Hetimi i trafikut të drogës, frikë në kupolën e policisë

674
Drejtuesit e qarqeve ku mbillej kanabisi dhe atyre kufitare me Italinë e Greqinë, në fokusin e prokurorëve. Në dosje edhe krerët e uniformave blu
Hetimet e prokurorisë për prodhimin dhe trafikimin e drogës kanë shkaktuar deri më tani një tërmet politik. Në qendër të tij është vënë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndërsa organet e hetimit kanë deklaruar se ka edhe persona të tjerë, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar trafikantët. Sipas burimeve, ish-kupola e policisë në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Tahiri është pothuajse tërësisht në hetim për lejimin e mbjelljes së kanabisit në të gjithë vendin. Fusha dhe sipërfaqe të tëra në shumë qarqe të vendit lulëzuan veçanërisht në tre vitet e fundit, ndërsa nga Italia e Greqia vazhdojnë të vijnë sinjale alarmi për sasitë kolosale të kanabisit që kalojnë kufirin. Për rrjedhojë, drejtues të policisë në qarqe dhe disa prej tyre në stafin udhëheqës së Policisë së Shtetit ndodhen tashmë në fokusin e prokurorisë për të verifikuar përgjegjësinë apo përfshirjen e tyre në mbjelljen dhe trafikimin e drogës. Përgjimet nga Italia vërtetojnë se implikimi i strukturave të policisë dhe bashkëpunimi i tyre me trafikantët ka ndihmuar në zgjerimin e një aktiviteti kriminal të shtrirë në disa vite. Sipas burimeve, në fokus të prokurorëve ndodhen kryepolicët në qarqet ku mbjellja e hashashit ka qenë edhe në përmasa më të mëdha, ndërsa janë përfshirë në hetim pothuajse të gjithë drejtuesit e qarqeve kufitare, me dyshimin se kanë lejuar apo lehtësuar trafikimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë dhe Greqisë. Presioni nga këto dy vende për qeverinë shqiptare vazhdon të jetë i madh, pasi Italia dhe Greqia mbeten destinacionet e para të mbërritjes së drogës që eksportohet, duke sjellë shumë probleme me shtimin e kriminalitetit. Vetëm dy ditë më parë, një ndër prokurorët e rëndësishëm të antimafias italiane deklaroi se sasitë e mëdha të drogave të lehta që vinin nga Shqipëria ishin mjaft shqetësuese dhe shkaktare të një masakre mes grupeve rivale pak javë më parë. 

Në përgjimet e realizuara nga autoritetet italiane, që çuan edhe në arrestimin e pjesëtarëve të grupit “Habilaj”, rezulton se shkalla e përfshirjes së policisë në trafikun e lëndëve narkotike ishte mjaft e lartë. Sipas medieve, që i referohen dosjes sekrete të mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, grupi kriminal i Moisi Habilajt ka dërguar në brigjet italiane nga vitit 2013-2017 rreth 30 tonë drogë kanabis sativa. Gjatë bisedave të përgjuara nga Antimafia, anëtarë të këtij grupi shqetësohen për të siguruar mjete të shpejta lundruese me tre motorë, që konsiderohen edhe si gomone oqeanike. Në dosje mësohet se ndodhet edhe informacioni se gjatë vitit 2014-2015, grupi i Habilajve ka dërguar në Itali ngarkesa me drogë edhe në rrugë ajrore, konkretisht nga zona e Akërnisë, në Vlorë. Për këtë aktivitet kriminal, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me homologët e Katanias, të cilët kanë kryer përgjimet edhe në territorin shqiptar, ka kërkuar prangosjen e deputetit Saimir Tahiri. Emri i ish-ministrit të Brendshëm ka dalë gjatë bisedave të anëtarëve të grupit.
Sigal