Rama kërkoi llogari për Himarën, Berisha i nxjerr një video në Kuvend

441
Pasi kryeministri Edi Rama i kërkoi opozitës vazhdimisht ditën e sotme në Kuvend llogari për Himarën, deputeti i PD, Sali Berisha nxorri një video në iPad-in e tij
“Dua t’i tregoj Noriegës se përsa i përket patetizmit tënd dhe problemit me Greqinë ftoj shqiptarët të dëgjojnë këtë zotëri, ky është Rama duke mbajtur fjalim për Papandreun, antishqiptarin më të madh të rajonit.
Për marrëveshjen e detit do të them kaq, bëre gjithçka me para e korrupsion, anulove një marrëveshje e cila në 1000 gjykata po të dalë …..(Ruçi i ndërpret fjalën).
Më herët Rama e zhvendosi debatin tek çështja e Himarës, por së bashku me kreun e PD, Lulzim Basha përfunduan në batuta, duke folur për domate, kastraveca dhe karrota.
Nga ana e tij, kryedemokrati Basha në asnjë moment nuk i jep përgjigje për çështjen e Himarës, por vijon me akuzat e lidhjes së qeverisë me drogën e krimin.
“Kushdo që e ka ndjekur sot parlamentin e kupton fare mirë sikletin e Ramës, sikleti që e futi në këtë sallë, kriminelët dhe bandat e drogës. Ky që nuk donte aleatë në prehër, sot nuk e ka krimin në prehër, është vetë krimi. Nuk merr asnjë vendim dot për këtë vend ky pa u konsultuar me kriminelët. Atyre që u ke prishur shtëpitë, i ke lënë në rrugë. Po a dhimbsen këtij? Jo, se ky për vete ka substanca të tjera për t’u ngrohur. Në të gjithë Shqipërinë ta kanë pirë ujin, s’të beson më njeri. Ti je përgjegjësi dhe autori i një ekonomie në krizë që nuk prodhon asgjë, përveç drogës. Ke marrë peng qytetarët, votat dhe vendin me kriminelët. Nuk mund të them se PS ka qëllime anti-kombëtare, se kam miq në PS po aq të revoltuar sa unë. Por je ti, vetëm ti shkaktari. I le shqiptarët pa punë, pa drita, pa rend, që ti dhe krimi të keni 1.3 miliard të ardhura në vit. Je episodi më i zi në 27 vite,” tha Basha.
Sigal