Ergys Alushi/ Socialistët në gjurmët e demokratëve apo…?!

534
Sigal

Para 23 qershorit, socialistët akuzonin demokratët në pushtet se, punësonin njerëz me lekë në institucionet e shtetit, duke u mbështetur në gojëdhënat e njerëzve. Mbeten gojëdhëna për faktin se njerëzit që paguajnë për një vend pune në shtet, nuk denoncojnë zyrtarisht për atë që bëjnë, sepse kanë vetëm hallin si të punësohen, në të kundërtën, i prishin punë vetes. Denoncimi i rasteve të tilla prej socialistëve ishte një ndër kauzat kryesore, të cilat sollën në pushtet socialistët. Dhe e fituan pushtetin në 23 qershor 2013. Pas kësaj filluan konkurset, aplikimet online, hapjet e zyrave të reja të punës, ftesa për ata që ishin jashtë shtetit e që donin të ktheheshin e të punësoheshin, në Shqipëri. Gjithçka, në emër të punësimit, të metodave të reja të punësimit, ndryshe nga punësimet përkundrejt pagesës në qeverisjen e demokratëve. Një histori që vazhdon edhe sot e kësaj dite, ku në disa institucione ka funksionuar e në disa të tjera jo, duke pasur për kundërshtarë një numër jo të vogël socialistësh, të cilët kishin shpresuar se pas tetë vitesh do ta kishin për kollaj një vend pune në administratë. Por sot, pas më shumë se një viti të ardhur në pushtet, asnjë socialist drejtues institucioni, nuk ka evidentuar asnjë rast të akuzave që ngrinin përditë kur ishin në opozitë se shqiptarët paguanin shuma të mëdha për t’u punësuar në administratën e shtetit. Nuk ka asnjë rast të vetëm në institucionet e shtetit të Vlorës, që një drejtues institucioni socialist, të ketë evidentuar dhe denoncuar tashmë zyrtarisht, një rast të tillë. Po kështu, as edhe një prej atyre, që ka paguar vërtet lekë për t’u punësuar në administratë, nuk ka pasur kurajën të denoncojë zyrtarisht. Mësohet se ka pasur raste që kur dikush është vendosur për t’u larguar nga puna dhe ky i fundit ka rrëfyer se ka paguar për këtë vend pune, ai nuk është larguar nga puna me keqardhjen e drejtuesit të ri, i cili ndërkohë e ka mbyllur çështjen aty për aty, për të mos i bërë dëm si ish drejtuesit demokrat, ashtu edhe lekë paguesit për vendin e punës. Ndërkohë sot, pas më shumë se një viti, gojëdhënat e njerëzve flasin se po paguajnë përsëri për një vend pune, duke u punësuar jashtë kritereve, që ka vendosur qeveria e majtë. Opozita e sotme, dje në pushtet, bën të njëjtën gjë si opozita e djeshme, sot në pushtet, akuzon se shqiptarët paguajnë nën dorë për një vend pune në shtet. Shqiptarët, që janë të njëjtët si në pushtetin e djathtë, ashtu dhe në pushtetin e majtë, rrinë e dëgjojnë. Pyetje janë të shumta: A është blerë një vend pune në shtet, para 23 qershorit? Nëse po, përse nuk është denoncuar asnjë rast i tillë sot nga socialistët që e kanë pushtetin dhe mundësinë për ta bërë një veprim të tillë? A blihet sot, pas 23 qershorit, një vend pune në administratë? Nëse po, kush i merr paratë? Apo nuk janë marrë lekë as para 23 qershorit dhe as pas 23 qershorit? Gjithçka mbyllet në një rreth vicioz. Shqiptarë që paguajnë për një vend pune në shtet dhe heshtin si dhe drejtues institucionesh, që ndërrohen sipas pushtetit e mbrojnë njëri tjetrit për të tilla veprime. Duket se të dyja palët janë të kënaqura, shqiptarët që paguajnë e gjejnë punën dhe drejtues që marrin lekët e i çojnë në shtëpitë e tyre, ndaj dhe askush nuk flet, nuk denoncon raste konkrete. E njëjta situatë përsëritet dhe në rastin e veprimeve korruptive me fondet e shtetit. Asnjë ish drejtues demokrat, me përjashtim të ish drejtorit të spitalit të Vlorës, nuk është denoncuar nga drejtuesit aktual socialist, në institucionet që drejtojnë, për raste korruptive, të cilat ata i akuzonin para 23 qershorit, se ishin me shumicë e kur të vinin në pushtet, do t’i denonconin e çonin para ligjit. Në të dyja rastet, ose demokratët nuk kanë bërë asgjë për ato për të cilat janë akuzuar, ose edhe socialistët nuk i denoncojnë sepse duan t’i bëjnë për vete e kështu cikli vazhdon e mbyllet brenda një rrethi të ngushtë.