Gjergj Thanasi/ Socialisti rrihet nga kryetari i Këshillit të Qarkut Durrës se kërkoi t’i punësohej djali

732
Sigal

Zoti Bajram Kashta, 63 vjeç (në foto: majtas), bëri publik para medieve elektronike dhe atyre të shkruara një fakt tronditës. Ai kishte shkuar të kërkonte punë për djalin te z. Alfred Mullaraj (në foto: djathtas), aktualisht kryetar i Këshillit të Qarkut dhe kryetar i degës së PS Durrës. Z. Bajram është i martuar me tre fëmijë. Vajza e madhe, po me tre fëmijë, pas vdekjes aksidentale të bashkëshortit, banon në shtëpinë e z.Bajram. Në këtë familje nuk punon asnjë pjesëtar i familjes. Ata arrijnë të mbijetojnë vetëm me ndihmë ekonomike dhe duke shitur mallra (të marra pa likuidim nga grosistët) në trotuare jashtë tregut industrial.

Z. Kashta, banor i lagjes nr. 12 Durrës, gjatë fushatës elektorale ka qenë aktivist i PS-së dhe ka punuar në lagjen e vet për Partinë Socialiste krahas koordinatorit të zonës z. Ardit Shkurti. Në fushatë i është premtuar se do t’i punësonin një anëtar të familjes. Pas shumë përpjekjesh dhe peripecish, më 18 shkurt 2014, z. Bajram mundi të takojë z. Mullaraj dhe i kërkoi mbajtjen e premtimit për punësimin e djalit. Sipas z. Kashta, kryetari i Këshillit të Qarkut dhe kryetar i degës së PS-së, Durrës, Alfred Mullaraj, në prani të dy-tre punonjësve të qarkut, e ka goditur dy herë me grusht në fytyrë dhe e ka ofenduar. Pas bërjes publike të kësaj goditjeje, z. Bajram do të niset në Tiranë për të takuar patjetër z.Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër. Z. Bajram shprehet se ka besim të plotë se Kryetari Rama do të vërë dorë dhe do ndëshkojë fajtorin për këtë ofendim dhe goditje publike, që i bëri një burri në moshë pensioni në zyrat e shtetit (Zyrat e Këshillit të Qarkut Durrës).