Revoltohet Mitropoliti: “Dokle komunist, ka fyer figurën e Shën Kozmait”. Dokle: “U frymëzova nga Kadareja”

481
Sigal

Skandal në Teatrin e Korçës, ndërpritet drama “Shën Maria e Beratit”, kërkohet dorëheqja e drejtoreshës

Ka dashur të shkruajë një dramë njerëzore me personazhe nga universiteti fetar, por gati, e ka pësuar si Selman Ruzhdie, i cili pas krijimit të “Vargjeve Satanike”, ka kërkuar azil politik në Britani. Namik Dokle, politikani dhe autori i dramës, “Shën Mëria e Beratit”, është paralajmëruar të mos shkelë më në Teatrin e Korçës, të paktën gjersa ky incident të harrohet. Në këtë rast, Dokle ka dashur të imitojë, Dan Braunin, ose të paktën Kadarenë, por që në tentativën e parë, në vend të duartrokitjeve të spektatorëve ka marrë kërcënimet e Mitropolitit të Kishës, i cili e quan, atë, një “komunist”, që “shkruan drama mediokre”. “Ideja e parë për ta shkruar këtë dramë më ka lindur nga disa ese të Ismail Kadaresë, sidomos nga “Dialog me Alain Bosque”, shprehet Dokle, i cili ndihet shumë i shokuar nga reagimi që krijoi tentativa e tij dramaturgjike. Nga ana tjetër gjatë incidentit të djeshëm edhe disa nga spektatorët korçarë dukeshin të revoltuar, ndërkohë që, ata më tolerantët thoshin: Ishte mirë me politikë, ç’ju desh dramaturgjia?!

  Ankth në teatrin “Andon Zako Çajupi”

Në teatrin “Andon Z.Çajupi” gjatë ditës së djeshme ka ekzistuar një pështjellim e ankth i plotë dhe shfaqja e dramës “Shën Maria e Beratit” është ndërprerë. Ndërprerja ka ardhur pas reagimit të Mitropolisë së Korçës dhe disa prej besimtarëve të këtij qyteti. Arsyeja e bllokimit të kësaj shfaqjeje, sipas deklaratës së Mitropolisë, vjen, pasi  “shfaqja fyen ortodoksët korçarë”. Në këtë rast, shkrimtari nga Kukësi, ka dashur të shkruajë diçka për Shën Mërinë e Beratit, por është penalizuar në Korçë. Duke parë këtë reagim kundërshtues, Dokle ka vendosur që ta ndërpresë karrierën e tij dramaturgjike, pikërisht, pak kohë pasi e kishte filluar atë, në moshën 65- vjeçare. Kjo ndodhi, sepse deklarata e Mitropolisë ishte tepër e ashpër dhe agresive: “Kjo dramë blasfemuese ndaj ndjenjave të komunitetit ortodoks dhe institucionit të Kishës Ortodokse, u luajt me paturpësinë më të madhe në nivele artistike mediokre, përpara qytetarëve të Korçës. Me një skenar bazuar tërësisht mbi gënjeshtra historike, të tipit PPSH”, thuhet në deklaratë. Më poshtë deklarata, i bën thirrje Dokles, që të mos fyejë dhe provokojë besimtarët ortodoksë. “Patriarkana Ekumenike është institucioni më i lartë i Kishës Ortodokse dhe nuk mundet të përgojohet nga një lloj Dokle, ndërsa sa për Shën Kozmain është një nga figurat më të larta dhe të nderuara në këto treva dhe në gjithë ortodoksët. Ju me paturpësinë tuaj dhe tendencat tuaja jo vetëm komuniste nuk mund ta trajtoni si një njeri që zgjon djajtë dhe për më shumë si hajdut ikonash, sikundër jeni ju dhe raca juaj e politikës që e kini vjedhur, rrjepur dhe grabitur këtë popull”, thuhet në deklaratë.

Mbrojtja e Dokles

Nga ana  e vet, pas incidentit, Dokle ka dashur të sqarojë se thelbi i dramës së tij, është: “Përpjekja e intelektualëve të çdo kohe për të mbrojtur identitetin kombëtar të popullit tonë, në një luftë të ashpër me ata që nuk e dëshironin një gjë të tillë, qofshin brenda apo jashtë nesh”. Megjithatë, duket se ngjarja ka krijuar një prapaveprim të shpejtë, sepse në deklaratën e Mitropolisë së Korçës është kërkuar që drejtoresha e teatrit “Andon Zako Çajupi” të japë dorëheqjen. “Ku e gjeni kurajën ta trajtoni në këtë formë Komunitetin Ortodoks dhe Kishën Ortodokse. Më e pakta që duhet të ndodhë është që drejtoresha e teatrit, Zamira Kita, të japë dorëheqjen së bashku me këshillin artistik të bashkisë”, thuhet më tej në reagim.

Reagimi i Dokles

“Ngjarjet e dramës “Shën Maria e Beratit” shtyhet shumë në kohë, në të dalë të Mesjetës, por ka edhe ajo frymëzimet e kohës, sepse shkrimtari, kurdo që ta vendosë ngjarjen, niset nga ca përjetime, dëshira, mesazhe që do të përçojë në kohën kur shkruhet një vepër. Kjo është një dramë që i kushtohet përpjekjeve shekullore të njerëzve të shquar, për të garantuar mbijetesën e identitetit, traditës dhe të shpirtit të kombit shqiptar. Në qendër të saj është jeta e një piktori që në një kishë të Beratit pikturon Shën Marinë me Krishtin në krah të djathtë. Kështu quhet një nga ikonat më të shquara të Onufrit, të cilit i kam huazuar vetëm emrin e ikonës dhe vendndodhjen e saj.