Hyqmet Zane: “Shoqata Çamëria”, aktualisht është sprova e ndërkombëtarëve dhe e politikës shqiptare

543
Sigal

Harresa e të Drejtave të Njeriut, si harresë e komunitetit çam dhe gjenocidit ndaj tij

 Nga Hyqmet Zane

Hiperbolizimi i të drejtave të njeriut duket si një fasadë e bukur, por që brenda saj ka kaq shumë shkelje dhe harresa të të drejtave të vërteta të njeriut. Kam shumë arsye që e them një gjë të tillë, se “gjuha vete ku dhemb dhëmbi”, pikërisht aty ku jam edhe vetë i shkelur me këmbë nga një shtet si Greqia që ka bërë gjenocid në Çamëri dhe asnjë forum ndërkombëtar dhe aq më tepër kombëtar nuk bëhet i gjallë të thotë se si janë shkelur këto të drejta në një krahinë. Përkundër kësaj Greqia zyrtare thërret e këlthet për të drejta të pa shkelura të minoritetit grek në Shqipëri.

Erdhi dhe iku 10 Dhjetori si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut që shënohet si përkujtim i përvitshëm i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila u miratua në 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë që po vjen dhe do ikë 10 janari, si dita e formimit të Shoqatës Çamëria 29 vjet më parë dhe një nga problemet e mëdha që i kanë mbetur në derë komunitetit çam është shkelja flagrante e të drejtave të njeriut si një tejzgjatje e gjenocidit dhe si një favorizim i Greqisë që të mbetet gjithnjë një faktor potencial i shkeljes së të drejtave njerëzore, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Për komunitetin çam, kjo ditë duhet të ishte një kambanë e madhe alarmi që duhet të dëgjohej nga qeveria dhe shteti shqiptar, po aq sa edhe nga ndërkombëtarët, se shkelja flagrante të të drejtave të njeriut që i është bërë refugjatëve çamë të vitit 1944–1945 pas gjenocidit grek mbi Çamërinë, janë ende një burim për të mbrojtur të drejtat e njeriut ndërkombëtarisht. Këtë e dinë dhe e kanë parë, e njohin edhe vetë grekët, por duket se “sponsori” grek ndaj të mëdhenjve të botës, ka qenë lobingu më i mirë për të bërë harresë dhe për të mbyllur sytë. Pyes me shqetësim se si nuk ka asnjë pendesë dhe asnjë rezolutë që të japë alarmin e padrejtësive që i janë bërë një popullsie të tërë, tanimë prej mbi 300 mijë anëtarësh.

Kjo ditë…

Kjo ditë mund të konsiderohet edhe si Dita Botërore Kundër Gjenocidit si një shans për ndërgjegjësimin e opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar se, edhe pse kanë kaluar 75 vjet nga përfundimi i Luftës II Botërore. Gjithnjë duhet thënë se hija e gjenocideve antinjerëzore mbetet si një plagë e rëndë që ka lënë shenjë në trupin e një kombi ndaj të cilëve u bënë ato si në Çamëri, ashtu edhe në Kosovë nga fqinjët greko-serb.

Me durim dhe objektivitet, në një përpjekje për t’u shpjeguar të tjerëve historinë e vendit të tij, poeti polak Czeslaw Milosz e përshkroi impaktin e luftës, pushtimit dhe holokaustin gjatë Luftës II Botërore me moralitetin e zakonshëm, kur ai shprehet se “Çmenduria më e keqe, të justifikosh dhunën masive. Vrasja u bë gjë e rëndomtë gjatë kohës së luftës, – shkruan Milosz, – madje konsiderohej dhe si legjitime, në qoftë se kryhej në emër të rezistencës. Në emër të patriotizmit, djem të rinj nga familje të rregullta të klasës së mesme u bënë kriminelë të regjur, banditë, për të cilët, “vrasja e një njeriu nuk paraqiste ndonjë problem moral të madh. Edhe vjedhja u bë e rëndomtë, ashtu siç u bënë falsifikimi dhe fabrikimi”.

Ky është një realitet që ngjason si dy pika uji me gjenocidin që bënë grekët ndaj shqiptarëve të Çamërisë gjatë Luftës II Botërore, po aq sa edhe serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe, veçanërisht, në vitin 1999. Për fat të keq ky gjenocid ndaj çamëve në rrugë të tjera vazhdon edhe sot e kësaj dite. Cili shqiptar nuk mori vesh se çfarë u bë në tokën çame nga andartët, si çetnikët, nga ushtarët e Zervës, si nga paramilitarët e Arkanit dhe nga banditët me uniformë shtetërore greke në Çamëri, si ushtarët e Rankoviçit në Kosovë. Për Çamërinë e mohuar dhe të braktisur, është lumi i gjakut që rrodhi deri në det, janë varret që këlthasin si në një ferr dhe që rrëfejnë sa dëgjohet edhe lutja për pak ndihmë, janë muret e shtëpive që fotografuan masakrat e padëgjuara.

Të gjitha këto mynxyra, një komision miks i pasluftës i dëgjoi dhe vlerësoi situatën përmes dëshmive rrëqethëse të dëshmitarëve okularë që panë me sytë e tyre ç’u bë në vatrat çame. Dhe më pas ky komision heshti se grekët ose i zhdukën dëshmitarët e komisionit siç bënë me gjeneral Telinin 25 vite më parë se të bënin gjenocid më 1944, ose i paguan për ta kyçur gojën. Ishte një gjenocid që, pas 75 vjetësh e pranuan edhe akademikët grekë në Athinë, kur pohuan se “Po, në Çamëri u bë gjenocid!”. Ndoshta nuk u ka ardhur për shtat silogjeve të Vorio-Epirit, por e vërteta është e vërtetë dhe ashtu siç shprehet poeti polak Czeslaw Milosz, ndaj një popullate u bënë të pabërat, u nxor fëmija nga barku i nënës, u vra djali e vajza në sytë e nënës e babait, u dogj gruaja në sytë e burrit, u varrosën të gjallë jetët e njerëzve si në Vanër e Paramithi. Çfarë duhej bërë më shumë që të cilësohej gjenocid akti i vrasjeve masive që bënë zervistët dhe andartët, ushtarët dhe pjesa greke e popullatës që mbeti në Çamëri.

Me të drejtë Czeslaw Milosz shkruan në lidhje me atë që u bë në Poloni, si nga gjermanët, ashtu edhe nga rusët se “Dhuna masive, mund të shkatërronte ndenjën e drejtësisë natyrore të njeriut”. Realisht tek grekët kjo ndjenjë antishqiptare ekziston si një shqisë e tetë që rritet e rritet edhe në barkun e nënës greke për ta lënë si një trashëgim gjenetik.

Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut dhe Kundër Gjenocidit dhe dhunës njerëzore duhet të ishte një alarm që të dëgjohet se ajo përsëritet, nëse harrohet. Format dhe metodat, përmbajtja dhe qëllimi i gjenocideve që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve kanë qenë të shtrira në kohë dhe

në hapësirë, kanë qenë të shumëllojshme si në eksperimente me kavie, aq thua se nuk ka ekzistuar nocioni për qenien njerëzore si qenie e mbrujtur nga Zoti që merr hak ndaj shkelësve të parimeve të tij qiellore dhe të mbinatyrshme. Edhe formimi i Shoqatës Çamëria, më 10 janar 1991, ndër të tjera, është si një kërkesë legjitime për drejtësi. Për këtë flasim dhe dëshmojmë se në Çamëri është bërë gjenocid dhe vazhdojnë të shkelen të drejtat e njeriut në mënyrë hipokrite dhe OKB që e ka cilësuar të tillë, hesht për turpin e saj? Këtë më mirë do të dëshiroja ta thoshte një evropian në Tiranë, se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë jo dhe aq të mira në realitet, por gjithnjë kërkohet të thuhet se “kemi marrëdhënie të shkëlqyera”, kur ato s’kanë qenë kurrë të tilla.

Nëse para 10 vjetësh Tahir Muhedini si ish-kryetar i PDI në atë kohë në këtë ditë trokiti në dyert e kongresmenëve dhe senatorëve amerikanë për të bërë lobingun e radhës për Çamërinë, ai është ndoshta i vetmi akt që meriton të vlerësohet për kurajën civile dhe morale, për iniciativën njerëzore dhe politike që ai ndërmori për të bërë një vepër tipike si ajo e Rugovës për Kosovën për të ndërgjegjësuar opinionin amerikan ekskluzivisht për atë që ata e dinë, por që kërkojnë ta marrin vesh se çfarë është bërë në Çamëri, Thesprotinë në Greqinë Perëndimore nga bandat shtetërore greke në mbarim të Luftës II Botërore. Janë dëshmitarët e gjallë në Shqipëri, janë shtëpitë e mbetura rrëmi, janë ish-përfaqësuesit e UNRRA-s që dhanë ndihma ndaj popullatës në atë kohë që ndihmuan edhe babain tim që kthehej nga internimi në Dakao që të gjente familjen, por që nuk u lejua të shkonte në Filat, se ndjenja antishqiptare ishte e ngjizur në shpirtin e grekut dhe që çuditërisht justifikohet me atë të bashkëpunimit me nazistët. Po im atë, që ishte antifashist dhe i internuar në kampet e holokaustit antinjerëzor, po ata të tjerë si im atë dhe shumë e shumë luftëtarë çamë që u radhitën në formacionet mikse greke, përse u përzunë dhe nuk u lejuan të shkojnë në shtëpitë e tyre? Atëherë është fare e qartë filozofia e shfarosjes së një popullate të pafajshme dhe të paarmatosur që ishte autoktone në trojet e veta dhe që qeveria greke kishte dhënë urdhër që të ushtronte të drejtën shoviniste për të kryer gjenocid përmes andartëve, zervistëve dhe ushtrisë mbretërore.

 

Nuk ka lumë që të lajë gjakun e tharë në tokën çame

Nuk ka lumë që të lajë gjakun e tharë në tokën çame, nuk ka arshivë që ta stivosë atë masakër njerëzore dhe nuk do të ketë Nuremberg që të dënojë krimet greke. Për mua si pjesëtar i asaj popullate, por edhe për rreth 300 mijë çamët në Shqipëri dhe mijëra të tjerë që ndodhen në të gjithë botën, vetëm shteti amerikan mund të bëjë derman, siç thuhet në gjuhën e popullit. Këtë bindje e kam unë, e kishte im atë, e kanë të gjithë burrat e gratë çame, pra dhe përfaqësuesi Tahir Muhedini troket në Departamentin e Shtetit, se ai është vendi i lirisë dhe i respektimit të të drejtave të njeriut dhe dënimit të gjenocideve dhe terrorizmit botëror. “Prisni dhe shpresoni” është ndoshta postulati më i pranueshëm që rrjedh nga besimi shqiptar tek SHBA.

Po sot pas 75 vjetësh gjenocid, pas 29 vjetësh të krijimit të Shoqatës “Çamëria” heshtin edhe ata që pretendojnë se kanë shumë merita për çështjen çame, se ato merita i kanë vënë si dekorata përfitimesh dhe jo si mision për kauzën e Çamërisë. Fakti që nuk kujtohet, që harrohet dhe që nuk flitet ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut të popullatës çame, kjo hapur flet për fasada dhe rënie në gjumin e mohimit të të vërtetave.