Fuat MEMELI/ Atë që nuk po e bën shteti për rrugën e Sinicës…..

1029
Sigal

Sinica është një nga fshatrat që përfshihet në Komunën e Mirasit në rrethin e Devollit. Është një fshat me histori të vjetër.(Sipas gjetjeve arkeologjike, i përket shekullit të 8 -të-7-të Para Erës së Re.) Më parë ka bërë pjesë në rrethin e Korçës, ndërsa pas viteve 90-të, e kaluan me atë të Devollit. Ka pasur rreth 90 shtëpi, ndërsa tani nga largimi në qytete dhe emigracion, si gjithë fshatrat e Shqipërisë edhe Sinica është tkurrur. Megjithatë, sinicarët kudo që janë, shkojnë në Sinicë, pasi aty kanë të afërmit, shtëpitë, tokat, kanë varret e të parëve. Mbi të gjitha, kanë dashurinë për vendlindjen,”magneti” i së cilës i tërheq me forcë kudo ku janë. Por, sa herë bëhen gati për t’u nisur në vendlindje, i shkon mendja të rruga Dardhë-Sinicë (kur udhëtojnë nga Dardha) ose pjesa Shkallzë-Sinicë (kur shkojnë nga Mirasi.) Duhet tanks ose traktor me zinxhirë për të kaluar, pasi prej 20 e ca vjetësh, nuk është vënë dorë në këtë rrugë. Edhe ata që marrin  guximin të shkojnë, mendohen mirë se mund të mbeten në rrugë e duhet të vijë dikush për t’i tërhequr. Njëkohësisht duhet të paguajnë mijëra lekë për të rregulluar makinat. Premtime janë bërë nga pushtetarët, sidomos para votimeve por rezultati ka qenë zero.

 Në këto kushte, një grup sinicarësh që jetojnë në Korçë si Raqi Karamelo, Shkëlqim Memelli etj., duke bashkëpunuar me fshatarët që ndodhen në Sinicë, morën nismën për të rregulluar  segmentet më problematikë të rrugës Dardhë-Sinicë. Puna u bë në dy faza: e para në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa e dyta në muajin gusht. Mblodhën një sasi lekësh, ndërsa u ndihmuan me një traktor nga biznesmenët Jorgo Braholli e Thoma Nasho. Traktori u përdor nga Ferit Hysolli, traktorist në kohën e kooperativës. Kështu u bë një nivelim i rrugës në pjesët më problematike. Gjatë fazës së dytë, e cila zgjati rreth një javë, u mblodhën 1,5 milion (lek të vjetra) nga sinicarët në Shqipëri e në emigracion. Premtime u bënë edhe nga rrethi e prefektura, por fatkeqësisht nuk u dha asgjë. Puna u krye falas nga vetë sinicarët.  U gjet një fadromë, e cila ishte më e përshtatshme për hapjen e kanaleve anësore dhe atyre të tombinave. U sistemuan pjesë të rrugës ku kalonin 11 përrenj dhe u vendosën tombina. Gjithashtu, u hap kanal në pjesën e sipërme për kullimin e ujërave. Në disa vende u bë zgjerim i rrugës, diku u hodh beton e diku u bë mur mbajtës. Parulla “Me forcat e veta” u bë aktuale. U dalluan për punë të palodhur Ëngjëllush Memelli,Dajlan Hysolli, Raqi Karamelo, Koço Dimashi si dhe Klodian Hysolli, Afrim Memelli, Elvis Thimjo, Vasil Karamelo, Ferit Hysolli,Roland e Nikolin Postoli, etj.Por, me gjithë punën e lavdërueshme që bëri ky grup sinicarësh, problemi nuk u zgjidh. U zgjidh si të thuash emergjenca, por rruga vazhdon të jetë e “sëmurë”. “Doktor” i saj është shteti, i cili fillon nga komuna, e cila duhet të hartojë projektin, ashtu siç bëri për rrugën e Arzës e ta dërgojë në strukturat përkatëse, vazhdon te nën prefektura e prefektura, deputeti i Devollit, Ministria e Transporteve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili duhet të hedhë sytë edhe në këtë zonë e deri te Qeveria. Duke folur për këtë rrugë, ka një problem që na çon të kthehemi pak vite mbrapa si dhe në muajt e parë të këtij viti. Para 7-8 vjetësh, u bë një rregullim i pjesshëm i rrugës Miras -Shkallzë -Arzë. Nuk u vu dorë te segmenti Shkallzë-Sinicë, për vetëm rreth 2 km. Nuk u punua fare as për pjesën Sinicë- Dardhë, rreth 3,5- 4 km. Mirë u bë, se edhe në Arzë jetojnë njerëz dhe ata kanë nevojë për rrugën. Në muajt e parë të këtij viti, u bë një projekt nga komuna e Mirasit për pjesën Miras-Shkallzë-Arzë , bile edhe për Arzë-Dardhë. Përsëri Sinica u anashkalua. Thuhet se është problem fondesh por duket se e vërteta nuk është plotësisht kështu. Veprohet pas ndërhyrjeve. Sinica e Arza, janë pjesë të një komune, janë fshatra fqinjë me njëri- tjetrin dhe projekti duhet të ishte i përbashkët. Duhet të theksoj gjithashtu se pjesa e rrugës Miras-Shkallzë-Sinicë -Dardhë, ka qenë rrugë tradicionale prej afro 90 vjetësh dhe mbyllte unazën me Korçën. Këtu ka qenë rruga e vjetër, jo nga Arza. Megjithatë e ritheksoj: le të bëhet edhe nga Arza, por jo të anashkalohet Sinica. Ka zëra që thonë (qofshin të gabuar!) se njerëz të caktuar nuk duan që të bëhet rruga e Sinicës, pasi s’duan që aty të shkojnë pushues. Së fundi, dua të theksoj se Sinica është një nga fshatrat më të bukur, jo vetëm të Devollit, por edhe më gjerë. Nuk e themi këtë ne sinicarët por e thuan shumë vizitorë që kanë qenë në Sinicë. Ajo është vendosur në një luginë të bukur, ku mes përmes i kalon një degë e lumit Devoll. Disa e kanë quajtur “Budapest i vogël”.Ka dy ura të gurta me harqe si dhe një kishë mjaft të bukur, e cila vitin që vjen, ka 165 vjetorin e ndërtimit të saj, ngjarje, të cilën sinicarët do ta festojnë, por përsëri i shkon mendja te rruga e keqe. Ndërtimi i saj, do ta gjallëronte fshatin e do t’i jepte një frymëmarrje të re. Do të vinin aty jo vetëm më shumë sinicarë, por edhe vizitorë të tjerë. Premtimi i disa ditëve më parë që bëri kryeministri , Edi Rama, për rifillim të investimeve në mjaft rrugë të Shqipërisë, ndez një dritë në horizont edhe për rrugën e Sinicës. Pothuajse gjithë rrugët e Devollit, janë asfaltuar. Ka mbetur vetëm pjesa e Sinicës. Le të shpresojmë se një ditë do t’i vijë radha edhe asaj.