Durrës, rivarroset si dëshmor efektivi Agron Dragoj, u vra në vitin 1997

605
DURRËS – Nga sot eshtrat e Agron Dragojt, ish efektiv i forcave detare të Durrësit, i vrarë 18 vjet më parë, do të prehen përjetësisht në varrezat e dëshmorëve sëbashku me dëshmorë të tjerë të cilët kanë dhënë jetën për vendin e tyre.
Një ceremoni mortore disi e pazakontë u organizua në Durrës, nga Bashkia dhe Komanda e Forcave detare, për ish efektivin e vrarë në vitin e mbrapshtë të 1997, i shpallur dëshmor disa muaj më parë.
Agron Dragoj u vra në Përmet, kur banditë të armatosur nisën të plackisnin tregëtarët e vegjël dhe teksa u gjend në mbrojtje të tyre nga ky sulm ai u ekzekutua nga banda, në atë kohë vetëm 23 vjeç.
Fillimisht u kryen homazhe në hollin e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” nga të afërm, familjarë dhe pushtetarë lokalë të qytetit të Durrësit.
Kurora me lule u vendosën nga kryebashkiaku Vangjush Dako, Prefekti Roland Xhelilaj si dhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj.
Më pas u krye vendosja e eshtrave të Dragojt në varrezat murale të Dëshmorëve të qytetit të Durrësit.
Kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj tha se “çdo kohë ka dëshmorët e vet. Dragoj dha jetën duke mbrojtur jetën e qytetarëve.” 
Sigal