Ekspertiza zbardh aksidentin: Memollari i dha gaz makinës kur shtypi gruan

134
Zbardhet ekspertiza paraprake auto –teknike e kryer në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik si pasojë e të cilit humbi jetën nëna e dy fëmijëve Dhurata Prifti.
Sipas ekspertizës, rezulton se, shpejtësia e makinës ka qenë 35 km/orë, semafori ka qenë portokalli dhe pas goditjes së parë, sipas ekspertëve, Memollari nuk ka bërë asgjë për të minimizuar pasojat, madje ka shtuar shpejtësinë, çka ka qenë fatale për jetën e 45 – vjeçares.
Nga ana tjetër, ekspertët sqarojnë se Dhurata Prifti nuk ka qenë duke kaluar te vizat e bardha. Por përgjegjësia, sipas tyre, i takon 20 – vjeçarit për mosdhënie prioriteti këmbësorit. Sipas ekspertizës mjeko – ligjore rezulton se Dhurata Prifti ka marrë plagë të tilla që kanë shkaktuar shokun e rëndë traumatiko – hemoragjik. Sipas mjekëve, tek viktima janë konstatuar dëmtime të rënda të indit trunor, dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në gjymtyrët e sipërme. Andrea Memollari akuzohet nga Prokuroria për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, duke shkaktuar vdekjen e një personi”, e cila dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.