Sigal

Puna jonë, punë e keqe

Asnjëherë s’gjendet kandari,

Punë të mirë ka hajduti.

Punë të mirë ka gjyqtari.

Puna jonë, dreq o punë!

Kazma në duar na ngeli,

Punë të mirë ka tatimori,

Punë të mirë ka krimineli.

Puna jonë, punë koti!

Djersa nëpër gjoks na varet,

Punë të mirë kanë ministrat,

Ministrat dhe sekretaret.

 

Puna jonë, punë pa vlerë!

Punojmë për një copë bukë,

Punë të mirë kanë të papunët,

Që rinë gjithë ditën në klub.

 

Puna jonë, punë lumi,

Fare leverdi nuk ka.

Punë të mirë bëjnë prostitutat,

Qejf o qejf, por dhe para!

 

Puna jonë punë e dhjerë,

Punojmë e s’fitojmë kurrë,

Punë që të çudit fare,

Është kur shkon burri me burrë!

Puna jonë, punë pa lekë,

Natë e ditë gjithnjë në punë,

Punë të mirë kanë deputetët,

Që nuk bëjnë asnjë punë.

Puna jonë pa bereqet,

Leku gjithandej ka rrjedhje,

Punë të mirë ka qeveria,

Që punon vetëm në mbledhje.

 

Puna jonë, punë dreqi!

Na doli shpirti e xhani,

Punë të mirë ka pushtetari,

Punë të mirë kish Fullani!

Puna jonë, punë e lodhshme!

Pa një vlerë e pa fitim,

Punë ka grabitësi në banka

Që gjithë ditën është pushim.

 

Puna jonë, me plot telashe,

Eh, ka shkuar gjithçka thellë,

Punë të mirë ka burgaxhiu,

Si mungon as bukë, as gjellë!

Puna jonë, punë koti!

Ndaj e bëjmë me përtesë,

Punë të mirë, me leverdi,

Ka veç vrasësi me pagesë!

 

Puna jonë, punë muti!

Nëpër shi e nëpër borë,

Punë të mirë kanë mitingashët,

Dhjetë mijë lekë për dy – tre orë!

 

Puna jonë, punë me halle,

Njësoj dje, njësoj dhe sot,

Puna jonë me djersë të ballit,

As me bukë nuk na ngop dot…!