Edhe romët nuk rrinë dot më në Shqipëri

565
Romët dynden në tragetin e Vlorës
Reth dyqind familje rome nga Fieri, Lushnja, Korça dhe zona të tjera të vendit, të cilët janë në gjendje të vështirë jetese dhe me baraka të përmbytura, janë dyndur dje në Vlorë për t’u drejtuar fillimisht në Itali dhe më pas për të emigruar në vende të ndryshme të Europës. Gjendja e tyre vijon të jetë pa asnjë kusht minimal jetese dhe pothuaj të gjitha strategjitë e hartuara nga qeveria apo nga strukturat lokale, kanë dështuar. Po aq të pafrytshme kanë qenë edhe nismat e disa organizatave joqeveritare, të cilat merren me problemet e tyre.
Arratisë së romëve u bashkohen edhe egjiptianët
Që prej disa muajve shumë familje rome dhe egjiptiane të qytetit të Korçës, të Pogradecit dhe të Bilishtit morën rrugët e kurbetit për të mbërritur në Gjermani si emigrantë, pasi jeta në qytetet e tyre ishte bërë e pamundur për shkak të varfërisë, mungesës së punësimit dhe shpresës për një ditë më të mirë. Të tjerë romë dhe egjiptianë janë duke ikur. Emigrimi i familjeve shqiptare nuk përfundon këtu. Tashmë këtë përvojë të familjeve rome dhe egjiptiane kanë nisur ta ndjekin edhe mjaft familje korçare, të cilat ose kanë mbërritur në Gjermani, ose janë duke udhëtuar drejt saj, ndërsa familje të tjera janë duke u përgatitur për ikjen e madhe. Po ndodh kështu, pasi prej disa muajve në qytetin e Korçës ka filluar të thuhet se romët dhe egjiptianët shqiptarë janë të mirëpritur nga shtetet perëndimore. Të gjithë ata që kanë mbërritur në Gjermani do të mbahen së paku për dy vjet, ndërsa më pas do të shihet mundësia për një qëndrim më të gjatë. Madje thuhet gjithashtu se shtetet e Bashkimit Europian i mirëpresin romët dhe egjiptianët pasi ata e dinë mirë që këto komunitete janë të diskriminura, të varfëra, të mbetura pa punë, pa strehim, pa shkollim dhe pa mundësi minimale jetese. Situata më e fundit ka alarmuar edhe shoqatat rome dhe egjiptiane. Arben Kosturi, kryetar i shoqatës rome “Disutni Albania”, shprehet i shqetësuar mbi këtë gjendje të krijuar së fundmi, pasi këto shoqata nuk po e ndalin dot emigrimin e tyre. 
Korçarët mësojnë romisht 
Sipas Arben Kosturit, kryetarit të shoqatës rome “Disutni Albania” në Korçë, emigrimi drejt shteteve europiane rrezikon të marrë përmasa edhe më të mëdha. Tashmë nuk janë vetëm romët dhe egjiptianët që kërkojnë të ikin, por edhe familjet korçare. Këto të fundit po bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u pajisur me vërtëtime sikur i përkasin komunitetit rom ose egjiptian. Kur këto vërtetime nuk arrijnë t’i marrin dot nga kryetarët e shoqatave rome dhe egjiptiane, përpiqen t’i sigurojnë në rrugë të tjera të paligjshme. Madje jo vetëm kaq, korçarët tashmë kanë nisur të mësojnë edhe romisht. Minimalisht ata duhet të jenë të aftë t’u përgjigjen në gjuhën rome pyetjeve të tilla, si: “nga je?” “cilat janë arsyet e emigrimit?”, “a jeni të pajisur me vërtetim si rom apo egjiptian”, ose të dinë romisht shprehje të tilla, si: “jam i papunë”, “jam i pastrehë”, “asistenca sociale nuk mjafton as për një person” etj si këto, pasi shteti ku do të emigrojnë i merr në pyetje. Të paktën kështu përflitet. Epidemia e emigrimit si rom apo egjiptian, përveç qytetit të Korçës ka nisur të përhapet edhe në qytetin e Pogradecit dhe në atë të Bilishtit. Nuk është çudi që nga këto ethe të largimit nga vendi, të përfshijnë gjithë rajonin. Arben Kosturi, kryetar i shoqatës “Disutni Albania”, na shpjegon se deri më tani, numri i familjeve rome, egjiptiane dhe i familjeve korçare, (që i përkasin mazhorancës), për të tri qytetet e përmendura më sipër, (Korçë, Pogradec, Bilisht), ka shkuar në më shumë se 150 familje. Sigurisht, numri më i madh i familjeve të larguara i përket qytetit të Korçës, pasi në këtë qytet jeta është bërë mjaft e vështirë, ndërsa shpresat për përmirësim janë të pakta. Të gjithë po ikin… Megjithatë, thotë Arben Kosturi, ne po bëjmë gjithçka që ta ndalim këtë ikje, pasi e dimë mirë se që të gjithë do të rikthehen në Korçë, ndërsa shpenzimet e kësaj aventure do t’u rëndojnë mbi supe për një kohë të gjatë.
Protesta të romëve edhe në Elbasan
Banorët e lagjes pranë stacionit të trenit në Elbasan, janë revoltuar kundër varfërisë që mbizotëron në këtë zonë. Të irrituar ata thonë se nuk do të votojnë në 21 qershor, pasi të gjithë i kanë braktisur. Banoret e komunitetit rom në lagjen “Skënderbe” në Elbasan kanë protestuar për kushtet e jetesës. Të irrituar ata thonë se ndihen të diskriminuar, pasi jetojnë në një zonë, kur u bëhen vetëm premtime në prag zgjedhjesh, që nuk mbahen kurrë. Papunësia është problemi më kushtëzues për ta. Lagjja “Skenderbe” që ndodhet në afërsi të stacionit të trenit në Elbasan, për shkak të infrastrukturës, nuk ka kursyer dhe aksidentet, për fëmijë e të moshuar, ndërkohë që banorët ankohen dhe për vagonat e braktisur të trenit, që janë kthyer në strehë për të alkoolizuarit. Banorët kanë kërcënuar se nuk do të votojnë më 21 qershor, pasi ndër vite, të gjithë të zgjedhurit i kanë zhgënjyer, duke mos u kthyer më pas marrjes së votave.
Azili drejt Europës prek dhe Kukësin
Azili drejt Gjermanisë, pas Vlorës, ka prekur edhe qarkun e Kukësit, një ndër më të varfrit në vend. Sipas ekspertëve që merren me përkthimin e dokumentacioneve, cdo ditë nëpër zyra kontaktojnë me të paktën 10 familje që synojnë largimin drejt Gjermanisë, për të kërkuar azil. Ndonëse e dinë që do jetojnë në një kamp, sërish largimet janë masive, sidomos 4 muajt e fundit, thotë Kola. Fenomeni është vërejtur edhe në filialin e Universitetit të Tiranës në Kukës, ku vetëm gjatë muajve të fundit janë larguar nga auditoret më shumë se 30 studentë. 
Largimet masive, kanë qenë prezente gjatë 15 viteve në Qarkun e Kukësit, por 4 muajt e fundit shifrat janë rritur shumë. Epidemia e largimeve muaj më parë preku dhe Vlorën, ku u arrestua dhe pronari i një kompanie udhëtimesh, që dyshohet si organizuesi, me qëllim përfitimi.