Gjykata kërkon hetimin e drejtores së QSUT-së

47

Prokuroria është urdhëruar nga Gjykata e Tiranës të rifillojë hetimet ndaj Ogerta Manastirliut, drejtore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Manastirliu ishte kallëzuar në prokurori nga E.M., inxhinier, për akuzën e “shkatërrimit të pronës”. Bëhej fjalë për një pronë që E.M. kishte fituar përmes ankandit dhe shërbente si njësi për tregtimin e librave, e ndodhur në Rrugën e Dibrës “Libraria Shkollore”, – QSUT – “Nënë Tereza”. Në shtator 2013, sipas kallëzuesit, me urdhër të drejtoreshës së QSUT-së, kjo pasuri është shkatërruar plotësisht, çka ai pretendon se i ka sjellë një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Në këto rrethana, E.M. është ndjerë jo vetëm i dëmtuar ekonomikisht, por edhe i dhunuar e i pambrojtur ligjërisht, ndaj ka vendosur të ndjekë rrugën ligjore, duke kallëzuar në prokurori titullarin e QSUT-së. Prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit, duke arsyetuar midis të tjerave se në rastin në fjalë, nuk konstatohen elementë të veprës penale të pretenduar në kallëzim, konkretisht të “shkatërrimit të pronës”. Duke i konsideruar të paplota këto hetime, Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e E.M. dhe ka shfuqizuar vendimin e prokurorisë, duke urdhëruar rinisjen e hetimeve ndaj drejtoreshës së QSUT-së.

Prishja e godinave

Prishja e kioskave në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ishte një nga veprimet e para që u ndërmor nga qeveria “Rama” në sektorin shëndetësor. Gjithçka u pasua nga një aksion disaditor për të hequr të gjitha këto “subjekte”, të cilat kishin zaptuar hapësirat publike të qendrës terciare më të madhe në vend, ndërkohë që hapësirat e liruara u rehabilituan e u gjelbëruan. Aksioni nuk kurseu edhe ata tregtarë që kishin një kontratë të nënshkruar me drejtorinë spitalore, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi në atë kohë se, “lirimi i hapësirave në QSUT u bë në kuadër të masterplanit, i cili deri më tani nuk është vënë në zbatim”.