Durrës, ja si Ujësjellësi abuzon me fondet publike

568
Sigal

PROTESTË/ Banorët e ish-Kënetës: Rrjeti i mëparshëm funksionon. Tani po na detyrojnë të blejmë tubacionet dhe sahatet të rinj

Dhjetëra familje në zonën e ish-Kënetës kanë protestuar në afërsi të mbikalimit nxjerrës nga zona e ish-Kënetës në autostradë, pranë një tregu të improvizuar fruta perimesh, ndaj Ujësjellësit të Durrësit. Protesta ka pasur si objektiv kundërshtie një investim të dytë që po kryhet për rrjetin e Ujësjellësit në këtë zonë dhe që sipas tyre, është duke bërë që investimi i mëparshëm të dalë jashtë funksionimit. Sipas banorëve në këtë protestë, ata kanë deklaruar se, specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Durrësit janë duke bërë shtrirjen dhe sjelljen e tubacioneve plastike deri në mes të rrugës dhe me pas po ju kërkohet banorëve që të bëjnë blerjen e tubacioneve dhe pajisjeve të tjera që do të integrohen në  rrjetin e Ujësjellësit të kësaj zone me një kosto të madhe për ta.

Banorët

Banorët shprehen se, shumat monetare që ju duhen për të përballuar furnizimin e tyre me ujë variojnë nga 150 deri në 500 mijë lekë të vjetra, lekë këto që do t’u shërbejnë për të bërë blerjen e tubave të ujit të pijshëm, sahateve të reja etj.. Ata theksojnë se në të gjithë zonën e ish-Kënetës po shtrohet rrjeti i ri i Ujësjellësit dhe po vendosen matësit e rinj, duke bërë që rrjeti i venë vetëm pak vite dhe investimi i kryer të dalë jashtë funksioni. Banorët thanë se në investimin pilot që është bërë kanë qenë vendosur tubacionet dhe matësit pranë çdo banese, por tashme Ndërmarrja e Ujësjellësit është duke e bërë përqendrimin e matësave në krye të çdo rruge, gjë që shoqërohet me spostime të sahateve dhe për këtë ata theksojnë se investimi i dytë është abuziv. Për këtë ata theksojnë se investimi është i panevojshëm dhe kërkojnë që Ujësjellësi t’i furnizojë me ujë sipas kontratave të firmosura me konsumatorët në zonë. Banorë të tjerë janë shprehur se përmes këtyre dy lloje punimesh janë shpërdoruar shuma të mëdha lekësh. Ndërkohë, tubacionet që janë duke u vendosur janë tubacione gome, ashtu si ato para 10 vjetëve, janë shprehur ata. Duke qenë se ata do ta paguajnë ujin, ashtu si të gjithë, kërkojnë që tubat e ujit, tu shkojnë në banesa dhe pa pagesa, pasi këto i takojnë ndërmarrjes që shet ujin, thanë ata. Ndërkohë, shprehin dyshime për bashkëpunim të mundshëm të specialistëve të ndërmarrjes me tregtarët e tubacioneve dhe sahateve, për t’u gjetur treg.

Protestat e vazhdueshme në ish-Kënetë

Protestat kundër Ujësjellësit kanë qenë të vazhdueshme në ish-Kënetë. Ndaj shkatërrimit të tubacioneve ekzistuese ka pasur protesta dhe ankesa zyrtare. Banorët shkatërrimin e tubacioneve të vendosura më parë e kanë cilësuar si krim ndaj investimeve publike në zonë. Madje, ka pasur edhe një denoncim që i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit ( Sektorit të Krimit Ekonomik) me kërkesën për ndjekje ligjore ndaj shkatërrimit të investimeve dhe veprave publike në zonën e ish-Kënetës nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës me drejtor Dokleat Ademin. Denoncuesi ka deklaruar në polici se në ish-Kënetë janë shpenzuar për rrjetin ujor, elektrik e rrugor rreth 4.6 milionë Euro, të cilat po groposen pas “ i ka marrë lumi si pasojë e mos planifikimit racional e perspektiv”, thuhet në deklaratë.