Gjikë Pasterma:”Të pastrehët e Durrësit kërkojnë strehim politik në BE”

184

EKSKLUZIVE/ Sekretari i shoqatës, Gjikë Pasterma: “Janë 800 familje pa shtëpi. I kemi dërguar letër institucioneve ndërkombëtare”

Në kohën kur Shqipëria do t’u ofrojë strehim 210 Muxhahedinëve iranian, të pastrehët e Durrësit do të kërkojnë strehim politik, në vendet e Bashkimit Europian. Janë rreth 800 shtetas shqiptarë që banojnë në Durrës, të cilët pasi janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, tani ndihen të tepërt, brenda kufijve të Shqipërisë. Kjo sepse vendimi i nxituar i qeverisë ka ligjëruar manipulimet e shumta që janë bërë me banesat në qytetin e Durrësit. Jo më larg se dy muaj më parë, në këtë qytet u zbulua mashtrimi me gjoja ish-pronarët e vërtetë, ku thuajse të gjithë emrat që përmendeshin, rezultonin të vdekur para 25 vjetësh. Në këtë qytet janë konstatuar skandale edhe më të rënda, ku janë regjistruar si pronarë individëq ë i kanë përfituar pronat e tyre si bashëkpunëtorë të nazistëve, apo si kolaboracionistë. Kjo klauzolë nënvizohet dukshëm në ligjin përkatës, të përjashtimit të pronësisë, por zyrtarët durrsakë, me këtë zell që kanë nisur mund të shpallin pronar edhe vetë, dhëndrrin e Duçes, ose Kontin Çiano. Por pavarësisht nga kjo, shteti shqiptar ka rënë preh e çdo shkrese që sjellin ish pronarët, pavarësisht, nga shkalla e manipulimit të tyre, këhstu që nuk është çudi që nga Komisioni i Kthimit të Pronave, të vijnë si pronarë emrat e ish mbretëreshës Teuta, apo ish Mbretit Genc. Por kjo gjendje nuk duhet toleruar më.

Takimi

Më 15 mars është mbledhur Shoqata e të Pastrehëve të qytetit të Durrësit kanë vendosur që të kërkojnë strehim politik në BE. Ata kanë deklaruar se, “meqenëse shteti ynë ka hedhur në rrugë rreth 800 familje, sikur të mos ishim nënshtetas të tij, atëherë ne do t’i drejtohemi institucioneve ndërkombëtare që të na strehojnë”. Sekretari i Shoqatës së të Pastrehëve, Gjikë Pasterma konfirmon se për këtë ata janë mbledhur bashkërisht si shoqatë dhe i kanë bërë një letër kërkesë drejtuar OSBE, BE, Ambasadave në Shqipëri të USA, Anglisë, Gjermanisë, Holandës, Italisë dhe të Greqisë, duke u kërkuar ndihmë për strehim ose në të kundërt t’u jepet strehim politik në vendet e BE-së.

Vështirësitë

Ata kanë bërë me dije se, ndodhen në gjendje të vështirë pasi po dalin çdo ditë në rrugë shumë familje dhe që nuk kanë asnjë mundësi ekonomike për të mbijetuar duke qenë se as nuk përfitojnë kredi nga bankat sipas kritereve që kanë vendosur. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës, Gjike Paterma ka deklaruar se, këtë veprim e kanë ndërmarrë, duke u nisur nga fakti se ata nuk po trajtohen normalisht si shtetas shqiptarë. Sipas Gjikës nga 950 familje të pastreha që janë në këtë qytet, u kanë dhënë kredi vetëm 60 ose 70 familjeve dhe sipas tij, kjo sasi e kredisë që është shpërndarë është bërë qëllimisht për të mashtruar të tjerët që të lirojnë pa probleme banesat që të mos krijohen përplasje sociale. Ndërkohë mësohet se, Avokati i Popullit, Igli Totozani, pas takimit që ka zhvilluar me të pastrehët në sallën e Bashkisë së Durrësit, me shkresën NR.K1/ B36/7 Prot. Me Nr. Dok.20123932/7, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryeministrit Sali Berisha duke i rekomanduar ndryshimin dhe përmirësimin e bazës ligjore që do të mundësojë trajtimin me strehim në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, të individëve, apo familjeve qiramarrëse, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Në këtë shkresë bëhet me dije se pas miratimit të aktit normativ, në Institucionin e Avokatit të Popullit, janë paraqitur shumë ankesa nga ana e individëve apo familjeve qiramarrëse në banesat e ish- pronarëve, të cilët, sipas shkresës, praktikisht e ndjejnë veten pa zgjidhje për problemin e tyre të strehimit. Letra vëren se bashki të caktuara, i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit duke i kërkuar bashkëpunim, pasi nuk kanë mundësi reale për sistemimin e tyre në banesa sociale me qira. Letra ka vërejtur se për persona të moshuar, të paaftë të kujdesen dhe pa persona të tjerë në ngarkim, kur nuk dëshirojnë, me deklarim me shkrim, sistemim me qira apo, sipas verifikimit të kryer, janë të paaftë për t’u kujdesur për veten, bëhet sistemimi me strehimin e tyre në qendrat  e përkujdesjes për moshat e treta. Bashkia e Durrësit dhe e Tiranës, nuk i janë përgjigjur avokatit të popullit. Shkresës së Av. të Popullit me kërkesë për shpjegime lidhur me mundësitë e tyre reale për të trajtuar kërkesat e shumta të qiramarrësve në banesat e ish-pronareve, me banesa sociale. Ky informacion ka munguar edhe nga disa dikastere. Nga ankesat e paraqitura, vërehet në shkresën e cituar, rezulton se një pjesë jo e vogël e këtyre familjeve qiramarrëse kanë në përbërje të tyre individë invalidë, shpeshherë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, individë të papunë, individë pensionistë pa asnjë përkrahje tjetër apo dhe ish të dënuar politikë të regjimit komunist, papërjashtuar familjet, ku të ardhurat që merren në krahasim me numrin e pjesëtarëve, janë minimale.

Ligji për dëbimin e të pastrehëve nga shtëpitë e pronarëve, shkelje e Kushtetutës

 Ligji nr. 82/ 2012, datë 13.09.2012 «Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara» si dhe Akti normativ  nr. 03, datë 01. 08. 2012 në fakt janë të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe me Konventën Evropiane Për Lirinë dhe të Drejtat e Njeriut. Gjykata Kushtetuese ka bërë një gabim fatal juridik. Ky gabim nuk mund të shlyhet lehtë nga memorja historike  e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ky vendim do të komentohet gjatë, dhe do të përmëndet në vazhdimësi, se si një organ kaq i larte ligjor, garantja e zbatimit të  përpiktë të Kushtetutës së Republikës, ra pre e interesave meskine të mazhoransës qeverisëse, duke dhënë në datën 31.10.2012 një vendim të pastër politik. Ligji dhe akti normativ kanë  dalë pikërisht, pas dhënies prej Gjykatës Kushtetuese të dy vendimeve, atij me nr.26, datë 02.11.2005 dhe Vendimit Nr. 11, datë 04.04.2007. Pas këtyre dy vendimeve të dhëna nga « Garantja » e zbatimit të Kushtetutës, Qeveria e kishte për detyrë  të zgjidhte problemin, duke i respektuar me përpikmëri  dy vendimet e lartpërmëndura të Gjykatës Kushtetuese, dhe jo të bënte veprimin mafjoz të radhës, shumë të padenjë për një qeveri ndhe për një qeverisje që pretendon të integrohet në BE.