Drejtorët e rilindjes regjistrohen në universitete në vitin e parë

567
Sigal

Afro gjysma e drejtorëve të emëruar, rezultojnë pa arsimin e lartë. Gazeta “Telegraf” ka burime të sigurta që konfirmojnë faktin se “në pothuajse të gjitha qytetet pas verifikimeve dhe konstatimeve, ka rezultuar se ka persona të emëruar në poste drejtuesish nga ministrat dhe deputetët e zonave në qarqe, që nuk e kanë arsimin e lartë, dhe janë regjistruar për vitin e ri akademik në Universitetin e Korçës, Elbasanit dhe Durrësit, në vitin e parë, gjë e cila ka qenë ultimative nga shefat e tyre për të mbajtur vendin e punës”. Emërimet e drejtuesve pa plotësuar kriteret elementare siç janë arsimimi dhe eksperienca në detyra të tjera, mbetet skandali më flagrant që duket se nuk ka shqetësuar shumë edhe ata që i emëruar ata 1 vit e gjysmë më parë. Burimet nga këto universitete thanë se “janë të regjistruar në vitin e parë për ekonomik, gjuhë e letërsi, juridik dhe shkencat politike, madje me kohë të plotë, dhjetëra persona që sot mbajnë poste drejtuese në ndërmarrje dhe institucione, duke deklaruar se “e kemi fakultet të dytë”. Madje të njëjtat burime thanë se “me dorëzimin e dokumenteve në sekretaritë e këtyre universiteteve, ata kanë pasur edhe fotokopje të diplomave nga disa prej universiteteve private të cilat sot rezultojnë të mbyllura nga MAS”. Ky natyrisht përbën një turp të madh dhe skandal, pasi në garën e konkurrimeve për postet e drejtuesve të hapura qysh në 1 tetor 2013, kanë qenë të regjistruar dhjetëra e dhjetëra emra të cilët kishin mbaruar studimet madje edhe në shumë prej  universiteteve të Europës, por që nuk “kanë kapur pikët maksimale”. Emërimi i militantëve në postet drejtuese, me të vetmin kontribut, atë për marrjen e sa më shumë votave në 23 Qershor 2013 për PS dhe LSI, pa u futur fare në konkurse, natyrisht tregon mentalitetin e forcës dhe të keqpërdorimit të postit në radhë të parë nga ata ministra që kanë firmosur. Asnjë drejtues në pothuajse të gjitha qytetet kryesore nuk ka kaluar fillimisht në filtrin e konkurrimeve dhe komisioneve që gjoja u ngritën për të përzgjedhur njerëzit e duhur për ato poste. Shumë pak prej tyre janë përzgjedhur brenda kritereve  ligjore dhe profesionale. Burime nga degët e PS dhe LSI në rrethe u shprehën se, “po t’u futesh verifikimeve, ndoshta do të dalin drejtues edhe pa shkollën e mesme, por që në CV e tyre, kanë deklarua se kemi edhe arsimin e lartë, pavarësisht se janë regjistruar në vitin e parë, dhe me kohë të plotë në disa prej universiteteve shtetërore”. Kjo  gjë nuk ka ndodhur edhe në 1945, pasi edhe asokohe PKSH nuk mori guximin të emëronte partizanët e saj drejtorë, por mbajti edhe për shumë vjet ata që kishin arsimin e lartë, dhe që fatmirësisht e kishin mbaruar në perëndim. Por ja që ndodh në 2014, ku pavarësisht se ka me qindra studentë të cilët kanë Master dhe Doktoraturë që presin të konkurrojnë dhe kapin ndonjë vend drejtuesi, sërish më të “privilegjuarit” mbeten trimat e fushatave  elektorale, grumbulluesit e votave për kandidatët e pushtetit, dhe kjo është edhe praktikë e trashëguar. Po përse duhet të trashëgonin edhe këta që sot kanë pushtetin praktika të tilla, kur thanë se ne do të rilindim  gjithçka në këtë vend ?  Qytetarët sërish përballen në institucionet e shtetit me drejtues inkompetent, të paaftë, të pashkolluar, që edhe vetë e dinë se, janë aty aksidentalisht. Por pavarësisht këtyre problematikave, mbajnë  poste dhe sot  drejtojnë  administrata, ekonomistë e inxhinierë,  juristë  e  projektues, dhe firmosin kontrata dhe tendera që lidhen me fatin e investimeve  publike në qytetet tona. Pavarësisht se nuk e kanë arsimin e duhur, si kriterin e patjetërsueshëm në garën për postet drejtuese, ka prej tyre që u bëjnë karshillëk  njerëzve me grada shkencore, madje i sfidojnë ata edhe me përbuzje, pasi pas tyre janë ministrat. Ka pasur edhe raste kur dikush i ka pyetur për kurajon që kanë në pranimin e një detyre të tillë, por përgjigja ka qenë sërish sfiduese “postin e kam blerë, nuk ma ka bërë asnjë dhuratë”. Thonë se Rama nuk i di këto që ngjasin poshtë në rrethe, sepse “ka axhendë të ngjeshur” më thoshte një miku im deputet.

Artur AJAZI