katin e dytë të ish-Kuesturës, sheh dy gjermanë përballë shtypshkronjës “Atdheu”, qëllon dhe i vret të dy. Tek përgjon mos vinin gjermanë të tjerë, një snajper gjerman e diktoi nga qëlloi dhe e godit për vdekje Estref Cakën! Një nga shokët i vajti pranë, por ai nuk foli dot më. Njërën dorë e mbante te zemra. Armiku përdori të gjitha armët për të goditur zemrën tonë të madhe, por ato as u ndanë, as u shuan. Gjashtë ditë më pas Tirana u çlirua, por në ato brohoritjet e partizanëve ishte dhe zëri i tij. Në çdo përvjetor të Brigadës, kur bëhet apeli, edhe ai përgjigjet: “Jam këtu!” Estrefi u shpall dëshmor i Atdheut dhe u dekorua me titullin më të lartë, HERO I POPULLIT. Dhe populli e përjetoi në këngë:

Gëzon Skrapari, anë e mbanë, 
Për Estref Abdurrahmanë. 
Shumë vite kanë kaluar, 
E nderon sot vendi mbarë. 
Të gjithë heronjtë që ranë, 
Sot kudo i kemi pranë, 
Janë të gjallë e vdekur s’kanë!
Sigal