Durrës, pezullohet nga detyra drejtoresha e Spitalit Rajonal

111
Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata lokale ka vendosur masën “pezullim nga detyra” për drejtoreshën e Spitalit Rajonal, Ardjola Frashëri, e dyshuar për konsumimin e veprave penale “shpërdorim të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tendera”. Sipas një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar veprimtarinë ekonomike të Spitalit Rajonal të Durrësit për periudhën 2013-2015. 
Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se, në të paktën 23 raste, drejtoresha Frashëri, si edhe ish-drejtori Taulant Baku, i cili gjithashtu është nën hetim, kanë urdhëruar kryerjen e prokurimit publik me procedurën e “negociimit pa njoftim paraprak”. Në bazë të ligjit “Për prokurimin publik”, kjo procedurë aplikohet vetëm në raste emergjente. Nga hetimi i deritanishëm i prokurorisë rezulton se prokurorimet publike me negocim pa njoftim janë kryer në shkelje të ligjit, për faktin se nuk ka pasur asnjë arsyetim për kushtet e emergjencës. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik i shkaktuar nga këto veprime llogaritet në vlerën e rreth 70 milionë lekëve.