“Fabrika” e diplomave, përpara syve të drejtuesve dhe kontrolluesve të Arsimit të Lartë

525
Fabrikimi i temave të diplomave në vendin është një problem që po merr një shtrirje të gjerë dita-ditës. Prej vitesh ky fenomen vazhdon të jetë prezent në thuajse çdo universitet të vendit tonë, të cilat i japin fabrikimit të diplomave karakterin e një biznesi të mirëfilltë. Organizimi i ekspertëve të këtyre punimeve, të cilët duke parë se ky “biznes” ka ecur mjaft mirë kanë filluar të shtrijnë aktivitetin e tyre në zyra të posaçme, të cilat janë të frekuentuara nga studentët që duan të blejnë një temë diplome në këmbim të një shume të majme parash, e cila varjon nga 200 euro për një temë diplome në Bachelor, ndërkohë që për një temë masteri vlera e temës shkon në 400 euro. Lidhja e kontakteve mes “ekspertëve” të këtyre temave dhe studentëve ka shtrirë lidhjet e tyre në thuajse çdo universitet të vendit, duke ushtruar funksionin e tyre lirshëm, të paprekur nga askush dhe të padenoncuar nga askush, madje as nga pedagoget që bëjnë vlerësimet e këtyre diplomave në fund të ciklit të studimeve. Këtë fakt e pranojnë mjaft pedagogë, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të denoncojë këtë skandal, që vazhdon aktivitetin e jashtëligjshëm prej vitesh në liri të plotë. 
“Ekspertët” dhe sekserët e diplomave me zyra pranë universiteteve 
Punimi i këtyre temave bëhet nga njerëz të cilët e njohin mjaft mirë këtë treg fitimprurës, duke ushtruar aktivitetin e tyre në kundërshtim të plotë me ligjin, duke vjedhur punime të ndryshme të bëra më parë nga të tjerë persona dhe më pas duke u ndërruar emrin e autorëve të këtyre punimeve, të cilat shiten tek “porositësit”, qe e paguajnë majmë këtë shërbim. Lidhjet mes sekserëve dhe “ekspertëve” të këtyre punimeve janë ndërtuar mirë, madje sekserët kanë ndërhyrë deri dhe në influencimin tek pedagogët, këta të fundit njoftojnë studentët se ku mund të gjejnë një vend të sigurt që mund të blihen punimet. Ndërkohë që pedagogët në monetin që bëhet prezantimi dhe më pas vlerësimi mbyllin njërin sy për të mos treguar se një punim nuk është bërë nga vetë studenti, i cili do të marrë në fund dhe vlerësimin, që sigurisht është maksimal, pasi plagjiatura në këtë rast vlerësohet mjaft mirë. “Ekspertët” e këtyre punimeve së fundmi kanë hapur zyra pranë universiteteve për të qenë më pranë “presë” së tyre dhe për tu gjendur më lehtë nga të interesuarit, që informacionet e para për këto zyra i marrin në ambientet e universiteteve ku studiojnë. Të shumta janë pikat ku “tregtohet” një diplomë, jo vetëm në zyrat e këtyre “ekspertëve”, por edhe në dyer të ndryshme apo qendra interneti, të cilat marrin porosi të tilla. Tregtimi i këtyre punimeve në shumë raste reklamohet dhe në rrjete sociale, aty ku numri i të rinjve që frekuentojnë këto rrjete sociale është dhe më i madh. Edhe pse shtrirja e këtyre mashtruesve që vjedhin të paprekur nga ligji ka marrë një shtrirje të gjerë, asgjë nuk është për vënien para drejtësisë së këtyre mashtruesve që vjedhin paratë e studentëve nëpërmjet shitjes së punimeve të vjedhura, veprim ky i fundit i kundraligjshëm. 
Policia, Prokuroria dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimi, nuk ushtrojnë asnjë masë kontrolli
Edhe pse vjedhja nëpërmjet plagjiaturës bëhet kaq hapur, ende nuk është raportuar asnjë rast, i cili të mund të jetë pikasur nga policia apo nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, edhe pse ky i fundit e ka për detyrë ushtrimin e kontrolleve për rregullimin e cilësisë së Arsimit të Lartë. Edhe pse ky biznes e ka zgjeruar aktivitetin e tij, asgjë nuk ka ndodhur për evidentimin e personave që merren me këtë punë të jashtëligjshme për të kaluar më pas çështja në prokurori. Edhe pse njoftimet për ushtrimin e këtij aktiviteti janë publikuar deri në ambientet e universiteteve, Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk ka marrë asnjë masë për të nisur kontrollet, lidhur me këtë çështje. Edhe pse ky institucion ka për detyrë zbatimin e kërkesave ligjore, asgjë e tillë nuk ka ndodhur për bllokimin e këtij biznesi të mirëfilltë që ka shtire rrënjët e tij deri në ambientet e brendshme të universiteteve, sikur gjithçka të ishte në rregull.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 22.12.2015
Sigal