Gazetari proverbal, Timoleo Mërtiri feston 90- vjetorin e lindjes

1040
Sigal

SARANDË-E veçantë, mbresëlënëse, shumë përshëndetëse për dy shoqatat e gazetarëve të Sarandës, Kryetarit të Unionit, Thoma Nika dhe Kryetarit të Gazetarëve profesionist Shkëlqim Hajno, në një ceremoni, ku u paraqit madhështia e gazetarit proverbial Timoleo Mërtiri. Themi proverbial, se përveç humorit, ai është rrëzuar dhe ringritur disa herë. Vjen nga gazetaria partizane, vijoi në filozofinë gazetareske të denoncimit të faktit pavarësisht pushtetit, që Timoleo e thotë me mburrje, jam gazetar se më ka dënuar Enver Hoxha. Pasi u përballa me të për Gjirokastrën dhe kur më tha se gazetar të tillë anët e Gjirokastrës u varën, nuk fola po ika i lumturuar se kisha thyer krenarinë e udhëheqësit. Kjo erdhi pas artikullit tim, “Ku Dunavati, ku Qafa e pazarit”, atëherë gazetar i “Bashkimit”. Timoleo sot ndjehet i lumtur mes kolegëve bashkëpunëtor e të rinj si: Thoma Nika, Shkëlqim Hajno, Panajot Zoto, Agron Mema, Panajot Boli, Amantia Brahimaj dhe intelektualë të tjerë si: Kristo Kauri. Timoleo është i vetmi gazetar i mbetur nga gazetaria që vjen nga LANÇ dhe takimi nis me humor. Ai tregon dhe mes tregimeve na mëson: “Nuk e tregoja moshën, se vetë mosha nuk është ajo që ke në pasaportë, por ajo që ke në fytyrë. Udhëtoja me tren dhe më pyetën ata përballë, se sa vjeç isha. Natyrisht, i ula vitet. Bashkëbiseduesit filluan të flisnin për betejën e Qafës së Gjarprit. Diku gënjyen, u acarova. U thashë nuk është kështu dhe tregova të vërtetën, u çuditën, por kuptova se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, ndaj thashë ma ka treguar babai. Timoleo nuk e tregon moshën. Humori ka vijuar me shumë orë dhe me shumë batuta, por gazeta “Telegraf”, ka botuar një intervistë të gjatë me Timoleon e më pas, edhe një artikull humoreskë, që e thotë me shumë humor “Kokoshi i Gravës” ne i themi se si ndodhi. Ai Tregon: “Shkova në fshatra për një artikull. Pashë pularitë që kishin më pak pula nga kotecet e fshatrave. I them Kryetarit të Komitetit që ka shumë pula në kotece. Më thotë që, hë se pula janë. M’u duk si vet administrimi Jugosllav dhe shkrova artikullin “Kokoshi i Gravës” (Grava fshati më i largët i Sarandës). Aty thoja, këndon kokoshi në Gravë dhe e dëgjon Kryetari i Komitetit në Sarandë, po shyqyr që është kokosh dhe jo pulë….etj”.. Vijon humori i pafundmë me gazetarin Timoleo Mërtiri, sidomos batuta me inxhinier Kristo Kaurin. Por, më mirë se fjala e Kryetarit të Unionit të Gazetarëve të Sarandës, Thoma Nika, besoj se, janë përmbledhur: Thoma Nika: “Këto ndodhi janë më të bukura dhe më të sakta nga çdo koment në këto vite që preku kolegu dhe mësuesi Timoleo, ikona e gazetarisë së luftës dhe të Shqipërisë në ndërtim e rindërtim”. Artikujt e tij në 70 vjet gazetari, u bënë jo thjeshtë, “Bombë e Flamur” për beteja gazetareske, por sidomos modeli i të jetuarit të jetës si gazetar misionar për të vërtetën dhe për më të mirën. Timoleo Mërtiri është gazetar shqiptar, ndoshta i vetmi i kësaj race, me këtë jetëgjatësi e njëherësh me këtë vitalitet të admirueshëm dhe i nderuar edhe nga Kryebashkiaku Stefan Çipa për kontributin qytetar dhe publicistik. Por, jeta e Timoleo Mërtirit nuk ishte një vijë e drejtë, pa halle e pa peripeci, siç komentohet. Timoleo Mërtiri mbetet pedagogu i sekreteve profesionale të gazetarisë, që nga LANÇ, sepse ka lindur për gazetar dhe ka punuar me përkushtim për gazetarinë deri sa krijoi modelin e tij dhe për këtë jap shembullin e kujtimeve të shumta. Por vetëm një: “Ju ikni në terren, shikoni me sy dhe ndjeni me zemër atë që do shkruani. Po shkuat tek njeriu, atje ku mbillet e korret, ku është galeria e minatorit, ku  bëhet gjuetia e peshkut e ku lind jeta keni marrë brumin e duhur për të gatuar atë që duhet. Merreni makinën me rrota dhe syrin e gazetarit dhe ikni, mua më lini makinën e shkrimit dhe telefonin dhe mos e kini mendjen tek mbushja e gazetës, por tek mbushja me jetë”. Me këto fjalë na përcillte dhe me këtë dashuri na priste. Vijon biseda plot humor dhe urime. Thoma Nika ka të drejtë që thotë se, Timoleo është njeriu i humorit origjinal dhe rezervat i mençurisë. Biseda kalon në shumë e shumë episode që duhen faqe e ndoshta vëllime për veprimtarinë, mësimet dhe humorin e profesor Timoleos. Urime !

 Agron MEMA