Historiani, Shaban Gjura:Librazhdi me historinë e tij 50-vjeçare

6026
Sigal

Historiani, Shaban Gjura jep fakte interesante mbi emrin, zhvillimin si qendër banimi dhe dëshmitë e zbulimeve arkeologjike

Çdo qytet ka historinë e tij. Disa qytete janë të vjetër, mijëravjeçarë, aq sa nuk u dihet as data e themelimit të tyre, kurse disa qytete janë shumë të rinj. Qytetet e rinj, ndryshe nga ata të vjetrit, e kanë privilegjin e të pasurit të datës së lindjes, apo të themelimit të tyre. Një nga qytetet më të rinj të Shqipërisë, i cili është themeluar 50 vjet më parë, është qyteti i Librazhdit. Ai u shpall qytet më 18 shkurt të vitit 1960, me Dekretin Nr. 3060, të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, i cili e deklaroi atë: “Qyteti i Librazhdit” (Gazeta zyrtare, Tiranë, shkurt 1960).

Historiani, Shaban Gjura

Sipas tij, Librazhd do të thotë “Porta e Hapur” emër i përdorur që në antikitet. Pra përdorej para se të ndërtohej “Via Egnatia” Shek-II-të Para Krishtit. Një qendër e vogël që shërbente si lidhje midis lindjes dhe perëndimit. Në vitin 1476 në regjistrat kadastrale turke përdoret si toponim Librazhd, “Alnanak 1” Librazhdit. Pra meqenëse Librazhdi ndodhej në krahun e djathtë të luginës së Shkumbinit dhe ka qenë si pikë kontakti në rrugën Egnatia, kjo qendër antike për 2000 vjet ka marrë tiparet e një qendre qytetare. Ndërkohë, për tempullin e Djanës – vazhdon më tej Gjura- se sipas albanologut Karl Porsh, në një punim shkencor Ilirët i vitit 2004 i ka kushtuar shumë vëmendje rrugës Egnatia, brenda hapësirës gjeografike  26-30 km përmend fshatin Babi si qendër antike, ku sot është Babja. Sipas tij, gjen vendndodhjen e tempullit të Djanës, perandorisë së pyllit.

Historia e qytetit të Librazhdit

Historia e themelimit të Librazhdit (si qendër banimi) zë fill qysh në vitin 1929, atë vit kur u bë zhvendosja e trasesë së rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan-Korçë buzë luginës së lumit të Shkumbinit. Traseja e vjetër pati kaluar nëpër shpatet e Malit të Polisit, në gjurmë të rrugës së hershme “Egnatia”. Pranë rrugës së re dhe buzë lumit të Shkumbinit u ngrit qendra e re administrative e nënprefekturës së Librazhdit. Veç zyrave të nënprefekturës dhe të postë-telegrafës, në Librazhd u ndërtuan dyqanet e shitblerjes, kafene dhe hane. Më e njohur ka qenë “Kafja e Llaz Popës”, që konsiderohet si themelues i Librazhdit. Gjatë ndërtimit të qytetit të Librazhdit janë shkatërruar ose mbuluar disa ura të vjetra antike, Ndërtimi i qytetit bëri që ato të mbuloheshin një nga urat ka qenë tek selia e PD-së, një tjetër tek ish-degës Ushtarake, si dhe një urë tjetër në dalje të Librazhdit rrugës për në Përrenjas. Pas Luftës së Dytë Botërore Librazhdi u bë qendër rrethi. Aty u vendosën zyrat e administratës partiake e shtetërore dhe institucionet social-kulturore, si spitali, shtëpia e lindjes, shtëpia e kulturës, biblioteka, kinemaja, shërbimet sociale, punishte ushqimore etj.. Për banorët e rinj të Librazhdit u ndërtuan pallate banimi dhe e gjithë infrastruktura e nevojshme. Gjatë viteve ’60 qyteti i Librazhdit mori një zhvillim urbanistik të veçantë, duke bërë që të spikatet nga qytetet e tjerë të Shqipërisë. U ndërtuan pallate të reja shumëkatëshe, u krijua qendra e re e qytetit, u ndërtuan shëtitorja (bulevardi), trotuaret ndanë tij, u mbollën pemë dekorative, u krijuan lulishte, parqe etj., duke i dhënë qytetit një pamje të hijshme e të veçantë. Deri në vitet ’80, të shekullit të kaluar në qytetin e Librazhdit, krahas institucioneve të ndryshme administrative, industriale, arsimore etj., numëroheshin edhe disa institucione kulturore si Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Biblioteka e qytetit, Shtëpia e kulturës, Muzeu Historik dhe Etnografik, Galeria e arteve figurative, kinemaja etj. Në vitin 1986 Librazhdi kishte 3379 banorë, por pas viteve ’90, për shkak të lëvizjes të lirë të popullsisë, qyteti i Librazhdit u popullua me banorë të ardhur nga fshatrat e rrethit. Sot qyteti numëron mbi 15 mijë banorë. Ndonëse historia e qytetit të Librazhdit është e re, trevat e tij kanë një histori të lashtë. Ato, duke u ndodhur midis dy trevave të mëdha të Shqipërisë, Gegërisë dhe Toskërisë, krahas tipareve të përbashkëta me treva të tjera të vendit, ato kanë ruajtur edhe dallime në aspektin gjuhësor, folklorik dhe etnografik. Sipas arkeologut Avni Alcani në shkrimet e tij thekson se: Gjurmët më të hershme të banimit në rrethin e Librazhdit janë ato të periudhës së Gurit të Vjetër (Paleoliti). Materialet arkeologjike të periudhave të Gurit të Mesëm (Mexoliti), Gurit të Ri (Neoliti), bronzit, hekurit etj., japin të dhëna të rëndësishme të jetës ekonomike dhe shoqërore, si për gjuetinë, bujqësinë, blegtorinë, punimin e enëve prej balte, besimet etj. Sipas autorëve antikë, viset që shtriheshin në rrjedhës e sipërme të lumit Shkumbin, aty ku ndodhen trevat e Librazhdit të sotëm, quhej Kandavia, kurse banorët quheshin kandavë. Perëndia që kandavët besonin më shumë dhe që i kishin kushtuar edhe një tempull ishte Diana, perëndesha e pyjeve dhe e gjuetisë. Një fragment i këtij tempulli është zbuluar në vitin 1916 nga arkeologu austriak Prashniker . Kandavët organizonin festa kushtuar perëndeshës së tyre, Dianës (Zanës). Çdo pranverë ata festonin ditën e ripërtëritjes së natyrës, duke krijuan kultin e festës së Ditës së Verës, festë e cila është trashëgua deri në ditët e sotme. Gjatë sundimit romak, nga shek. II para Kr. deri në shek. IV pas Kr., romakët treguan interes për Rrugën e Kandavisë. Ata e zgjeruan dhe e zgjatuan atë më tej dhe rruga e re mori emrin: “Via Egnatia”. Në mesjetë trevat e Librazhdit u quajtën Aranitia (Aranitid). Ato ishin nën zotërimin e aranitëve, një nga familjet më të vjetra fisnike të Shqipërisë Qendrore. Aranitët kishin emblemën e familjes së tyre, e cila ishte në formën e një shqyti dhe brenda saj ishte vizatuar shqiponja me dy krerë me ngjyrë të artë në fushë blu. Gjatë shek XIX dhe fillimi i shek. XX lufta për çlirim dhe zhvillim kombëtar në trevat e Librazhdit mori përmasa të mëdha.

Ngjarjet historike

Librazhdasit morën pjesë në ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Delegat në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i trevave të Librazhdit dhe Pogradecit, ishte Hajdar Blloshmi nga Bërzeshta. Në kongresin e Lushnjës, si përfaqësues i trevat e Pogradecit dhe Librazhdit, ishte Shaban Blloshmi, i cili shkoi në Lushnjë i shoqëruar nga çeta e tij, për të siguruar zhvillimin normal të punimeve të Kongresit. Më 7 prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Të rinj antifashistë, si komunistët Kadri Hoxha, Sami Leka etj., dhe nacionalistët Haki Blloshmi, Nezir Muzhaqi, Hazis Biçaku etj., organizuan në zonat e Çermenikës, Bërzeshtës, Polisit etj., kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve italianë. Të dyja palët, partizanë dhe ballistë, bënë marrëveshje që të bashkërendonin luftimet e tyre kundër armikut të përbashkët, fashistëve italianë, por të dyja palët, në absurditet të plotë, i kthyen armët kundër njëri-tjetrit. Në vazhdën e goditjes së kundërshtarëve politikë, në vitet ’70 u ndërmor një fushatë e egër spastrimesh në radhët e intelektualëve. Në vitin 1973 arrestuan dhe e dënuan me burgim Gani Skurën nga Pishkashi, i cili kërkonte mbrojtjen nga ana e shtetit shqiptar të interesave kombëtare, të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë kufijve shtetërorë. Në vitin 1976 u arrestuan dhe, me akuza të trilluara, u dënuan me pushkatim më 17 korrik 1977 mësuesit-poetë Genc Leka e Vilson Blloshmi nga Bërzeshta. Gjithçka u përgatit në fshehtësi inkuzicionale në komitetin e partisë të Librazhdit.

Talentet

Në vitet ’60 dhe ’70 kishte shpërthyer talenti i jashtëzakonshëm i dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që diktatura i preu në mes, duke i vrarë barbarisht. Artistë vendas, si Sadi Halili (koreograf), Muhamet Muça (aktor-regjisor), Sabri Cani (regjisor), Çlirim Çollaku (piktor), Sami Roçi (piktor), Arif Lushi (piktor), Rajmonda Mato (piktore), Rakipe Karai (këngëtare lirike-soprano), Hatixhe Lushi (këngëtare lirike-mexosoprano), Julian Muçollari (skulptor), Besnik Haxhillari (piktor), Gëzim Hidri (skluptor i shqiponjës së pavarësisë), Bujar Alliu (muzikant-dirigjent) dhe një numër i madh gazetarësh që punojnë në mediat shqiptare etj..

Drejtuesit e bashkisë

Sot qyteti i Librazhdit bën pjesë në Qarkun e Elbasanit dhe ka N/prefekturën e tij. Është Bashki. Kryetarët që kanë drejtuar Bashkinë pas viteve 1990 janë Flori Alla, Hyqmet Shalja, Fatos Zharri, Shaqir Kuka, Kastriot Begaj dhe sot në detyrë Shefki Çota.

Rilindësit

Fshati Bërzeshtë ka qenë qendra më e rëndësishme e lëvizjes patriotike në anët e Librazhdit. Rilindësit më të dëgjuar ishin prof. Ibrahim Lutfi Pasha (Bërzeshta) dhe Halit Bej Bërzeshta. Dr. Ibrahim Lutfi Pasha ishte anëtarë i Shoqërisë i të Shtypurit Shkronja Shqipe, që themeloi alfabetin e gjuhës shqipe, i cili njihet si Alfabeti i Stambollit. Atdhetarët librazhdas, si Hajdar Blloshmi, Selman Blloshmi, Abaz Xhurai, Beg (Beqir) Balla etj., ndihmuan për ndërgjegjësimin kombëtar të popullsive të krahinave të tyre dhe për hapjen e shkollave shqipe.