Engjëll Serjani/ “Net Routes” projekt për promovimin e turizmit alternativ

922
Sigal

Trashëgimia kulturore dhe natyrore në shërbim të turizmit në  tri komunat e Qarkut të Gjirokastrës

Mbështetur në pasuritë e mëdha kulturore dhe natyrore të rajonit të Gjirokastrës, për herë të parë ka nisur të zbatohet nga prefektura, një masterplan i përbashkët me tri komuna, që synon nxitjen e turizmit alternative, me qëllim përmirësimin e të ardhurave të banorëve. Në kuadrin e Programit IPA CBC 2007-2013, në komunat Pogon e Lunxhëri në Gjirokastër dhe  Petran të Përmetit ka nisur implementimi i projektin “Net Routes”, që synon në krijimin dhe promovimin e një rrjeti të përbashkët, për zhvillimin e turizmin alternativ dhe në këtë kuadër po zbatohet një masterplan, që e vendos zhvillimin e turizmit alternativ, si një prioritet për zhvillimin ekonomik e social të këtyre komunave. Koordinatorja e këtij projekti, Ornela Çuçi, thotë se nisja e punës fillimisht me hartimin e një masterplani për këto tri komuna është me interes, pasi ndonëse bëhet fjalë për një zonë të pasur me reliev dhe resurse turistike të ngjashme, mungon pothuajse krejt eksperienca dhe infrastruktura e nevojshme për turizmin alternativ. “Projekti “Net Routes” synon rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të turizmit alternativ, ndërmarrjen e hapave pozitivë dhe me plane afatgjata, me qëllim orientimin e investimeve në hapësirat e turizmit alternativ, përshtatjen e infrastrukturës, ringjalljen e traditave të etnografisë, folklorit dhe kulinarisë tradicionale, me qëllim shtimin e numrit të turistëve dhe vizitorëve në këto zona, me peizazh dhe pasuri natyrore dhe kulturore tradicionale”, shprehet zonja Çuçi. Në të tri komunat e përzgjedhura dhe përfshira në projekt gjenden vlera të jashtëzakonshme për turizmin që qëndrojnë në heshtje të plotë, të papromovuara, të pa shfrytëzuara dhe, në ndonjë rast, edhe në rrënim. Në territorin e komunës së Lunxhërisë gjenden më shumë se 30 monumente dhe gjeo-monumente të natyrës, si male, shpella, pyje, burime, rrepe të lashtë shumëshekullorë, gjenden më shumë se 20 monumente kulturore, si kisha, manastire, banesa tradicionale, mekame, kështjella, qytete antike, si kalaja e Shëntriadhës, varret e Valaresë, kisha e Shën Kollit në Saraqinishtë, Manastiri Spilesë në Tranoshishtë, rrënoja antike në Erind, banesa e Çuçajve në Dhokasat, banesa dhe shkolla e Koto Hoxhit në Qestorat dhe dhjetëra vlera të tjera joshëse për turizmin alternative. “Masterplani përmban propozime konkrete mbi rrugëtimet turistike në zonën e Lunxhërisë “me plot lezete” dhe, duke marrë parasysh ekzistencën e burimeve natyrore dhe kulturore të saj dhe dy komunave të tjera, tiparet dhe veçoritë e rajonit jugor në tërësi, parimet dhe rregullat që veprojnë në fushën e turizmit, si dhe vendosjen dhe zhvillimin e standardeve të shërbimeve turistike dhe të shërbimeve të tjera të lidhura me to, ne mendojnë se shumë shpejt do të kemi një produkt turistik dhe të ardhura prej tij”, – thotë kryetari i komunës së Lunxhërisë Ilia Kuro.  Ndërkaq, edhe në dy komunat e tjera në Petran dhe Pogon, krahas vlera përafërsisht të ngjashme natyrore dhe tradicionale, që përfshin plani, parashikohet riaktivizimi i disa vlerave krejt të veçanta, sikurse kanë ujërat termale të Bënjës në komunën Petran, rrjedha e lumit të Pogonit, përmes Grykës së Selckës. Rrjedhën e lumit të Langaricës, që është degëzimi kryesor që ushqen lumin e Vjosës, Pllaja e Çajupit dhe shpatet pjerrëta të maleve të Shëndërllisë, Lunxhërisë, Dhembelit, Buretos dhe Nemërçkës. Për realizimin e këtij projekti, nën drejtimin e ekspertëve të turizmit dhe mjedisit në prefekturën e Gjirokastrës, është ndërtuar edhe një bashkërendim strategjik i aktiviteteve turistike në të tri komunat, në dobi të interesave të banorëve, përcaktimin e rrugëtimeve të turizmit alternativ, sipas një studimi të thellë në raport me strukturat pritëse, kapacitetet, kuzhinën, raportin cilësi – çmim, objektet turistike të  ndryshme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, panairet, festivalet etj.. “Sipas planit tonë turistë dhe udhëtarë të pavarur nendas dhe të huaj që udhëtojnë gjatë kohës së lire dhe që dëshirojnë të zbulojnë vlera e pasuri të natyrës dhe kulturës shqiptare, sikurse janë sitet arkeologjike të luginës së Drinos, rrugët ku ka kaluar Lord Bajroni, do të orientohen nëpërmjet guadave, për të prekur relievin e mrekullueshëm, risinë e hipizmit, legjendat, produktet bio, kanionet e lumit Vjosa, shpellat, shpatet e maleve, burimet termale”, shpjegon  Ornela Çuçi.  Zonat e përfshira në këtë Master Plan janë territore ideale për ata që janë në kërkim të turizmit të aventurës së thjeshtë, për eksperienca që shkojnë përtej itinerareve të zakonshme turistike, dhe zakonisht kombinohen me aktivitetet fizike dhe eksperiencat kulturore. “Parashikimet tona shkojnë drejt akomodimeve të tilla, që turistët, që kërkojnë këto aventura e aktivitete ditore fizike, të rikthehen në darkë në krevatin e tyre, që ndodhet në një mjedis familjar i përshtatur, sipas traditës vendase, të ushqehet me menynë dhe gatimet tradicionale, të ndërtojmë harta e guida që ai të orientohet lehtë gjatë udhëtimit të tyre të pavarur. Ne synojmë të tërheqim ata vizitorë e udhëtarë të vetmuar, që kërkojnë diçka të ndryshme dhe më tepër se sa pushimet e zakonshme, gjë që është trendi kohës për të rinjtë europianë sot, të cilët janë një treg i synuar kyç për aventurat e thjeshta”, shpjegon Blerim Dajlani, përfaqësues i prefekturës në grupin e angazhuar me realizimin e këtij projekti. Kjo zonë ,së bashku me sitet arkeologjike të Antigonesë, Hadrianopolit, Teatrit të Sofratikës, Teqesë së Melanit, etj, është pjesë e rëndësishme e axhendës së grupeve të vizitorëve kryesisht studiues, studentë universiteti e turistësh grand. Studentë të universiteteve italiane, amerikane, gjermane, spanjolle, greke, angleze, e vendeve fqinje të Ballkanit e deri nga Japonia e Australia janë pjesë e ekspeditave kërkimore shkencore dhe e tureve turistike në Gjirokastër e sitet e luginës së Drinosit. Kjo zonë është një “shkollë e hapur” për qindra vizitorë të kësaj kategorie, të cilët në sezone të ndryshme të vitit madje organizojnë edhe guida e seanca punë praktike në terren. Tërheqja e mëtejshme e këtyre grupeve turistike ndërkombëtare dhe shtimi tyre do të sigurojë qëndrueshmëri të disa bizneseve lokale, duke mundësuar përfshirjen në tregje të reja. Master Plani parashikon gjithashtu përmirësime të infrastrukturës së dobët turistike e rrugore aktuale, masa për mbrojtjen dhe  menaxhimin e mjedisit, ndryshime në etikën, kulturën dhe mentalitet të munguar në drejtim të promovimit dhe marketingut të turizmit.