Ilir Meta: Roli i konsujve të nderit nuk është honorifik, por është një rol ndonjëherë edhe më produktiv se i ambasadave

568
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta pret përfaqësuesit e Shoqatës së Konsujve të Nderit të Shqipërisë

Edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë nga krijimi i saj, Shoqata e Konsujve të Nderit në Tiranë është mjaft aktive në harmonizimin e vetëfunksionimit, por edhe në raportet me institucionet shqiptare. Si një ogur të mbare, takimin e parë Shoqata e Konsujve e zhvilloi me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Për të nisur rrugëtimin e një udhe të fortë bashkëpunimi, Kryeparlamentari priti në kryesinë e Kuvendit 18 Konsuj Nderi, në një takim të kërkuar nga Kryekonsulli dhe Kryetari i Shoqatës, Ylli Ndroqi.

Numri një i Kuvendit, vlerësoi rolin e rëndësishëm që Konsujt luajnë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në vendet që ata përfaqësojnë dhe premtoi se jo vetëm ai, por i gjithë Kuvendi do të jetë një derë e hapur bashkëpunimi për shoqatën.

“Dua të shpreh kënaqësinë time që takohem sot me ju, sepse vërtetë, që edhe për shkak të eksperiencave të mia në të kaluarën, sidomos në detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme, kam vënë re se sa rol të rëndësishëm kanë konsujt e nderit për të forcuar marrëdhëniet midis vendeve dhe njëkohësisht se sa kontribut të spikatur keni edhe ju në progresin e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet që ju përfaqësoni këtu”.

Ndaj duke besuar se edhe ky asociacion i ri ju ndihmon edhe juve për të shkëmbyer përvojat me njëri-tjetrin, por njëkohësisht edhe për të komunikuar në një mënyrë më të organizuar dhe më efektive edhe me institucionet këtu në vendin tonë edhe me dhomat e tregtisë, përfaqësuesit e biznesit, jam i sigurt se ky bashkim i juaji do të shumëfishojë rezultatet e punës suaj dhe do të jetë një kontribut i shtuar për forcimin e marrëdhënie ndërkombëtare të Shqipërisë.

Njëkohësisht edhe për atë që është më e rëndësishme, për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në vendet që ju përfaqësoni dhe njëkohësisht ajo që na duhet të gjithëve për të tërhequr jo vetëm vëmendjen, por edhe sa më shumë investime në Shqipëri dhe përmes Shqipërisë edhe në rajonin tonë nga këto vende, pasi kemi ende potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuara.

Ndaj unë dua t’iu siguroj për bashkëpunimin e ngushtë me mua si kryetar i Kuvendit, por edhe me Kuvendin edhe me komisionet e përhershme parlamentare, jo vetëm me Komisionin e Politikës së Jashtme, sepse jam i bindur që ky është një bashkëpunim i rëndësishëm edhe është një bashkëpunim me vlera afatgjata. Kështu që, iu uroj suksese dhe ju përgëzoj për këtë bashkim tuajin në radhë të parë”, theksoi Meta.

Edhe pse ishte mes një përfaqësie diplomatësh, kryetari i Kuvendit vendosi të mos jetë diplomat, por i drejtpërdrejtë kur tha se:

“Dua të theksoj se për shkak të përvojave të mëparshme kam vëne re se roli i konsujve të nderit nuk është një rol honorifik, por është një rol ndonjëherë edhe për fat të mirë dhe për të fat të keq edhe më produktiv se edhe i ambasadave apo i ambasadorëve, të cilët paguhen nga shteti dhe taksapaguesit tanë.

Këtu e kam fjalën për rolin tuaj si konsuj nderi të vendeve të ndryshme në vendin tonë, vende të cilat nuk kanë ambasada apo konsullata në zonat ku ju jeni përfaqësues të tyre, por edhe të konsujve të tjerë të nderit që Shqipëria ka në shumë vende të tjera ku ne nuk kemi përfaqësi diplomatike.

Natyrisht jemi një vend modest por me ambicie të mëdha dhe me pretendime të mëdha për të rritur njohjen ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe për të rritur mbështetjen ekonomike dhe financiare për investime në vendin tonë dhe duhet t’i japim një rëndësi dhe një prioritet konsujve të nderit, edhe juve si konsuj nderi të këtyre vendeve që luajnë një rol shumë të rëndësishëm, por edhe të konsujve të nderit që Shqipëria ka jashtë në shumë vende të botës sepse në fund të fundit ky angazhim është një kontribut, i cili përballohet tërësisht nga ju dhe është një kontribut, i cili shkon në interes të diplomacisë politike dhe ekonomike të vendit në radhë të parë.

Ndaj unë e vlerësoj atë sakrificë, atë kontribut të vullnetarizmit tuaj në përmbushjen e këtyre përgjegjësive që ju keni marrë”, përfundoi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Duke vlerësuar gatishmërinë e Kreut të Kuvendit për të mirëpritur në takim Konsujt e Nderit nga e gjithë bota, kryetari i Shoqatës, Ylli Ndroqi, i cili përfaqëson shtetin e Meksikës në Tiranë tha se Shoqata do të jetë një urë e fortë lidhëse mes Shqipërisë dhe 28 shteteve që përfaqësohen me Konsuj ne Shqipëri.

Dimension primar i Shoqatës do jetë forcimi i lidhjeve të biznesit, në një mjet për të shtuar investimet në vendin tonë.

“Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta na priti për të na dhënë mbështetje përsa i përket dhe një shoqate që sapo ka nisur lëvizjen e saj. Qëllimi dhe realizimi i kësaj shoqate z. Kryetar është për të forcuar sa më shumë lidhjet e biznesit, lidhjet me prioritete kulturore apo sociale në Shqipëri, për të dhënë një kontribut me vlera shumë më të mëdha.

Ne jemi një grup i madh konsujsh, që përfaqësojnë shumë shtete evropiane dhe botërore këtu në Shqipëri dhe sigurisht kjo shoqatë do të jetë një lëvizje shumë e madhe përsa i përket marrëveshjes dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe shteteve të cilat ne përfaqësojmë. Edhe një herë faleminderit”, tha z. Ndroqi.

Edhe Dekani i Shoqatës, Konsulli i Nderit të Austrisë në Tiranë, Gjergj Liqezja, vuri theksin tek roli që do ketë Shoqata në lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit, jo vetëm në sektorin ekonomik, por edhe në turizëm, etj.

“Unë flas në emër të kolegëve të mi, për të mos thënë që shumica jemi krijim i kohës kur ju drejtonit Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe keni qenë në pozicionin e Zëvendëskryeministrit. Edhe takimi i sotëm unë besoj që është në vazhdimin e konceptit tuaj për forcimin e këtij institucioni.

Shpreh mendimin e gjithë kolegëve të mi kur them se ne si konsuj nderi jemi të bindur që në mënyrë modeste mund të kontribuojmë në forcimin e marrëdhënieve të shteteve të cilat ne përfaqësojmë me shtetin shqiptar, pjesëtar të të cilit jemi edhe ne si qytetar”, tha z. Leqejza.

Për të fiksuar këtë takim të parë, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, iu dhurua simbolika e këtij unioni të krijuar rishtazi, logoja e Shoqatës së Konsujve të Nderit në Tiranë.

Takimi miqësor vijoi për afro 30 minuta, ku kreu i Kuvendit u njoh me veprimtarinë e deritanishme të kësaj, por edhe objektivat e saj në të ardhmen.

Në unison Konsujt shprehën vendosmërinë e tyre për të dhënë kontribut maksimal në imazhin pozitiv të Shqipërisë nëpër botë, por nga ana tjetër vlerësuan se duhet bërë edhe më shumë për të përmirësuar të drejtat dhe privilegjet e tyre si Konsuj Nderi.