Gjykata ‘urdhër’ bizneseve: Pajisuni me kamera të cilësisë së lartë ose gjobiteni!

53
Të gjitha bizneset dhe objektet private e publike do të pajisen me kamera të cilësisë së lartë.
Është ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese marrë sot duke lënë kështu në fuqi ligjin për “masat shtesë të sigurisë publike”, i cili ishte kundërshtuar nga shoqata e tregtarëve.
Vendimi i Kushtetueses ka qenë unanim, duke rrëzuar kërkesën e depozituar nga përfaqësues të biznesit, të cilët e quajtën antikushtetues detyrimin për të vendosur kamera sigurie me pamje video me cilësi të lartë dhe për t’i vendosur në dispozicion të drejtësisë në çdo rast pamjet. Sipas tyre me kamerat do të cenohej të drejtat e njeriut si dhe privatësia, ndërsa gjykata ka argumentuar se pamjet do të ndihmojnë në çdo rast organet përgjegjëse dhe policisë në zbardhjen e krimeve.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Shoqatat e Tregtarëve i thanë gjykatës se kamerat e vendosura me detyrim kudo “cenonin të drejtat e njeriut dhe privatësinë”, ndërsa hartuesit e ligjit thanë se “qëllimi i vendosjes së kamerave me cilësi të lartë filmimi do të ndihmojë policinë dhe organet e tjera në zbardhjen e krimeve dhe rriten e sigurisë në vend”.
Edhe gjatë shqyrtimit parlamentar pati diskutime të forta për këtë çështje, ndërsa presidenti Nishani e ktheu për rishqyrtim në Kuvend, por Gjykata Kushtetuese nuk ka lënë më asnjë dyshim: kamerat do të vendosen kudo që ka grumbullim njerëzish.
Gjoba deri në 100 mijë lekë për kamerat
Pas hyrjes në fuqi tani çdo biznes i parashikuar në ligj është i detyruar në instalimin e këtyre kamerave. Në të kundërt ligji parashikon gjoba të cilat variojnë nga 5 mijë deri në 100 mijë lekë.