Gjykata urdhëron KLP-në të emërojë prokuror bashkëshortin e deputetes Ermonela Felaj

526
Sigal

Gjykata Administrative ka urdhëruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë që të emërojë prokuror bashkëshortin e ish-ministres Ermonela Felaj, Bledar Valikaj. Ky i fundit u refuzua të emërohej prokuror, në vitin 2015 nga presidenti në atë kohë, Bujar Nishani, i cili rrëzoi “me heshtje” propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ish-presidenti Nishani kishte argumentuar, se Bledar Valikaj nuk kishte përfunduar shkollën e magjistraturës. Por ky i fundit ngriti padi ndaj Nishanit në Gjykatën Administrative. Në padinë e tij ai kërkonte “Konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ të President të Republikës; detyrimin e Presidentit te Republikës për të marrë në shqyrtim propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin “prokuror” të kandidaturës së Bledar Valikaj. Detyrimin për t’u shprehur në lidhje me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin, prokuror të kandidaturës të Bledar Valikaj”. Në maj të 2016-ës, Gjykata Administrative pranoi kërkesën e plotë të paditësit Bledar Valikaj. Më pas ai iu drejtua sërish Gjykatës Administrative të Apelit ku kërkoi saktësimin e vendimit të shkallës së parë dhe më konkretisht, kërkoi “Detyrimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të bëjë emërimin si prokuror të paditësit Bledar Valikaj”. Tashmë Gjykata Administrative e Apelit e pranon edhe këtë kërkesë të bashkëshortit të deputetes Felaj, duke detyruar KLP-në që ta emërojë prokuror. Por me reformën e re të drejtësisë, Kushtetuta parashikon që prokurorë mund të emërohen vetëm studentët që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Tashmë, pritet përgjigjja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.