ISUV, garant për sigurinë ushqimore

1095
SIGURIA USHQIMORE

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare – ISUV

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV)varet nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe është përgjegjës për hartimin në bashkëpunim me DSHK të strategjive të gjurmimit dhe luftimit të sëmundjeve infektive, parazitare në kafshët e tokës, të ujit dhe shpendëve. Ky Institut ka në varësi teknike 11 Laboratorë Rajonalë, të cilët janë përgjegjës për gjurmimin, analizimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve infektive, parazitare në kafshët e tokës, të ujit dhe në shpendë. Instituti kryen diagnozat veterinare dhe testimin e profilaksisë së shëndetit të kafshëve në përputhje me programin kombëtar. Ai kryen programe testuese për kontrollin e sëmundjeve epizootike, ilaçeve veterinare dhe diagnozat e sëmundjeve të përgjithshme, është përgjegjës për zbatimin e programeve kombëtare të monitorimit të mbetjeve, ujërave e molusqeve bivalve. Ai është përgjegjës gjithashtu për kryerjen e testimeve të produkteve ushqimore me origjinë shtazore në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik. ISUV bashkëpunon me FAO, WHO, OIE dhe laboratorë të tjerë reference për konfirmimin e sëmundjeve të ndryshme infektive.

Funksioni i përgjithshëm
Monitoron gjendjen epizootike të vendit për sëmundjet virale, bakteriale, parazitare, zooteknike dhe helmimeve;
Diagnostikon sëmundjet dhe përcakton skemat e efikase për luftimin e tyre;
Prodhon biopreparatet veterinare si : vaksina, alergene, antigene etj;
Kontrollon pjesën mikrobiologjike te produkteve dhe nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore (ëte prodhuara në vend ose të importuara);
Bën kontrollin e mbetjeve të substancave;
Kontrolli ushqimor
Analizon për treguesit cilësor prodhimet me origjinë bimore të prodhuara në vend;
Analizon dhe certifikon prodhimet ushqimore me origjinë bimore për eksport;
Ben analiza për identifikimin e falsifikimeve të ndryshme;
Vlereson parastandartet dhe regullat teknike per prodhimet e reja ushqimore;
Kryen analiza për etiketimin e produkteve ushqimore etj.

Baza ligjore
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, është instituti i referencës kombëtare dhe është organizuar në bazë të VKM. Nr. 515 datë 19.07.2006 “Për ristrukturimin e instituteve kërkimore – shkencore, në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ky institut është në varësi të MBUMK-së dhe është i cilësuar si laborator kombëtar reference.
Instituti i sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ushtron aktivitetin e tij bazuar në legjislacionin e poshtë shënuar:

Baza kryesore e punës ka të bëjë me :
Monitorimin e situatës epizootike në vend për sëmundjet virale, bakteriale, mykotike, parazitare, zoonotike dhe helmimeve.
Diagnostikimin e sëmundjeve, kontrollin kimik, radio biologjik, toksikologjik të produkteve dhe nënprodukteve ushqimore me origjinë shtazore dhe ushqimeve të kafshëve të prodhuara në vend ose të eksportuara.
Kontrollin e mbetjeve të substancave me efekt anabolik dhe të pa autorizuara, të biopreparateve dhe të medikamenteve veterinare në kafshët dhe shpendët e gjalla si dhe produkteve të tyre.
Prodhimin e biopreparateve veterinare si vaksina, alergjene, antigene, materiale diagnostikuese.
Monitorimin e ujërave dhe produkteve të akuakulturës.
Kontrolli i sigurisë dhe cilësisë ushqimore të produkteve me origjinë shtazore e jo shtazore.
Trajnimin e mjekëve veterinar dhe inspektorëve të cilësisë e sigurisë ushqimore.

SIGURIA USHQIMORE
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe i Veterinarisë (ISUV) është Instituti i Referencës Kombëtare për Shqipërinë në lidhje me sigurinë ushqimore. Dy departamentet, të cilat janë të përfshirë në sigurinë ushqimore, funksionojnë bazuar në ligjin “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë” Nr. 10465, datë 29.09.2011, ligjin e “Për Ushqimin” Nr. 9863, datë 28.01.2008, dekrete të qeverisë, norma kombëtare dhe/ose ndërkombëtare, me të cilat shteti urdhëron zbatimin me akte dhe normativa (direktiva dhe vendime të komunitetit evropian).

Spektri analitik
Për sa i përket sigurisë ushqimore, ISUV-i ka të implementuar sistemin e menaxhimit të cilësisë sipas ISO 17025:2005 në shumicën e sektorëve të këtyre departamenteve. Risi për vitin 2015 ka qenë shtrirja e menaxhimit të cilësisë edhe në dy sektorë të tjerë të DTMMC-së, përkatësisht në Sektorin e Kontrollit të Barnave Veterinare dhe Sektorin e Cilësisë dhe Vlerësimit të Ushqimit. Në shtator të 2015-ës është kërkuar riakreditimi nga trupa kombëtare (DPA) për 8 prova, nga të cilat 4 prova kimike (3 single residues dhe 1 metodë është multi-residues) dhe 4 prova biologjike. 6 nga këto teste aplikohen për riakreditim dhe 2 për akreditim për herë të parë. Këto prova lidhen drejtpërdrejtë me Planin Kombëtar të Monitorimit të Molusqeve (PKM-Molusqe), Planin Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve (PKM-Mbetje), si dhe Planin Kombëtar të Monitorimit të Peshkut (PKM-Peshku).

Aktiviteti kryesor analitik i departamenteve në kuadër të sigurisë ushqimore lidhet me zbatimin e planeve kombëtare të monitorimit. Gjatë vitit 2015 janë zbatuar 4 plane kombëtare:

1. Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve në Produkte me Origjinë Shtazore dhe Ushqimet për Kafshë;
2. Plani Kombëtar i Monitorimit të Molusqeve;
3. Plani Kombëtar i Monitorimit të Miellit dhe Drithërave.
4. Plani Kombëtar i Monitorimit Produkteve të Peshkut.

Gjithashtu, departamentet e ISUV kryejnë dhe aktivitete të tjera analitike për kampionë që vijnë nga AKU (zyrtare) dhe nga biznese private (autokontroll). Numri total i kampionëve të analizuara në kuadër të ISUV është 5 057, ndërsa analiza të kryera janë 15 557. Në kuadër të planeve kombëtare janë analizuar 2 840 kampionë (56,2% e totalit) dhe janë kryer 2 938 analiza (18,9% e totalit). Në mënyrë të detajuar, numri i kampionëve dhe i analizave të kryera në kuadër të SUV jepet në tabelën 1.

Siç shikohet në grafikun numër 1, analizat e kryera në kuadër të PKM-ve përbëjnë 56 % të totalit të analizave.

Analizat e kryera jashtë PKM-ve (AKU dhe autokontroll) janë analizuar kryesisht për treguesit mikrobiologjikë (382 kampionë AKU dhe 540 kampionë autokontroll), për praninë e histaminës (67 kampionë AKU dhe 30 kampionë autokontroll), për biotoksinat detare 3 kampionë autokontrolli. Gjithashtu për praninë e kontaminantëve pesticide, ve të rënda, mykotoksina, si dhe treguesit e cilësisë së produkteve të ndryshme ushqimore kanë ardhur 242 kampionë në kuadër të AKU dhe 953 si autokontroll.

Hallkat e zinxhirit agro-ushqimor
Hallkat në zinxhirin ushqimor të testeve të kryera në ISUV, gjatë 2017 janë paraqitur në figurën e mësipërme.

Në hallkën e parë “Kafshët, bimët dhe akuakultura” paraqitet:

• Analizimi i kampionëve për produkte me origjinë bimore për praninë e pesticideve është një risi e vitit 2014, pasi kontrolle të tilla nuk ishin bërë më parë në ISUV. Siç shihet edhe nga figura, numri i kampionëve të analizuar është shumë i vogël, për shkak se ISUV nuk ishte i përgatitur për të realizuar më shumë kampionë pasi metoda e analizimit të tyre me GC-MS/MS u zhvillua për herë të parë. Laboratorët kanë infrastrukturën, si dhe burimet njerëzore të nevojshme për të përballuar një numër më të madh kampionësh. Raste alerti nuk kemi pasur.

• Kontrolli i produkteve të kafshëve dhe akuakulturës, i cili ndahet në kontrollet kimike dhe mikrobiologjike. Kjo pikë inspektimi është relativisht e mbuluar, gjë që pasqyrohet me numrin e madh të kampionëve të analizuar për secilën nga kategoritë. Për këtë kategori problem është dhe numri i lartë i rasteve alert (për mikrobiologjinë 144 kampionë dhe 51 kampionë për mbetjet e medikamenteve veterinare dhe kontaminantëve). Për sa i përket analizave të ushqimeve për kafshë, analizat e kryera janë kimike dhe mikrobiologjike. Numri më i madh i kampionëve është analizuar për mbetjet e mykotoksinave në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve në Produktet me Origjinë Shtazore. Kjo është një pikë inspektimi e pambuluar, për shkak të numrit të vogël të kampionëve të analizuar. Hallka tjetër e zinxhirit ushqimor është “procesi i përpunimit”, ku janë analizuar kampionë si në aspektin mikrobiologjik, ashtu edhe atë kimik, për treguesit organo-shqisorë dhe fiziko-kimikë të produkteve ushqimore të përpunuara Ky analizim kampionësh vjen në kryesisht në kuadër të analizave për autokontroll. Kjo është një pikë inspektimi e mbuluar mirë. Rastet alert janë për analizat mikrobiologjike (1,1%).

Hallkë e rëndësishme është monitorimi i “aditivëve” në produktet ushqimore, e cila nuk mbulohet për mungesë të infrastrukturës së përshtatshme në laboratorët e ISUV-it.
“Tregu” në kuadër të kontrollit zyrtar (AKU) janë pranuar 246 kampionë dhe janë realizuar 501 analiza mikrobiologjike. Nga totali i analizuar në kuadër të akteve të inspektimeve zyrtare janë konstatuar dy raste jokonform (alert) sipas Urdhrit 261/2009 e MBZHRAU.

Problem në zinxhirin ushqimor si pika inspektimi të pambuluara janë paketimet e produkteve të ndryshme ushqimore, për të cilat ISUV-i nuk disponon infrastrukturën e përshtatshme.

Rastet pozitive
Nga kampionët e analizuar në kuadër të sigurisë ushqimore kanë rezultuar mbi normat e lejuara 70 (1,65 %) kampionë. Në tabelën e mëposhtme jepen të dhëna të detajuara mbi rastet pozitive, si dhe treguesin e pozitivitetit.

Gjatë monitorimit të Kampionëve dhjamë dele/dhie në kuadër të planit kombëtar të mbetjeve është vënë re prania e Cipermetrinës (megjithëse në nivele brenda normave) në këta kampionë, gjë që tregon përdorimin e kësaj substance në të imta, laboratori rekomandon që gjatë kohës së përdorimit të këtyre substancave të monitorohet edhe qumështi dhe produktet e tij.

Në kampionët dhjamë dhie/dele të ardhura në laboratorin e pesticideve të produkteve me origjinë shtazore, rezultojnë të kenë nivele të konsiderueshme të (megjithëse nën normat e lejuara) DDT-ve në yndyrë. Rekomandojmë që monitorimi të shtrihet edhe në qumështin e deleve dhe dhive, për mishin, si dhe nënproduktet e tyre.

Nga analizat e kryera deri tani në kuadër të Planit Kombëtar të Mbetjeve është vënë re prani e lartë e DDT-ve në vezët e freskëta (të gjitha të prodhuara nga fshatarët). Laboratori rekomandon rritjen e kontrollit të vezëve të “fshatarëve” (të paktën ato që shiten në dyqane), si dhe sugjeron:

Shtrirjen e monitorimit në shpendë (muskul, dhjamë etj).

Shtrirjen e monitorimit jo vetëm në pula, por edhe gjela/pula deti.

Kontrollin e ushqimit të shpendëve. 4- kontrollin e produkteve veterinare për përmbajtje të DDT-ve.

Nga monitorimi i PKM Molusqe rezultojnë pozitiv 7 kampionë për praninë e E. coli në molusqe në vlera > 230 E. coli MPN/100 g. Pozitiviteti për E. coli ka rezultuar kryesisht gjatë periudhës me reshje, të cilat, si pasojë e prurjeve të mëdha në liqen nga tokat përreth, kanë shkaktuar këtë fenomen. Rekomandimi i mundshëm do të ishte moskampionimi gjatë stinës së dimrit atëherë kur nuk ka prodhim, për të shmangur vlerat e larta të E. Coli.

Referuar kampionëve pozitivë të analizuar në kuadër të autokontrollit dhe inspektimeve të AKU-së rezultojnë pozitivë 60 kampionë, kryesisht për Salmonella spp., Listeria monocytogenes, Histaminë, E. coli, Enterobakterie, ngarkesë mezofile, stafilokokë koagulazë pozitive, (përkatësisht 32 kampionë autokontroll dhe 28 kampionë AKU). Këto raste të ndeshura kanë të bëjnë në pjesën më të madhe me higjienën e ulët të produkteve gjatë fazave të përpunimit, deri te produkti gati për konsum. Në mostrat me origjinë shtazore si mish derri, qofte, hamburger dhe pulë e freskët u konstatuan me mikroorganizma patogjenë, si Salmonella spp dhe Listeria monocytogenes.

Nga të dhënat e mbledhura për vitin 2017 lidhur me mikrobiologjinë ushqimore rekomandohet vëmendje e veçantë ndaj kushteve higjienike të lëndës së parë, fazave të përpunimit dhe nxjerrjen e produktit në treg, si dhe implementimi i duhur i skemave të HACCP-së në industritë përpunuese të qumështit dhe mishit. 
Përgatiti për botim Esmeralda Pirra
Sigal