Investimet e BE-së i merr Serbia, konferencat i jep… Shqipëria!

683
Përparim HALILI
Investimet e BE-së i merr Serbia, konferencat e shtypit i jep… Shqipëria!
– Në takimin e Triestes, ku Shqipëria u përfaqësua me kryeministër me atlete të bardha, doli me “këpucë të kuqe”, duke mos përfituar as shpenzimet për biletat e udhëtimit të delegacionit
Shqipëria e 27 viteve tranzicion, nuk po arrin dot të krijojë bindjen tek ndërkombëtarët, se di të menaxhojë projekte zhvillimi, të ofruara prej tyre në fushën ekonomike. Prandaj BE, po vazhdon ta trajtojë vendin tonë, me “qese” asistencash mbështetëse kalimtare lëmoshë, që nuk janë “zhvillim” afatgjatë e afatmesëm, por “kafshata” për kalim krizash dhe financime trajnimesh, ekspertimesh e monitorimesh në administratë, polici, shëndetësi, diplomaci, arsim, siguri ushqimore, mjedis, inspektorate anti-korrupsione disa sektorë të tjerë! Sipas specialistëve që merren me “diplomacinë ekonomike”, BE-ja nuk po e hap “thesin” e investimeve të fuqishme për Shqipërinë, mbasi e bllokojnë disa shkaqe bazë, ku ndër më kryesorët janë: korrupsioni shtetëror; mungesa e realizimit efiçent të projekteve; devijimet e investimeve në sektorë pa leverdi e në adresime jashtë “vijës ekonomike” të BE dhe paaftësia, për të hartuar e paraqitur projekte bindës! Përveç ngurrimit të BE, në Shqipëri nuk “trokasin” as investitorët e huaj, po prej korrupsionit, çështjes së pa zgjidhur të pronës, pasigurisë së investimit e jetës, pisllëqeve që bëjnë bankat dhe ligjeve shkatërruese doganore e tatimore që ka Shqipëria. Këtë “plagë” e tregoi dhe takimi i përbashkët i drejtuesve të vendeve komandues të BE, me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, në “Forumin ekonomik” të Triestes, ku u akorduan projektet e investimeve për disa nga vendet e rajonit që kanë mbetur ende jashtë BE! Në takimin e Triestes, ku Shqipëria u përfaqësua me kryeministër me atlete të bardha dhe doli me “këpucë të kuqe”, duke mos përfituar as lekët e biletave të delegacionit qeveritar. Afro 70% të projekteve i morri Serbia, ndërsa vendet e tjera deri edhe Bosnja, përfituan projekte që tregojnë ecurinë e tyre drejt integrimit në BE! Ndërsa Shqipëria nuk morri asnjë “lëpirëse”! Pas takimit të Triestes, zyra kryeministrore shqiptare dha një konferencë shtypi, nëpërmjet një zyrtareje që kur fliste, dukej sikur “kishte lënë gjellën në zjarr” e kishte ardhur me detyrim në punë. Në këtë konferencë, ku kryeministri nuk foli fare, u tha se “Shqipëria kishte përfituar disa projekte të rëndësishme, por që nuk ishte e rëndësishme të bëheshin të ditur”. Ndërsa kryeministri Rama, nuk doli ta jepte lajmin në “FB”, ndërkohë që ka dalë edhe në mes të natës, për të njoftuar se kishte zbuluar dy heroina ushtare të Zall-Herrit, të cilat kishin anuluar vajtjen në “PUB” dhe kishin shkuar për të fikur me fshesa e kapele, zjarrin që kishte rënë tek shkurret e Surrelit në Tiranë! Katër ditë më parë BE ka nisur procedurat për çeljen e financimit të projekteve të zhvillimit ekonomik, u akorduan për Serbinë në “Forumin Ekonomik” të Triestes. Çuditërisht, Shqipëria njoftoi këtë lajm, me një deklaratë për shtyp. Një javë më parë, në Durrës, u zhvillua takimi informal me kryeministrat e vendeve të rajonit, ku i pranishëm ishte edhe komisioneri i BE. Për Shqipërinë u thanë gjithë “të zezat” që nga kultivimi dhe trafikimi i drogës, azili i shqiptareve në vendet e BE, paaftësia për të të tërhequr e zhvilluar projektet ekonomike të BE dhe të investitorëve të huaj, mos plotësimi i rekomandimeve të BE, kaosi dhe korrupsioni në dogana e tatime… Ndërsa për Serbinë, u tha se ka gati “paketat” me projekte ekonomike, që BE i akordoi në Trieste. Pas takimit, kryeministri Rama dha një konferencë shtypi! Çudia qëndron në faktin, që fondet e BE i merr Serbia, ndërsa konferencat e shtypit i jep Shqipëria!
Sigal