Dy kontingjente me trupa nga Forcat e Armatosura u nisën për në Afganistan, Koçi: Nga kontributi për tërmetin, në misionin e NATO-s

588
Sigal

Dy kontingjente me trupa nga Forcat e Armatosura u nisën sot për në Afganistan, ku për rreth 6 muaj do të shërbejnë në dy baza të ndryshme në misionin e NATO-s, Resolute Support.

Kontingjenti i parë i përbërë nga pjesëtarë të Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të dislokohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ndërsa grupi i dytë nga Forcat Speciale do të shërbejë në Bagram.

Zëvendësministri Koçi e konsideroi nisjen e trupave në mision si ditë të shënuar për FA dhe vuri në dukje pjesëmarrjen e trupave tanë në të gjithë misionet e NATO-s.

“Sot është një nga ditët e krenarisë të FA sepse dy kontingjente, një togë e Batalionit të Mbështetjes në Luftim dhe një grup nga Batalioni Special nisen për në Afganistan, përkatësisht në Kabul dhe në Bagram. Është një mision i vështirë, por që përputhet plotësisht me misionin kushtetutës të FARSH. Është detyrë e Forcave tona të Armatosura, është detyrë e Republikës së Shqipërisë si anëtare e NATO-s për ti shërbyer angazhimeve tona që ne kemi marrë përsipër përkundrejt kësaj aleance historike.”– u shpreh zoti Koçi.

Toga e Batalionit të Mbështetjes me Luftim do të jetë kontingjenti i VII shqiptar në misionin Resolute Support në Kabul, ndërsa grupi i Forcave Speciale në Bagram, do të jetë kontingjenti i IV që trajnon kolegët e tyre afganë.