Engjëll Musai: Qëndrimi anti-korrupsion i KLSH dhe falsiteti i kontrolleve nga Auditet e Brendshme

741
Drejtuesit dhe ekipet e kontrolleve në institucione e ndërmarrje publike, emërohen e urdhërohen nga titullarët për të kontrolluar… titullarët!
Engjëll Musai
Prej mëse një muaji kryeministri Edi Rama zhvilloi një tur dëgjesash me qytetarët e zakonshëm. Në kuadër të këtij turi, shefi i qeverisë u mundua të marrë nga qytetarët denoncime të ndryshme për korrupsionin si dhe mosefiçencën e një pjese të administratës publike. Në këtë betejë kundër korrupsionit, duket se i vetmi institucion përballë së keqes së madhe është, Kontrolli i Lartë i Shtetit. Abuzimet e shumta që kryhen nga institucionet shtetërore janë zbuluar vetëm përmes auditiveve të kryera nga KLSH. Kryeministri është përqendruar në betejën e dëgjesave publike duke u marr vetëm me ankesat e qytetarëve. Ndërkohë nga ana tjetër, strukturat e posaçme të ngritura në çdo institucion për të kontrolluar dhe denoncuar abuzimet e bëra nga drejtuesit e tyre, duket se kanë qenë dhe janë false. Auditet e Brendshme të çdo institucioni kanë qenë shërbëtor të heshtur për eprorët e tyre. të vetmet raporte kundër shkeljeve në institucionet shtetërore ekzistojnë vetëm në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Është ky organ që ka ngritur zërin dhe ka dërguar në Prokurori me qindra raste abuzimesh. Por në fakt, heshtja e organeve ligjvënëse dhe ligjzbatuese ka qenë në nivele të larta. Gazeta “Telegraf” ka kryer një vëzhgim duke sjell edhe fakte konkrete. 
Vëzhgimin po e nisim, me këto 5 fakte: 
1. Vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit po zbulon, njofton e denoncon abuzime ekonomike-financiare, në të shumtën e rasteve me shkelje ligjore të paramenduara, të bëra prej drejtuesve dhe zyrtarëve të shtetit. 
2. Asnjë drejtues institucioni, pushteti vendor e shoqërie shërbimesh publike, nuk ka publikuar dhe nuk ka denoncuar në asnjë rast, abuzimet e bërë brenda institucioneve të tyre! 
3. Në 80% të rasteve, pasi njihen me raportet e KLSH, drejtuesit shtetëror i vërsulen me kundërshtim, mohim, presione e akuza titullarëve të këtij institucioni, duke i quajtur “të pavërteta” faktet e zbuluara. 
4. Asnjë shërbim i Auditit të Brendshëm nëpër institucione e shërbime publike, në asnjë rast nuk ka publikuar raportet e kontrolleve që ka kryer!
5. Në 95% të rasteve, akt-kontrollet e kryer prej Auditeve të Brendshëm janë fiktiv, me abuzime të fshehura prej tyre, por të evidentuar prej KLSH.
KLSH, e vetme në “fushë-betejën” anti-korrupsion
Faktet e përmendur më sipër, provojnë të vërtetën që lufta për zbulimin dhe denoncimin e korrupsionit të shfrenuar e masiv që vazhdon të bëhet në zyrat dhe shërbimet shtetërore, i paska mbetur “në dorë” vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit. Edhe në katër ditët e fundit, KLSH ka përcjell për hetim në organet e drejtësisë, 15 drejtues dhe zyrtarë të tjerë institucionesh publike në Korçë-Lezhë, shoqëruar me prova dokumentare për abuzime! Vetëm në 3 vitet e fundit, KLSH ka zbuluar dhe denoncuar publikisht 1657 raste abuzimesh në institucione e shërbime shtetërore. Por po ndodh, ky absurd: Përveç KLSH dhe ndonjë medie që nuk është “lugë” e futur në “tepsitë” e pushteteve, askush tjetër nuk po ndihet! Të gjithë bëjnë sikur nuk shikojnë e thonë:: “Nuk ka raste korrupsioni”! Por ja që ka e madje shumë. E gjithçka zbulohet vetëm nga KLSH, ky “sy dhe zë” që ka mbetur i vetëm në “fushë-betejën” madhe e të egër anti-korrupsion, duke përmbushur pa asnjë tolerancë e me efiçencë, detyrën funksionale për auditim korrekt të aktiviteteve ekonomik-financiare, duke evidentuar abuzime të fshehura! Kush dhe përse i fsheh, këto abuzime?
Auditet e Brendshme, mbulojnë “gropat e zeza” të abuzimeve
Në luftën për zbuluar dhe denoncuar korrupsionin po vepron KLSH, por nuk veprojnë strukturat e quajtura “Audit i Brendshëm”, të cilat kanë këtë detyrë evidentimi abuzimesh brenda institucioneve e shërbimeve publike. Po, çfarë bëjnë Auditet e Brendshme? Çfarë raporte kontrolli, hartojnë? Pse nuk verifikohen këto raporte, nga strukturat mbikëqyrëse sipërore të kryeministrisë e ministrive? Sa raste ka, që titullarët kanë larguar nga puna drejtuesit e Auditit të Brendshëm, për shkak se ata nuk kanë pranuar të fshehin abuzimet? Sa raste ka, që titullarët kanë urdhëruar Auditet e Brendshme, të mos kontrollojnë zyra dhe drejtues sektorësh e shërbimesh, të drejtuara nga familjarë, miq e të preferuar të titullarëve? Sa drejtues auditi dhe auditues të thjeshtë janë larguar nga puna, kur nuk kanë pranuar të firmosin akt-kontrolle fiktive, të parapërgatitur nga drejtuesit shtetëror? Sa raste ka, kur Auditet e Brendshme kanë firmosur akte-kontrolli, pa kryer kontroll fare? Sa raste ka, kur edhe vetë drejtuesit e Auditeve të Brendshëm, kanë larguar nga puna vartës të tyre, për shkak se nuk kanë pranuar të firmosin akte-kontrolle false, ose kanë nxjerr abuzime të fshehura? A zbatojnë Auditet e Brendshëm urdhrat e titullarëve, për të hartuar dy raporte kontrolli: Një sipas realitetit faktik që titullari e përdor për presion mbi vartësit dhe një raport fals, që fsheh abuzimet e drejtuesve? A mund të ketë fuqi të kryejë proces auditimi real e ligjor, një drejtues dhe ekip Auditi i Brendshëm, i cili varet nga titullari i institucionit?! 
KLSH, institucion dhe shërbim me standarde si homologët ndërkombëtar 
Pozicionimi ligjor, aktiv dhe real i KLSH përballë korrupsionit, shpjegohet me faktin, se Shteti Shqiptar nuk ka më një Kontroll Shteti me “telekomandë” tek politika, as me program pune “me porosi klienteliste”, as kontroll të tipit “punëtor-fshatar” e për më tepër, nuk ka më një kryetar “derdimen” e të kapur prej “rrjetave” të korrupsionit dhe klientelizmit. Troç, në Shqipëri nuk ka më një KLSH “mejhane”, me zyra shefash e inspektorësh ku “shtyhej dita” me lojëra letrash bixhozi, me lojëra shahu, tavlle e dominoje. Nuk ka më zyra, të kthyera në “garderoba” veshjesh e qendra stilimi dhe sfilimi zyrtaresh. Nuk ka më zyra drejtorësh e inspektorësh, me rafte e sirtarë tavolinash të mbushur me pije, qese mishi, bananesh, qumështi, vezësh, gjize e pulash! Prej më se 5 vitesh, KLSH është tjetërsuar në një institucion të “hekurt”, të hapur e aktiv, që kryen vetëm punët që i detyron ligji, që ofron në shërbim vetëm ata që bëjnë punën, gjë e cila provohet nga veprimtari konkrete e zbulimit dhe denoncimit, të çdo “qindarke” të trajtuar me shkelje ligji! Me këtë konstatim faktik, nuk po “lëvdojmë” punën e bërë prej KLSH. Nuk po “mitizojmë” as drejtuesin e saj, për të cilin thuhet prej të gjithëve atyre që njohin profilin e ri të KLSH, se nëpërmjet punës së tij me shumë vizion, përkushtim, pasion, guxim, përgjegjësi dhe bashkëpunim brenda institucionit e mes institucioneve të tjerë kushtetues, ia doli ta kthej KLSH nga një “institucion mumje”, në shërbim publik dinjitoz. Nëse deri para 5 vitesh, ky institucion e shërbim shtetëror nuk ftohej ose ftohej e nuk përfillej as në takimet ndër-institucionale brenda vendit, tashmë homologët në Rajon, Evropë dhe në Botë e kanë bërë KLSH dhe drejtuesin e saj Bujar Leskaj, pjesë të vlerësuar me takime bashkëpunuese, me referime përvojash drejtimi të ofruara prej KLSH e deri me pozicione përfaqësimi në strukturat audituese të nivelit të lartë ndërkombëtar! Çfarë ka ndryshuar në KLSH? Ristrukturimi i sektorëve në përputhje funksionale me problematikat e sektorëve përkatës! Formatimi i programeve audituese, me synim garantimin e produktivitetit gjatë auditimeve. Lufta kundër korrupsionit brenda strukturave të KLSH. Rekrutimi i profesionistëve dhe ekspertëve të fushave përkatëse, në drejtim sektorësh dhe strukturat e ekipeve të auditimit, kualifikimi sistematik deri ndërkombëtar i drejtuesve e inspektorëve, implementimi dhe zbatimi i përvojave të avancuar e efiçente audituese ndërkombëtare! Konsulenca me ekspertë të fushave. Kontrolli i zbatimit të çdo detyre, në raport me afatin, objektin dhe përputhshmërinë ligjore të çdo procesi auditimi.
Deklaron drejtuesi i Auditit të Brendshëm, i një ministrie
“Zbulojmë çdo pisllëk ekonomik, financiar e administrativ që bëhet nga ministri, të deleguarit e tyre për kompetencat, Sekretari i Përgjithshëm, komisionet e tenderimeve (KVO), drejtoritë e investimeve, të financave, departamentet, inspektoratet në vartësi, drejtorët e drejtorive, drejtorët në rajone e rrethe dhe nga gjithë shërbimet e tjera brenda linjës, por nuk flasim dot. Nëse guxojmë të kryejmë detyrën sipas ligjit, kërcënohemi me heqje nga puna. Më ka ndodhur mua personalisht në 4 raste, kur kam kërkuar të shënoj fakte dhe emra zyrtarësh në raportin përfundimtar të auditimit, konkretisht për abuzimet në zyrën juridike, në 1 shoqëri prodhimi, në 1 drejtori rajonale dhe në Drejtorinë e Prokurimeve Publike (tenderëve) në ministri! Në 2 raste, më ka ndodhur që Ministri dhe Sekretari i Përgjithshëm më kanë grisur në sy raportin e auditimit, duke më nxjerr brutalisht nga zyra e duke më kërcënuar me largim nga puna dhe nxirrje “biografie” punësimi, pa llogaritur presionet nga individë jashtë institucionit! Ne i bëjmë kontrollet, vetëm kur na urdhëron titullari dhe vetëm në ata sektorë ku na thotë ai. Për çdo akt-kontrolli të brendshëm, porositemi (urdhërohemi) të hartojmë 2 raporte: Një raport faktik dhe një raport fiktiv, të cilët i dorëzojmë paraprakisht pa firmë dhe kur na thërret në zyrë, i firmosim ose i “rilindim” nga e para sipas porosive të tij dhe… mbyllim gojën! Kush kundërshton, ikën nga puna”. 
Konkluzioni i këtij deklarimi është ky: Kështu ndodh, kur drejtuesit dhe ekipet e Auditit të Brendshëm në institucione, shoqëri e ndërmarrje publike, emërohen dhe urdhërohen nga titullarët, për të kontrolluar veprimtarinë ekonomike-financiare të… titullarëve të tyre! 
Sigal