Droga që po mbyt e çmend Evropën, ministri Tahiri mban fjalime “suksesi” kundër trafikut të saj

86
Vjollca KUTA 
Deklarohet se janë hedhur në veprim 3500 policë për të parandaluar mbjelljen e hashashit, por lihet i lirë trafikimi i prodhimit të mbledhur
– Prokurori i Antimafia-s italiane i ka cilësuar trafikantët shqiptarë, si “kapo të trafikut”, ka kërkuar nga policia shqiptare, masa urgjente për bllokimin 
Mbjellja, kultivimi, prodhimi, përpunimi, paketimi, magazinimi, menazhimi në tregun vendas dhe trafikimi i drogës jashtë kufijve drejt vendeve të rajonit dhe BE, rezulton një biznes kriminal i zhvilluar lirshëm dhe me shumë sukses në gjithë territorin e vendit, jo vetëm i pa shqetësuar nga policia, por edhe i mbështetur prej saj me drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe bashkëpunim si “ortake” përfitimesh në masën 30% të prodhimit! Faktet janë konkrete dhe nuk ka asnjë “lustraxhi” në kupolën e “Rilindjes” që t’i “retushojë” apo t’i mohoj, paçka se është tentuar sa herë kapen tonelata drogë prodhim shqiptar në Itali, Greqi, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë e deri në Turqi dhe Gjermani. Dje, policia italiane kapi përsëri 1.2 ton drogë prodhim shqiptar, të nisur nga bregdeti shqiptar. këtu nuk bëhet fjalë për 1 gramë hashash, por për 1200 kilogramë, pra për një furgon të mbushur plotë, i cili është prodhuar, përpunuar, paketuar e ngarkuar në gomone dhe është nisur qetësisht drejt Italisë, pikërisht nga kufiri detar shqiptar që ministri Saimir Tahiri deklaron se nuk “kalon as mushkonja”! Në fakt nga qielli kanë hyrë e janë ngarkuar dhe kanë rënë “mushkonja” (avionë) që trafikojnë drogën shqiptare. Në zonat bregdetare e ato malore janë ndërtuar e “kolauduar” edhe pista avionësh droge që vijnë nga Italia! Mbi qiellin shqiptar, ditë e natë dëgjohen uturima avionësh që testojnë vendet se ku mund të ulen për të marrë drogën. Dhe “çuditërisht”, policia “nuk i dëgjon” këto uturima avionësh edhe kur njoftohet nga banorët e zonave ku ata fluturojnë e ulen, të cilët kërcënohen të heshtin ose edhe kur njoftojnë policinë, nuk ka asnjë ndërhyrje prej saj! Po kaq “çuditërisht”, policia nuk “shikon” asnjë skaf apo gomone që niset nga kufiri bregdetar shqiptar, paçka se ministri Tahiri, deklaron se “ka patrullim të rreptë e vigjilent të kufirit!” E po kështu, i hapur për kalimin e drogës është lënë edhe kufiri tokësor me katër shtetet kufitare shqiptare Greqi, Maqedoni, Kosovë e Mali i Zi, prej nga kalojnë dhjetëra, qindra e mijëra kilogramë drogë prodhim shqiptar që transportohet me autovetura, furgonë, kamionë, autobusë, çanta, thasë e kuaj! Kush i ka hapur portat e kufirit?! Kush mbyll sytë? Nga i merr urdhrat e mbylljes së syve polica kufitare që bën sikur “nuk i shikon” dhe nuk ndalon?! Ka një absurd që po e bën komik ministrin Tahiri: përditë kapet drogë në vendet fqinje të BE e të Rajonit, ndërsa Ministri i Brendshëm deklaron se “ka arritur sukses të plotë në luftën kundër prodhimit dhe trafikut të drogës”, ndërsa kryeministri duke i lejuar vetes të bëhet qesharak, del nëpër media e “FB” dhe deklaron: “Në Shqipëri nuk ka asnjë gjethe e asnjë gramë hashash”! Kujtojmë, që dy ditë më parë, Prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti, denoncoi një fakt të rëndë që “nxin” punën e policisë shqiptare e të kupolës qeverisëse të “rilindjes”, duke deklaruar: Shqiptarët në top listë për tregtimin e drogave të lehta”! Dje, në Bari të Italisë u kap 1.2 ton drogë prodhim shqiptar, ndërkohë që një javë më parë, Prokurori i Barit, eksperti anti-krim Giuseppe Volpe, ka qenë në zyrën e kryeministrit Rama, i cili thotë se “në Shqipëri nuk ka drogë” dhe në zyrën e ministrit Tahiri, i cili deklaron se “ka asgjësuar drogën prodhim shqiptar dhe se nga kufiri shqiptar nuk trafikohet asnjë gram drogë”!
Alarmi i Prokurorit të Antimafies italiane: Shqiptarët në top listë për tregtimin e drogave të lehta
Prokurori i Antimafias italiane, Franco Roberti ka dhënë një panoramë të gjerë të krimit në Itali, duke thënë se “në Itali prej kohësh nuk ekziston vetëm mafia siciliane, Kamorra dhe Ndrangeta por edhe një organizatë e katërt e padepërtueshme e ashtuquajtura “Shoqëria foxhiane”. Në një takim të zhvilluar me studentët e qytetit të Foxhias, prokurori kombëtar i antimafias dhe anti-terrorizmit, nuk la pa përmendur edhe lidhjet e Shqipërisë me këtë vend të drogës. “Foxhianët sot janë liderë të trafikut të substancave narkotike në Itali falë raportit të privilegjuar me shqiptarët, që sot pas amerikano-jugorëve janë trafikantët më të mëdhenj të drogave të lehta në botë,” tha Roberti, shkruan “La Republica”. “Kemi sekuestruar sasi shumë të mëdha hashashi e marijuane, me tonelata dhe prandaj jo rastësisht ishim javën e kaluar në Shqipëri me prokurorin e Barit, Giuseppe Volpe”,-tha Prokurori i Antimafias italiane.
Dje në Itali dhe Greqi, kapen 1.3 ton drogë shqiptare, kaluar nën “hundën” e policisë “Tahiri”
Autoritetet italiane kanë ndaluar një tjetër gomone të fuqishme me drogë që po udhëtonte nga Shqipëria drejt brigjeve italiane. Drejtoria Antimafia e Policisë së Barit në bashkëpunim me repartin territorial të policisë financiare të komunës së Barleta e Molfeta kanë sekuestruar një gomone me drogë me prejardhje nga Shqipëria si dhe kanë arrestuar dy skafistët shqiptarë, banues në Vlorë, shtetasit H. E. 37 vjeç e M. H 34 vjeç. Gomonia e gjatë rreth 9 metra dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm jashtë bordit është ndaluar nga roja bregdetare e financës italiane pas disa minuta ndjekjeje në brigjet e qytezës Molfeta. Në bordin e saj janë gjetur 52 pako me peshë totale 1 ton e 215 kilogramë marijuanë me vlerë 12 milionë euro, të nisur nga Shqipëria.