Fermerët revoltohen për subvencionet: Përfitojnë vetëm të mëdhenjtë

765
Fermerët në Lushnje braktisën të revoltuar takimin me përfaqësuesit e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Pasi dëgjuan shpjegimet për skemat mbështetëse të 2018, fermerët thanë se askush prej tyre nuk mund të përfitojë. Për katër vite bashkë me programin IPARD, është thënë se për bujqësinë do shpërndahen 97 milione euro subvencione. “Ata thonë 15 kokë lope dhe unë nuk i kam aq, kështu që fukaraja fukara do vdesë”, thotë një fermer. “Dikush ka 2 dynym, dikush ka 3 dynym. Kurse unë për vete kam 9 dynym tokë për të mbjellë vreshtë dhe s’jam i sigurtë do fitojë apo s’do fitoj”, thotë një tjetër. “Prioritet do t’u jepet atyre që kanë qenë të fuqishëm dhe i kanë vënë pa djersë superfermat me 300 me 500 krerë. Këta përbejnë një 3 për qind, kurse 95 % që janë pjesa tjetër nuk përfitojnë”, shprehet një fermer. “Unë nuk e realizoj dot me 3 dynym, me 2800 metra për të mbjell ullinj, nuk e realizoj dot”, thotë një tjetër. Inspektorët e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural e kanë të vështirë të japin përgjigjen, përse skemat subvencionale të këtij viti nuk mbështesin fermerët e vegjël, ndryshe nga çfarë është reklamuar. Kohëzgjatja e aplikimit për subvencionet është një muaj. Këtë vit fermerëve u është thënë, se janë hequr burokracitë për plotësimin e dokumentacionit, por shumë prej tyre nuk kanë titujt e pronësisë për tokën, çka i përjashton ata automatikisht nga marrja e subvencioneve. “Po nuk ka nevoje ta ketë certifikatën, do ta shkarkojmë ne AZHBR-ja për aplikantin. Përse shumë prej këtyre nuk e përfitojnë. Kanë sipërfaqe të vogla toke? Jo nuk është vetëm tek sipërfaqja dhe nuk është se të gjithë nuk përfitojnë, kishte edhe shumë që përfitonin. Sigurisht ka disa kritere që duhen përmbushur, sipërfaqe minimale, sipërfaqe maksimale”, thotë Altin Caco, inspektor i AZHBR-së në drejtorinë e Tiranës.

Ish-ministri i Bujqësisë dhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar duke thënë: “Skemë e re zakon i vjetër”

Sot fermerët e regjistruar janë plot 36 mijë. Nëse duam të nxisim prodhimin për një bujqësi më konkuruese, të gjithë duhen të kenë mundësi të barabarta në përthithjen e fondeve.
Sigal