Islam Spahiu: T’i mbrojmë kafshët që të jemi njerëz

2841
Para ca ditësh, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, dha një sqarim në lidhje me çështjen e qenve pa zotë, të quajtur të rrugëve. E me të vërtetë, njerëzit e thjeshtë, të paditur, udhëhiqen më shumë nga instinktet primitive sesa nga logjika, edukata qytetare apo kultura. Duke e ekzagjeruar alergjinë ndaj kafshëve, japin alarmin për një rrezik të paqenë: se qentë po kafshojnë njerëzit, se këta të fundit “po vdesin” prej tyre. E vërteta është krejt ndryshe. Le të shikojmë pak anës rrugëve, në sheshe e parqe. Ka, po, qen që sillen me frikë nga njerëzit të cilët i trembin, i godasin me çdo mjet me një urrejtje pa shkak. Ata nuk janë agresivë, mundohen të gjejnë ndonjë ushqim të hedhur përtokë; e nën donjë ditë të bukur gjejnë ndonjë shesh me bar, shtrihen e flejnë nën rrezet e diellit, duke e shtuar kështu bukurinë e nënës natyrë. E pikërisht ndaj këtij hiri shfaqet alergjia e llumit të shoqërisë; duke u përqendruar këtu, harrojnë krimet e njerëzve që ndodhin në çdo orë e çast. Për këto nuk e ngrenë zërin; u është bërë e zakonshme. I kundrojnë me indiferencë krimet, sado që ata ua kalojnë filmave horrorë të kinematografisë. Por, fatmirësisht, nuk janë këto që i japin tonin jetës së shoqërisë sonë të sotme. Shihen djem e vajza, të rinj e të reja, që mbajnë nga një qen e shëtisin me ta. Është pranuar praktikisht e shkencërisht që dashuria për kafshët largon streset; dhe dihet që streset shkurtojnë jetën e njeriut. E ky “ilaç” nuk gjendet në farmaci por te besnikët tanë që na ka falë natyra.

 Duke pasur parasysh këto që thamë më lart, le të shohim si e trajtojnë këtë problem vendet e BE. Pata rastin të kaloj disa ditë në Romë dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje më tepër, edhe pse kaloja përmes monumenteve madhështorë historikë të Romës së lashtë, ishte një sektor diku në afërsitë e Koloseut, i rezervuar për macet. Aty ishin grumbulluar me qindra të tilla. Me vendim të këshillit bashkiak, ata ishin shpallur “pasuri kombëtare”. Një varg i përhershëm vizitorësh, sidomos turistësh të huaj, i vizitonin dhe bënin fotografi pranë tyre. Duke parë këtë, si për mrekulli më shkoi mendja te njerëzit e mëdhenj që i kanë dashur macet; së pari vlen të përmendet i madhi Muhamet, themelues i Islamizmit; ai i ka bekuar macet. Sot e asaj dite, e vetmja qenie e gjallë që lejohet në xhami si njeriu është macja. Duke vazhduar me të tjerë, kujtohet për këtë diktatori bolshevik, Lenini; ai nuk ndahej nga maçoku i tij as në zyrën e tij nga ku drejtonte Revolucionin e Tetorit. Një diktator tjetër, i tmerrshmi Hitler, nuk u nda nga lupoja i tij gjer në çastin e fundit; vdiq njëherësh me të. Mareshali i Jugosllavisë,Tito, mbante një qen që e donte jashtë mase; për këtë e ka përqeshur E.Hoxha në kujtimet e tij. Si ta shpjegojmë këtë ndjenjë delikate të këtyrediktatorëve? Do të thosha se me këtë ata, instinktivisht donin të qetësonin ndërgjegjen e tyre mizore. Po le t’i lëmë këto e të shohim gjenitë e humanizmit të letërsisë e të artit. Filozofi kinez, Konfuci, ka thënë: “Sa më shumë njoha njerëzit, aq më tepër desha kafshët”. Ndërsa një nga poetët më të mëdhenj të Francës, Sharl Bodler, u ka kushtuar disa poezi maceve. 

Përveç të tjerëve, gjeniu i letërsisë amerikane, Xhek Londoni, e ka pavdekësuar hirin e qenit në romanet e tij; mjafton të përmendin kryeveprën “Dhëmbi i bardhë”. Nuk mund të mos përmendim këtu edhe poetin e madh francez, Alfred de Vinji, me poemën e tij, gjithashtu kryevepër, “Vdekja e ujkut”. Në këtë poezi ai shpreh frymën stoike: “Një ujk kaçak, i plagosur që pranonte më mirë të pushkatohej sesa të bindej”. Ai kujtonte një fragment të Bajronit nga Çajld Haroldi: “Jeta si edhe dhembja, mbi të gjitha, lëshojnë rrënjë të thella në zemrat e trishtuara e të vetmuara: Deveja duron barrën pa u ankuar, sado e rëndë që të jetë dhe ujku di të vdesë në heshtje”. E më tej: “Nëse kafshët vuajnë poshtërimet dhe egërsitë e natyrës, a nuk do të mundeshim ne, që jemi përbërë nga një brumë më fisnik, që të përballojmë pa frikë fatkeqësitë e jetës? (…). Nuk ka veçse një ditë…”. Vinji i vinte shumë rëndësi kësaj poeme. Citojmë një letër që autori i dërgon markezit La Grāzhê (24 tetor1843): “Shumë gjëra më shtypin ngaqë nuk i thashë kurrë!”. Ish një hemorragji për mua që të shkruaja një gjë të tillë si “Vdekja e ujkut”. 

Duke vizituar Romën, i shtyrë nga dashuria për kafshët, kërkova dhe u takova me kryetarin e Entit Kombëtar Italian për mbrojtjen ekafshëve. Pata kënaqësinë të informohem me atë lëvizje e cila zhvillohej nën moton: “Çdo kafshë ka të drejtën për ekzistencë, për respekt dhe përmbrojtje”. Mora materiale të publikuara për këtë çështje si “Deklaratën Universale të Drejtave të Kafshëve”, shpallur pranë selisë së UNESKO-s në Paris me 15 tetor 1978. E si kjo: “Karta e Tokës” më 2000. “Manifesti për një etikë interspecifike (të gjithllojshme), dmth të drejta të njëjta për gjithë qeniet e gjalla (përfshirë njeriun)”. “Karta e Modenës” më 2002, e kështu shumë traktate e konventa ndërkombëtare, direktiva e rregullore europiane si: “Konventa europiane për mbrojtjen e kafshëve që kultivohen për interesat njerëzore”.“Traktati i Lisbonës” më 2007.“Rregullore për prodhimin biologjik” më 2007-2008, etj…Duke njohur këtë realitet, bindemi gjithnjë e më tepër se vendi ynë, me gjithë zhurmën politike mbi integrimin në BE, nuk do t’ia arrijë qëllimit në qoftë se nuk do t’i zbatojë normat morale eligjore që ka bota e qytetëruar për mbrojtjen e kafshëve.
Sigal