Dyndje në spitale, mbi 100 raste në ditë në Infektiv

605
Temperaturat e larta, por jo vetëm, kanë rritur numrin e personave me infeksione gastro-intestinale në urgjencën e Shërbimit Infektiv. Çdo ditë, 100 deri në 120 vetë i drejtohen kësaj urgjence me probleme të ndryshme të aparatit tretës. “Vijnë me shqetësime si diare, të vjella e temperaturë. Është një numër i shtuar që mbingarkon personelin e urgjencës, pasi janë mbi 100 raste që paraqiten çdo ditë”, deklaron për “TCH” Arjan Harxhi. Nisur nga shifra e lartë, por dhe problematika që shfaqin pacientët, mjekët thonë se shkak kryesor është uji i pijshëm dhe konsumimi i ushqimeve të cilat nuk ruhen mirë higjenikisht. “Bëhet fjalë për nivel të ulët të higjenës dhe të përpunimit e ruajtjes së ushqimeve. Pra, rrugët janë qoftë përmes ujit kur është i kontaminuar, qoftë përmes ushqimeve që janë paraprakisht të kontaminuara”, thotë Harxhi. Ai u bën apel qytetarëve të bëjnë kujdes me ushqimet e përpunuara, apo ruajtjen e higjienës në ambientet familjare ku i gatuajnë ato, apo në përzgjedhjen e vendeve kur konsumojnë ushqim jashtë shtëpisë. Por ai ka dhe një mesazh për autoritetet shëndetësore. “Kur nuk jemi të sigurtë se uji që pijmë nga rubineti është i pastër, ai duhet të jetë i zier ose të konsumohet ujë i ambalazhuar. Vëmendje duhet edhe sa i takon cilësisë së ushqimit, si përpunohet, si ruhet, apo si gatuhet. Inspektoratet e ndryshme apo politikbërësit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj situate, sidomos në kohë sezonesh”, shton Harxhi. Por nuk janë të pakta dhe rastet kur të sëmurët paraqiten në urgjencën e Shërbimit Infektiv, kur fare mirë mund t’i drejtohen mjekut të tyre të familjes.
Sigal