Gjykata e Lartë: Çështja Ndoka-Ndreu nuk duhet të kishte filluar, gjykohen nga Kuvendi

549
Lidhur me vendimin e marrë sot për mbylljen e çështjes së deputetëve të maxhorancës Pjerin Ndreu dhe Arben Ndokës, ka reaguar edhe Gjykata e Lartë duke e arsyetuar atë. Në reagimin e saj Gjykata e Lartë shprehet se çështja nuk duhet të fillonte për shkak se nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor penal, pasi shkelje të tilla gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi.
“Në mbështetje të paragrafit të parë të nenit 387 të Kodit të Procedurës Penale, çështja nuk duhet të fillonte për shkak se nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor penal. Përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve fyese, si edhe kryerja e veprimeve të tjera faktike a të dhunshme nga ana e deputetëve, të cilat cenojnë veprimtarinë normale dhe autoritetin e Kuvendit, personin dhe dinjitetin e deputetit, etj., të kryera gjatë veprimtarive parlamentare dhe/ose brenda ambienteve të Kuvendit ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij, përbëjnë tejkalime të lirisë parlamentare, shkelje të cilat gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi. Si të tilla, sjelljet e deputetëve me fjalë, gjeste apo veprime fizike a të dhunshme, që pengojnë a cenojnë autoritetin e Kuvendit, dinjitetin dhe personin e deputetit, nëse nuk kanë sjellë pasoja të tjera të rënda sipas ligjit, i nënshtrohen procedurave ekskluzive të hetimit dhe gjykimit disiplinor, si edhe të sanksioneve disiplinore nga vetë strukturat e pushtetit legjislativ, pra nga Kuvendi.
Kështu, nuk mund të ketë procedim dhe ndëshkim të të njëjtit subjekt dhe për të njëjtin fakt, nga organet e procedimit disiplinor të Kuvendit si shkelje disiplinore dhe nga organet e ndjekjes penale dhe gjykata penale, si vepër penale. Ky qëndrim, bazohet në parimet kushtetuese dhe dispozitat kushtetuese për ndarjen e pushteteve. Të njëjtat parashikime parimore dhe normative, si edhe të njëjtat qëndrime mbahet në raste të tilla, sikurse ai objekt i këtij gjykimi, nga Kushtetutat, legjislacionit, praktikat parlamentare, praktikat gjyqësore kushtetuese dhe praktikat gjyqësore penale në të gjitha vendet perëndimore, si edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (të cilat do të citohen konkretisht dhe hollësisht në vendimin e arsyetuar që do të depozitohet në një kohë të shkurtër”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.
Sigal