Dy mjekë të spitalit dhe një në Ambulancën Qendrore dyshohen për receta fiktive

566
Skandali i barnave që ka shpërthyer prej disa ditësh dhe që ka vënë në pranga nëntë persona, duke nisur nga drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, një pronar i 4 farmacive në kryeqytet, si dhe shtatë zyrtarë dhe punonjës të farmacive që akuzohen “për vjedhje të ilaçeve të rimbursueshme”, ka shtrirje edhe në Elbasan. Burime të besueshme nga Prokuroria e Elbasanit thanë për “Telegraf” se “dy farmaci në këtë qytet po hetohen për lidhje me skandalin e barnave, po ashtu edhe dy mjekë të spitalit dhe një mjeke e Ambulancës Qendrore janë në proces verifikimi pasi kemi gjetur firmën e tyre në disa receta fiktive, që lidhen me barnat e të sëmurëve kronikë”. Sipas Prokurorisë, “dyshohet se nëntë personat e arrestuar dhe dy të shpallurit në kërkim kanë pasur lidhje me mjekët dhe farmacitë në Elbasan, por deri tani gjithçka mbetet në proces verifikimi”. Dyshohet se në bashkëpunim ata kanë marrë gjatë muajve të fundit miliona lekë. Shifra dyshohet se është shumë e madhe pasi akoma hetimet po vazhdojnë. Burimet hetimore thanë se “sasia e parave që janë vjedhur nga buxhetit i shtetit me skemën e recetave fiktive që rimbursohen arrin në mbi 7 miliardë lekë, një shifër kjo e konsiderueshme duke llogaritur që aktiviteti të jetë zhvilluar gjatë dy viteve të fundit”. Hetimet nisën para disa javësh. I njëjti burim nga organi i akuzës në Elbasan tha se “dosja kishte kohë që hetohej nga Prokuroria dhe ishte dërguar në organin e akuzës nga vetë Ministria e Shëndetësisë”. 
Maja e ajsbergut në krimin shëndetësor
Nëntë të arrestuarit e parë duket se janë vetëm fillimi i zbulimit të një skemë mashtrimi që shtrihet në nivele të larta. Përmes recetave fiktive që rimbursoheshin grupi kishte arritur që vetëm muajt e fundit të fuste në xhep miliona lekë. Dyshohet se edhe në Elbasan pronarët e dy farmacive dhe mjekët falsifikonin receta fiktive me emra pacientësh që i merrnin nga regjistrat e spitalit, plotësoheshin me barna të shtrenjta, kryesisht të sëmundjeve kronike dhe me vlera deri në 80-100 mijë lekë të reja, më pas u vendoseshin vula dhe firma false të mjekëve. Ndërkohë më pas ato ekzekutoheshin në farmaci dhe Fondi i Rimbursimit të Barnave u jepte farmacive paratë e rimbursimit sipas skemës së miratuar nga qeveria. Nga hetimet ka rezultuar se janë përfshirë në ketë skemë rreth 50 farmaci kryesisht në Tiranë, si dhe janë falsifikuar firmat e 80 mjekëve. Rastet e fundit janë zbuluar në dy poliklinika kryesore në Tiranë, por duket se skandali ka shtrirje edhe në Elbasan. Rezultoi se recetat ishin fiktive dhe firmat të falsifikuara. Shumën kryesore të rreth 7 miliardë lekëve dyshohet se e kanë përfituar 4 farmaci në Tiranë, por po hetohet se kush politikan dhe zyrtarë të lartë fshihen pas tij. Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, renditet ndër personat kyç të skemës së abuzimit, por duket se janë dhe personazhe të tjerë të rëndësishëm, duke nisur nga Ministria e Shëndetësisë dhe deri tek politikanë apo deputetë. Skema e vjedhjes rezulton të jetë kriminale, pasi në këtë mënyrë jo vetëm vidhen paratë e taksapaguesve shqiptarë, por u hiqet mundësia e rimbursimit personave që përfitonin ilaçe të shtrenjta për sëmundje të rënda. Prokuroria ka bërë gati edhe disa urdhër arreste por nuk ndalon këtu zinxhiri i arrestimeve, pasi burimet hetimore thanë se “ato mund të shtrihen edhe në qytete të tjera, duke nisur pas Tiranës, ndoshta nga Elbasani”. 
Sigal