Fenomeni i sekserit “Denar Biba” është përpjekja e qeverisë për të na mohuar dhe zhvatur pronat tona

170

Reagimi i Kryesisë së Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve të Origjinës: Ligji 133/2015 ndihmon në boshatisjen e Shqipërisë nga rinia

Ne e dimë që qeveria aktuale e kryeministrit Rama qysh nga viti 2014, ka dashur të bindë gjykatën e Strasburgut, për të vendosur në dëm të pronarëve. E dimë që qeveria ka dërguar disa herë emisarët e vet në Strasburg për manipulimin e drejtësisë, si Z. Peleshi, Z. Ahmetaj, Z. Peçi, Z. Manjani, A. Hysi, Znj. Hicka, Z. Qato, V. Hysi e të tjerë. E dimë që qeveria dërgoi në komisionin e Venecias kopjen e pasaktë të ligjit nr. 133/2015 për të tërhequr miratimin e atij komisioni. E dimë që ministria aktuale e drejtësisë, Znj. Gjonaj u takua në Stokholm, para disa muajsh, me presidentin e gjykatës së Strasburgut (në kuadrin e konferencës së ministrave të Evropës) dhe i kërkoi atij: Kthimin e dosjeve të pronarëve në Shqipëri, për t’i gjykuar sipas ligjeve tona.

Deklaroi se pronarët në Shqipëri përbëjnë vetëm 0.6% të popullsisë, ndaj nuk duhen marrë në konsideratë.

Deklaroi se po u kompensuan pronarët sipas vendimeve të Strasburgut, shteti ynë falimenton financiarisht.

E dimë që qeveria e “Rilindjes” vepron me metodat e ish-sigurimit të shtetit, si bijë e denjë e atij sistemi. Por ne nuk kemi ditur dy gjëra:

  1. Që hartimi kryesor i ligjit të turpshëm nr.133/2015, ish-zëvendës ministri i drejtësisë, Z. Idlir Peçi, megjithëse në konflikt interesi, do na kthehej në qershor 2018, si ekspert i pavarur, si përfaqësues i shtetit të Holandës, në përbërje të KE-së, që duhet të ndjekë edhe reformën e pronave në Shqipëri. Me paturpësinë që i karakterizon “rilindasit” deri në cinizëm, kërkon të na japë mend ne pronarëve se cili është interesi ynë. Kjo është dora e gjatë e qeverisë!
  2. Që sekseri i qeverisë, për fat i incizuar, quhet “Biba” se qeveria përpiqet të arrij atë që dëshiron, me forma të hapura (legale) nëpërmjet kërkesave është në të drejtën e saj. Në këto raste ajo merr mbi vete koston e injorancës së vet para institucioneve shkencore evropiane. Por kur ajo fut në përdorim vemjet e veta të tipit “Biba” vetë qeveria mban përgjegjësi penale për diversionin që bën, për shantazhin që përcjell dhe për korrupsionin që ushqen. Ne nuk kemi asnjë dyshim në vërtetësinë e asaj që u ekspozua për Denar Bibën, por duam të vëmë në dukje se na ka bërë përshtypje vazhdimi i diversionit që ai bën në praktikën shqiptare kur shprehet: “Nuk e kuptoj kush përfiton nga kjo gjë. As opozita nuk fiton gjë… Nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e hallit të opozitës”. Ai kërkon ta shesë llumin e vet si hall të opozitës, si çështje thjesht politike. “Biba” dhe gjithë vemjet e llojit të vet, bëjnë sikur nuk e kuptojnë që këtu janë interesat materiale të shqiptareve që i kanë votuar. Këtu shfaqet morali mashtrues i qeverisë së rilindjes.

Në këtë mënyrë ushqehet korrupsioni, shkatërrohet ekonomia, boshatiset vendi nga njerëzit e tij. Këto pseudo intelektualë që pretendojnë të kapin majat e drejtësisë duan të vendosin standardin e vet në gjithë politikën shqiptare. Fjala më e ëmbël që mund të themi për ta është se janë injorantë të ekonomisë dhe politikës. Këta njerëz, politika i shtrydh si limon dhe i shkelmon si mbeturina sapo ajo ndjen erën e keqe që vjen afër saj. Biba dhe të tjerë si ai, t’i përgjigjen ligjit. Jemi të bindur se kjo qeveri, as skuqet, as zverdhet, sepse nuk ka as turp, as moral, as frikë! Është fat për ne që nuk i merr askush seriozisht!

-Jemi të bindur që në Shqipëri janë goditur mbi 90% e popullsisë nga ligjet e pronave dhe kërkojmë drejtësi.

-Jemi të bindur se ligjet e pronave kanë shkatërruar bazën ekonomike të zhvillimit të shoqërisë dhe kanë varrosur mbi 10 000 njerëz.

-Jemi të bindur se ligji 133/2015 ndihmon në boshatisjen e Shqipërisë nga rinia (pa prona s’ka atdhe). Me këtë mentalitet drejtoni, inteligjenca nuk ka interes ta kalojë jetën nën thundrën e hajdutëve e kriminelëve. Mbrojtjes së këtij vendi, do t’i gjenden vetëm hajdutët, të cilët do të mbrojnë pronat e vjedhura. Jemi të bindur që propaganda e “rilindjes” mbyt zërat e të vërtetës, tremb e shantazhon hallexhinjtë, josh e korrupton të lëkundurit pa moral, paguan e vjedh, vota nëpërmjet biznesmenëve pranë saj. Kur një qeveri është në vështirësi financiare na lindin pyetjet:

  1. a) Pse pretendon me ligj që të paguajë edhe për pronat e lira (troje, pyje, kullota e livadhe) në vend që t’i kthejë fizikisht?
  2. b) Pse nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin 133/2015, për pikën 5 të nenit 6 që lejon kthimin fizik të pronave të lira?
  3. c) Pse merr përsipër të kompensojë nga buxheti edhe për tokat e ndara nga ligji 133/2015, përderisa ato prona nuk i ka marrë shteti por privati?
  4. d) Pse nuk pranon që pronarin e ri ta lidhë ligjërisht me pronarin e vjetër dhe të shkarkojë barrën financiare të shtetit?

Pa zgjidhur çështjen e pronave me drejtësi, vetë drejtësia si institucion nuk do të mbijetojë dot!