Ja procedura që ndiqet me fëmijët e paregjistruar në kohë

2036

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, drejtori i Gjendjes Civile në Bashkinë e Elbasanit, Lavdi Gjoza

Drejtori i Gjendjes Civile në Bashkinë e Elbasanit, Lavdi Gjoza në një intervistë për “Telegraf”, ka sqaruar situatën në lidhje me fëmijët që nuk janë të regjistruar në kohë në gjendje civile. Sipas Gjozës, numri i këtyre fëmijëve është i madh dhe janë kryesisht fëmijë romë, emigrantët e lindur jashtë shtetit, por dhe fëmijë të bardhë të braktisur. Gjoza shpjegon të gjithë procedurën që ndiqet, ku cilëson se tre janë mënyra për t’u ndjekur për regjistrimin e këtyre fëmijëve.

Z. Gjoza deri tani sa është numri i fëmijëve të paregjistruar në Bashkinë e Elbasanit?

Nuk di të them një shifër, por në Elbasan ekziston një numër i madh i fëmijëve të pa regjistruar në gjendjen civile. Statistikat flasim për dhjetëra raste të kësaj natyre e shprehur kjo veçanërisht në komunitetin rom dhe fëmijët emigrantë që kanë lindur në Greqi, Itali etj.. Por ka dhe fëmijë që kanë lindur në spital, por nuk është bërë regjistrimi ose kanë lindur jashtë spitalit dhe kanë mbetur të pa regjistruar.

Çfarë është bërë me këta fëmijë?

Bazuar në vendimin nr. 7datë 10.01.2012 mbi procedurat dhe procesverbalin që plotësohet nga përfaqësuesi i emëruar i Bashkisë së Elbasanit dhe punonjësi i Policisë së Shtetit për rastet e fëmijëve të braktisur apo për rrethana të ndryshme nuk figurojnë në gjendjen civile, ne kemi filluar dhe po bëjmë punë konkrete në Elbasan. Udhëzimi i ministrit përcakton qartë mënyrën dhe procedurat që ndiqen nga ky komision deri në regjistrimin e fëmijëve dhe parashikohen tre raste të ndryshme të fëmijëve me këtë status.

Dhe cilat janë këto mënyra?

A) Fëmijët, të cilët janë të pajisur me certifikatë të asistencë së lindjes ose procesverbali të hartuara në kohën e lindjes, por që për arsye të ndryshme nuk janë regjistruar dhe nënat e kanë lënë nën kujdesin e një të afërmi.

B) Fëmijët e lindur dhe të pajisur me dokumentacion, por që nuk janë regjistruar në kohë për arsye të ndryshme.

C) Fëmijë të gjetur e të pa regjistruar që nuk janë të pajisur me dokumentacion si certifikatë apo procesverbal lindje.

Kush janë mënyrat që ndiqen për regjistrimin e fëmijëve të pa regjistruar?

Një i afërm për shembull gjyshi, gjyshja, njerka etj., paraqiten tek ne me certifikatë lindje ose procesverbalin e lindjes dhe atëherë përfaqësuesi i bashkisë së bashku me punonjësin e policisë, Filip Zhupa fillon procedurën e regjistrimit tek punonjësit e gjendjes civile. Pa certifikatë lindje nuk mund të fillohet kjo procedurë. Por edhe kur bëhet fjalë për fëmijë të braktisur e që gjenden në një zonë të caktuar është e nevojshme që të pajisen me një procesverbal të tillë. Fëmijët e braktisur regjistrohen  në territorin, ku gjenden. Menjëherë pas regjistrimit krijohen tre dosje një që mbanë punonjësi i policisë  një përfaqësues i njësisë vendore dhe një punonjësi i përgjithshëm i policisë. Kjo dosje përmban procesverbalet  e lindjes kërkesën e të afërme të fëmijës, fotokopje e kartës së personit të interesuar. Pasi përfundon kjo procedurë të interesuarit duhen t’i drejtohen gjykatës për njohjen e kujdestarisë, atësisë apo mëmësisë. Deri tani janë trajtuar vetëm gjashtë raste, por numri është tepër i madh dhe ne po i verifikojmë rast pas rasti.