Gjovalin Gjeloshi/ Lezha, qyteti që po mbytet nën ujë, harxhohen miliarda për investime luksi

637
Sigal

Katastrofa të paralajmëruara. Projektet janë financuar, por investimet janë përgjysmë. Nuk dihen ku përfundojnë milionat

 Tashmë ka vite që, besoj se nuk përbën më “lajm” se “u përmbyt Lezha”. Këtë herë nuk e kam fjalën për fushat e mbjella e shumë banesa nëpër  fshatrat e të gjithë rrethit, që ato “shtrihen” nën ujë edhe me pak mm shi, por për vetë qytetin e Lezhës. Nga ana tjetër, nuk është lajm për shtypin as fakti që, në Lezhë apo Shkodër “ranë shira të stuhishme e të rrëmbyeshme”, sepse periodiciteti i këtyre shirave është mjaft i shtuar në vitet e fundit. Dhe nuk mund të thotë askush: asnjë qeveritar vendor a në qeverinë qendrore, apo deri edhe vetë banorët, se ky intensitet reshjesh ishte i paparashikueshëm dhe dëmet që shkaktohen, të papritura. Më vjen keq që këtë shkrim nuk po ua kushtoj përmbytjeve në bujqësi, dëmeve kolosale në të gjitha fushat: nga Torovica e begatë në Zadrimën pjellore, nga Kakarriqi e deri në fshatrat e Bregut të Matit, të Manatisë, Ishull Lezhë e Shëngjin. Arsyeja është se, nuk do të thosha asgjë të re, as unë duke e sjellë këtë fakt të njohur  para lexuesit. Këtë radhë do të mbetemi vetëm brenda “mureve” të qytetit: Në mbasditen e para 2-3 ditëve nxënësit e shumë shkollave, si të mesme ashtu edhe 9-vjeçare të qytetit, u rrethuan nga ujërat dhe nuk shkonin dot në shtëpi pas mbarimit të mësimit. Ndërsa të nesërmen, edhe pse reshjet ishin ndërprerë, u shtua numri i shkollave, nxënësit e mësuesit e të cilave nuk mund futeshin në klasa për të zhvilluar mësimin. Të gjitha rrugët e rrugicat e qytetit gjendeshin në ujë. Uji “vizitoi” e qëndroi si mysafirë në shumë kate të para jo vetëm të shkollave, por edhe të banesave të qytetarëve apo njësitë tregtare e të shërbimeve. Ndërkohë edhe dy ditë më vonë, (edhe pse nuk kishte më shira), shumë rrugë kryesore të qytetit tashmë ishin kthyer në rrugë parcelash të fshatrave të mbuluara me lymë e baltë. (Nuk është vendi të flasim as për mungesën e gjatë të ujit të pijshëm apo të energjisë elektrike. Këto dy avari nuk kanë lidhje me problemin që do të diskutojmë). Ndërkohë që me këto probleme përballeshin kryesisht banorët e lagjes më të madhe të qytetit, asaj të “Besëlidhjes”, që është tashmë edhe qendra e re e qytetit, të shtuar e të ndërtuar nga e para, disa dhjetëra metra më në veri të kësaj lagjeje, aty ku është i vetmi shesh i qytetit dhe njëkohësisht qendra administrative e tij: ekskavatorë, buldozerë e mjete të tjera të rënda, rrënojnë e gërmojnë prej ditësh shtresën e re të asfalteve e betoneve, lulishteve të përtërira kohët e fundit dhe atë të kalldrëmeve të vjetra. Çfarë po ndodh? Në kuadrin e “Rilindjes së qendrave të disa qyteteve”, një projekt i fuqishëm me një financim, përmasat e të cilit nuk janë parë pothuaj asnjëherë në Lezhë, ka filluar të zbatohet. Fondi i zhvillimit të rajoneve ka akorduar një shumë afërsisht prej 2 miliardë lekësh për të rindërtuar edhe një herë një shesh, i cili nuk ka veçse pak vite që pati marrë një formë të re e për të nuk ka pati kurrfarë ankesash apo kërkesash të qytetarëve që u shërben. Një investim, që edhe po të ishte privat e të viheshin në punë para droge, nuk do të bëhej pa investuar më parë në objekte jetësore të shërbimeve të familjarëve. Edhe po të kesh para “me i shkelë me këmbë” si thotë populli, nuk prish një objekt të mirë, për të ndërtuar një “shumë të mirë”, vetëm në rast se nuk ke, ku të investosh tjetër, i ke mbyllur të gjitha “vrimat” e çatisë dhe dhënë fund të gjithë problemeve që ka familja, (gjegjësisht qyteti yt, bashkia). Një investim edhe me vlerë 10 apo 20 e 30 herë më të vogël, ka disa kritere të shkruara e të pashkruara; d.m.th ligjore e morale se ku e kujt do t’i bëhet. Janë ato që ne i quajmë “prioritete në investime”, pra radha, ta themi më shqip, nevoja. Kujt i shërben dhe sa (numrit të popullatës). Duhet të kesh përfunduar gjithë çfarë i duhet një qyteti në mënyrë perfekte: kanalizimet e ujërave të bardha (që Lezha përmbytet si të ishte një kënetë), ato të zezat (që kanë probleme), rrugë e rrugica të asfaltuara (që zbathen e gropëzohen çdo ditë), lulishte (që ka për vit e më pak), shkolla e kopështe (janë për t’u qarë hallin godina e shkollës së mesme profesionale që ka muaj e nuk vazhdojnë punimet për rikonstruksionin e saj, godina e ish gjimnazit apo shkolla 9-vjeçare “Gjergj Fishta”). Duhet të mos kesh asnjë problem me poliklinikat e ambulancat, me objektet kulturore si pallati i Kulturës apo biblioteka e vendparkimin e automjeteve (që Lezha e vuan jashtëzakonisht mungesën e tij). Vetëm atëherë mund të marrësh në dorë për së dyti investimet që i ke bërë një herë. Ka sa të duash të rreshtosh se ç’halle ka një familje e madhe, bashkësia jonë, vendi ynë. Ato nuk bëhen në një ditë, se para së gjithash nuk ka lekë për të gjitha, por ndryshon puna kur i kemi dhe i shpenzojmë kësisoj. Aq më tepër kur bëhet fjalë për investime të këtyre shumave marramendëse.

“Shit çka të dhimbet e blej çka të duhet”, thotë një fjalë e urtë. Kjo sentencë vjen prej kohëve kur njerëzit nuk e kishin buxhetin që u duhej për çdo nevojë. Po sot, a thua jemi të pasur kaq shumë sa të shpenzojmë pa kriter në objekte të panevojshme. Të harxhosh, të derdhësh lek “me okë” në këtë mënyrë, në një bashkësi e vend të varfër si yni, thjesht bëhet për të treguar se, “Çka bën i forti, çuditet i ligu”. Investime “të urdhëruara” në sheshet e rregulluara të qyteteve, janë investime alogjike prej një shpërdoruesi të paskrupullt të parasë. Por edhe po të duam të rregullojmë vërtet një “qendër të qytetit”, në Lezhë ka kohë që qendra e vjetër nuk është më funksionale për banorët e sajë. Ajo është tkurrur vetëm në një qendër administrative e shesh takimesh elektorale. Qendra e vërtet e qytetit është kompleksi i shkollave 9-vjeçare e të mesme, rrjeti i shërbimeve tregtare, shërbimeve ambulatore-spitalore, shërbimeve fetare etj., këto tashmë të spostuara disa qindra metra prej aty.

Ndoshta do të vijë dita që ky shesh që po prishet për t’u rregulluar prapë, do të gërmohet përsëri për një qëllim akoma më fisnik: për pasurinë arkeologjike. E për rrjedhojë miliardat e sotme nuk do të vlejnë as për këtë rregullim. E aty nuk mund të rrijë në këmbë as vet godina e bashkisë. Nesër ndoshta do të vijë dita që Lezha “shumë e vjetër” të ndahet një herë e mirë nga Lezha “e re dhe shumë e re”. (Duhet ta dijë lexuesi se Lezha “e vjetër”, u dëmtua rëndë nga tërmeti i 15 prillit 1979). Kjo nuk duhet të neglizhohet as sot, kur fadromat e ekskavatorët gërmojnë një pëllëmbë larg mureve të Lezhës 2400- vjeçare, tashmë të zbuluara. Duke gjykuar kështu, edhe sheshin administrativ të sotmin, duhet ta kishim menduar diku afër qendrës së re të qytetit e aty të bënim investimet e nevojshme. Fatkeqësisht ne nuk jemi “Zvicër” në shumë pikëpamje. Por për sot do të përmend vetëm njërën: referendumin e bashkësisë edhe për investime prej disa dhjetëra mijë frangash. Ata vendosin. Nuk vendosë një këshillë me këshilltarë pikë-pikë prej njëzetë partive me vota të blera, as edhe kryetari i bashkësisë. Sa vota do të merrte ky investim, nga më shumë se 20 mijë votues që ka bashkia?! Kjo përgjigje nuk më takon mua. Është për lexuesin.

I dashur popull! Përpara 25 vitesh sigurimi i shtetit arrestonte njerëz të pafajshëm në emrin tënd, edhe në 12 të natës kur t’i flije. Sot, po në emrin tënd harxhohen miliarda, kur t’i prapë je në gjumë.

SOM 1

“Në kuadrin e “Rilindjes së qendrave të disa qyteteve”, një projekt i fuqishëm me një financim, përmasat e të cilit nuk janë parë pothuaj asnjëherë në Lezhë, ka filluar të zbatohet. I dashur popull! Përpara 25 vitesh Sigurimi i Shtetit arrestonte njerëz të pafajshëm në emrin tënd, edhe në 12 të natës kur ti flije. Sot, po në emrin tënd harxhohen miliarda, kur ti prapë je në gjumë”