Dr. Alqi NAQELLARI/ Pavarësia dhe dështimi i Bankës Qendrore

887
Sigal

Po bëhen një sërë debatesh mbi pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Ata që i bëjnë këto debate fillojnë që nga njerëzit e thjeshtë, gazetarët, ekonomistët e deri te kryeministra e ish- kryeministra, ministra e ish- ministra, ambasadorë e ish- ambasadorë, ish- presidentë dhe jo president. Debati për pavarësinë e Bankës Qendrore, prej tyre ka marrë vetëm një drejtim, se kush ka të drejtë ta shkarkojë Guvernatorin dhe jo se cilat janë me të vërtetë pikat ku Banka Qendrore është e pavarur nga shteti dhe në cilat pika varet prej tij. Shkurt, thuhet “ajo është e pavarur dhe qeveria nuk e shkarkon dot guvernatorin”. Thuhet me anë se po iku Fullani kushedi se çfarë do ndodhë, mbase do bëhet kiameti, thuhet akoma nga më të moderuarit se po u largua Këshilli Mbikëqyrës do të krijohet një ngërç, etj., etj., sepse Banka Qendrore është e pavarur.

Unë jam kundër këtyre mendimeve se po iku Fullani dhe Këshilli i Mbikëqyrjes do bëhet kiameti. Për mendimin tim, nga analizat e deritanishme që unë dhe kolegët e mi kemi bërë për vite me radhë, kam nxjerrë konkluzionin se, nëse këta bëjnë dorëheqje, puna në Bankë do shkojë më mirë dhe jo më keq. Këta me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë bërë që politikat monetare të bankës të jenë apatike, duke humbur efektin kryesor të tyre, efektin e transmisionit. Duke i humbur ky efekt këtyre politikave atëherë ku qëndron rëndësia e Këshillit të Mbikëqyrjes? Vetëm të marrë vendime për pagat dhe shpërblimet e majme, vetëm të miratojë bilancet me sy të mbyllura, vetëm të miratojë ato çfarë paraqet Guvernatori në Këshill? Këshilli i Mbikëqyrjes duhet, që ditën e parë që u konstatua vjedhja, të kishte dhënë dorëheqje unanime dhe t’i kishte krijuar mundësi Prokurorisë të hetonte në thellësi problemin dhe jo të vazhdonte punën sikur të mos kishte ndodhur gjë. Si mundet ky Këshill në datën 14.8.2014 të publikojë një Deklaratë për shtyp, tejet të turpshme dhe të papërgjegjshme. Lexoni se çfarë thuhet në pikën 2 të saj: “Duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e madhe të publikut si dhe për të garantuar mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen, kemi analizuar në vazhdimësi të gjithë elementët për të kuptuar shkaqet e ndodhjes. Grupet e punës të ngritura për të bërë vlerësimin administrativ të respektimit të procedurave, kanë arritur në përfundimin se nuk ka shkelje ligjore nga ana e Këshillit Mbikëqyrës dhe e Administratorëve, se i gjithë kuadri ligjor dhe rregullator është i plotë dhe garanton administrimin e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë dhe të sektorit bankar. Në mënyrë të veçantë, u verifikua baza rregullatore dhe ajo procedurale që trajton ruajtjen, përpunimin dhe sigurinë fizike të parasë cash, nga ku konfirmohet se në vazhdimësi ajo ka qenë e mjaftueshme për të eliminuar çdo boshllëk ligjor që mund të krijonte keqinterpretime apo kuptime të dyfishta në lidhje me përgjegjësitë individuale të çdo punonjësi të përfshirë”. Sipas konstatimeve të vetë punonjësve të saj dhe jo të ndonjë institucioni tjetër të pavarur, kombëtar apo ndërkombëtar, në Bankë çdo gjë ka qenë në rregull dhe askush nuk mban përgjegjësi, përgjegjësi mban vetëm ai hajduti që u vetëdorëzua, “është elementi njerëzor, -sipas saj – i cili me veprimet apo mosveprimet e tij ka lehtësuar punën e elementit kriminal për të realizuar vjedhjen?! Ky është një konstatim i vërtetë. Po kush është ky element njerëzor? Ata kanë emra. Përgjegjësinë kryesore këtu e mbajnë pikërisht aparati ekzekutiv dhe aparati legjislativ i bankës, guvernatori, zëvendësat, drejtorët e departamenteve dhe Këshilli Mbikëqyrës, janë ata përgjegjës për vendimet e nxjerra, për rregulloret e hartuara, për njerëzit e punësuar e për gjithçka tjetër. Në Deklaratën e publikuar këta po ju tregojnë shqiptarëve se kanë punuar shumë mirë dhe se i paska lavdëruar edhe bota, se paskërkan përballuar edhe krizën…. Unë do thoja se Banka e Shqipërisë ka dështuar në realizimin e objektivave të saj. Konkretisht në pikën 10 të kësaj Deklarate theksohet:” Rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë janë të prekshme për të gjithë; ato janë gjithashtu të njohura e të vlerësuara nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Duke gjykuar veprimtarinë e institucionit, Këshilli Mbikëqyrës sjell në vëmendjen e publikut shqiptar: Mbajtjen nën kontroll të inflacionit; ruajtjen e vlerës së kursimeve të qytetarëve dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e sistemit financiar gjatë 17 viteve të fundit. Gjykimi im është se BQ nuk e kontrollon dot inflacionin, sepse inflacioni në Shqipëri është i importuar dhe jo monetar. Lidhja midis normës bazë të interesit dhe inflacionit është e njëjtë, në një kohë që duhej të ndodhte e kundërta. Kjo tregon se BQ në këtë tregues nuk ka asnjë influencë. Politika e saj në këtë zë ka dështuar. Sa i përket zhvillimit financiar mjafton të them se në Shqipëri nuk ekziston bursa, Shqipëria mbështetet vetëm në Banka, sepse institucionet e tjera kapin një peshë fare të vogël.

Zgjerimin e sistemit bankar dhe mbështetjen që ai i ka dhënë zhvillimit ekonomiko – financiar të vendit

Gjykimi im. Nuk është shumë e vërtetë që kanë dhënë ndonjë rezultat të dukshëm kreditë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Për këtë mjafton të shikohen raportet midis depozitave dhe kredive në lekë dhe në valutë, destinacioni i kredive, shpërndarja sipas sektorëve dhe zonave të vendit, në lekë dhe në valutë, për individë dhe për biznese, etj dhe do të shikoni që Bankat Tregtare kanë vepruar sipas interesave të tyre dhe jo në ndjekje të politikave monetare të zbatuara nga Banka e Shqipërisë. Bujqësisë i është akorduar vetëm 1.8% e totalit të kredisë në një kohë që zë afro 20% të PBB-së.

Përballimin e epidemisë së krizës së rëndë financiare që shpërtheu në vitin 2008, pasojat e së cilës janë të pranishme edhe në ditët e sotme

Gjykimi im është se Banka e Shqipërisë nuk ka përballuar asnjë gjë sepse në Shqipëri kriza financiare nuk ka pasur ndonjë pasojë të dukshme negative, përkundrazi ka pasur disa efekte pozitive. Disa nga arsyet që nuk ka pasur ndikim negativ janë: sistemi financiar shqiptar është i shekullit të XVIII që bazohet vetëm në banka, nuk ka tregje të kapitaleve, nuk ka kapital financiar që është kapitali industrial i lidhur me atë bankar, bankat mëma të bijave që veprojnë në Shqipëri nuk u prekën nga kriza etj, etj.  

Mbikëqyrjen dhe marrjen e masave të vazhdueshme për të garantuar stabilitetin financiar të sistemit

Gjykimi im. Po për çfarë stabiliteti mund të flitet këtu kur rreth 24% e kredive janë me probleme, kur tre banka sipas FMN-së kanë disa vite që dalin me humbje kur tre të tjera nëse nuk rikapitalizohen do dalin me humbje, pra në 16 banka 6 janë me probleme?

Shmangien e injektimit të fondeve publike në bilancet e bankave, një fenomen mbizotërues ky gjatë krizës në shumë vende të rajonit

 Gjykimi im. Kjo është një  pallavër. Nuk e ka shmangur Banka Qendrore injektimin e fondeve shtetërore në bankat tregtare sepse nuk kanë qenë ato kushte që ishin në vendet e tjera. Meqë jemi në këtë pikë le të japi përgjigje pyetjes se pse janë marrë 100 milionë dollarë kredi nga FMN-ja për të mbështetur sistemin financiar?

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës siguron opinion publik se brenda kuadrit të pavarësisë që i njeh Kushtetuta dhe Ligji i saj organik, Banka e Shqipërisë i ka të gjitha kapacitetet e mjaftueshme për të adresuar këtë ngjarje në të gjithë dimensionet e saj.

Gjykimi im. Ngjarja ka adresë dhe adresa është veç hajdutëve, Guvernatori, zv/guvernatorët  me Drejtorët e Departamenteve dhe Këshilli Mbikëqyrjes. Nuk ka tjetër për tu përgjigjur, nuk do përgjigjet FMN-ja, apo BB-ja që ju kanë lavdëruar.

Në fund të kësaj Deklarate ky Këshill ka konstatuar se: “në media apo në rrjetet sociale janë hedhur në publik edhe qëndrime jo të përshtatshme apo jo të vërteta, të cilat cenojnë kolonat institucionale mbi të cilat Banka e Shqipërisë kryen aktivitetin e saj. Pavarësia dhe profesionalizimi janë dy kolonat më të rëndësishme të një banke qendrore”… U paska rënë namuzi këtyre të këshillit se u paskemi cënuar profesionalizmin dhe pavarësinë. Për çfarë profesionalizmi bëhet fjalë, për profesionalizmin e anëtarëve të Këshillit të Mbikëqyrjes? Tanimë i njeh i gjithë populli me gisht këta “shkencëtarë” të famshëm që marrin pagan në dhjetëra institucione të tjera, tanimë njihen edhe CV-të prandaj nuk ka nevojë të na thotë kush se sa profesionalistë janë. Po të ishin profesionalistë, Banka nuk do ishte vjedhur. Sa për atë pavarësinë e bankës shtroj një pyetje, pse Banka e Shqipërisë e bleu Hotel Dajtin, ngaqë ishte e pavarur?

Më poshtë do shikojmë, Banka e Shqipërisë, sa e pavarur është ajo. Në këtë pjesë do ti referohem Monografisë  me titullin e mësipërm të ish Guvernatorit dhe Ministrit të sotëm të Financave zotit Shkëlqim Cani dhe zonjës T.Baleta, i cili në mënyrë të çuditshme nuk është prononcuar fare, në një kohë që duhej të ishte i pari, edhe për llogari të pozicionit që sot mban.

Çfarë shkalle pavarësie i njihet me ligj bankës qendrore në Shqipëri? Si ka evoluar kjo pavarësi ligjore? Sa e pavarur është realisht banka qendrore?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve trajtohen elementet që përmban ligji për Bankën e Shqipërisë, duke u krahasuar ato me vende të tjera apo me tregues të ndërtuar për këtë qëllim.

Ç’ është pavarësia e Bankës Qendrore?

Për një bankë qendrore të pavarur ka një sërë përkufizimesh.

“Një material i Monetary and Exchange Affairs Depart-ment në FMN thekson se ekzistojnë tre parakushte të nevojshme për një autonomi reale të bankës qendrore.

Së pari, një bankë qendrore autonome duhet të ketë një objektiv të përcaktuar qartë, që quhet stabilitet i çmimeve.

Së dyti, banka qendrore duhet të ketë edhe autoritet të mjaftueshëm (juridikisht dhe faktikisht) edhe instrumente të përshtatshme për të administruar likuiditetin në sistemin bankar për të përmbushur përgjegjësinë e saj parësore.

Së treti, veprimet e bankës qendrore duhet të jenë transparente dhe informacioni duhet të jepet (raportohet) rregullisht në mënyrë të tillë që banka qendrore të mund të ketë përgjegjshmëri për politikën monetare dhe për rezultatin e inflacionit”. Një bankë quhet e pavarur kur plotëson kushtet e mësipërme.

Sipas Fridmanit pavarësia e Bankës Qendrore konsiston: “Banka qendrore duhet të jetë një degë e pavarur e qeverisë, të koordinojë me degët legjislative, ekzekutive e ligjore. Pra, do të ketë një mandat të njëjtë me atë që i jepet pushtetit gjyqësor. Ajo do të zbatojë ligje të miratuara nga qeveria dhe veprimet e saj mund të ndryshohen nga qeveria vetëm nëse ligji (apo mandati i saj) ndryshohet”.

Sipas Alan S. Blinder kemi këtë përcaktim: “Për  mua pavarësi e bankës qendrore do të thotë dy gjëra: së pari, banka qendrore ka liri për të vendosur se si do të ndjekë objektivat e saj dhe, së dyti, vendimet e saj është tepër e vështirë të kthehen nga qeveria apo ndonjë segment i saj”. Ky përcaktim jep dy elemente të pavarësisë së Bankës Qendrore.

E para, ajo vendos lirisht se si do t’i arrijë objektivat e vendosura; pra, të ketë pavarësi politike dhe instrumentale, dhe e dyta,  pakthyeshmëria e vendimeve të saj, domethënë banka qendrore, që të jetë e pavarur, duhet të jetë e veshur dhe me autoritetin për të zbatuar politikat e vendimet që ajo merr, në funksion të arritjes së objektivit.

Autorë të tjerë, të cilët kanë trajtuar marrëdhëniet qeveri-bankë qendrore, shprehen se kuptimi i termit “pavarësi e bankës qendrore” është i qartë. Kjo do të thotë thjesht që qeveria në pushtet nuk ka mjete formale për të ndikuar në vendimet e bankës qendrore mbi politikën monetare.

Kështu mund të flitet për pavarësi ligjore të një banke qendrore. Pavarësia ligjore nënkupton pavarësinë që një banke i njihet me ligj apo në statutin e saj. Pavarësia ligjore në vetvete ka dy elementë përbërës, pavarësinë politike dhe atë ekonomike. E para nënkupton pavarësinë që i sanksionon ligji një banke qendrore nga ndërhyrjet politike në ndjekjen e objektivit (objektivave) kryesor(ë). E dyta nënkupton pavarësinë që i njeh ligji nga ndërhyrjet e qeverisë. Në pjesën më të madhe, ky aspekt i pavarësisë varet nga kufizimet ligjore që ekzistojnë mbi huadhënien e bankës qendrore për qeverinë. Pavarësia ligjore ka përbërës të tjerë të tillë si pavarësia në hartimin e politikave; pavarësia instrumentale dhe ajo e personelit. E para përcakton nëse banka qendrore është e pavarur të hartojë vetë politikat apo ajo; e dyta nëse ajo është e pavarur në zbatimin e politikave që i harton vetë ose të hartuara nga të tjera institucione. Me fjalë të tjera, a mundet ajo të zgjedhë vetë instrumentet që dëshiron për zbatimin e një politike të caktuar. E treta ka të bëjë me zgjedhjen e personelit të saj. Sa e pavarur është banka në marrjen në punë të tij, a ndërhyhet nga qeveria në këtë çështje. Kuptohet që këtu bëhet fjalë për pjesën drejtuese të personelit të bankës. Por, të gjitha këto elemente, që praktikisht janë edhe më të lehta për t’u matur nga ana sasiore, japin vetëm pjesërisht pavarësinë e një banke. Ligji në fuqi për bankën qendrore, ligji i vitit 1997 dhe i përshtatur në muajin gusht 2002, thotë: “Banka e Shqipërisë ka për detyrë hartimin, miratimin dhe zbatimin e pavarur të politikës monetare”. Gjithashtu, ligji përcakton që “Banka e Shqipërisë, brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe për ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Çdo subjekt është i detyruar të respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, të mos kërkojë të influencojë te ndonjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës për të cenuar detyrimet e tij ndaj Bankës së Shqipërisë si dhe të mos ndërhyjë në veprimtaritë e Bankës së Shqipërisë”. Nëse shihen nivelet e indekseve të pavarësisë ligjore, vërejmë që Banka e Shqipërisë mund të quhet një bankë e pavarur që renditet pas bankave të shpallura si më të pavarurat në botë. Edhe në raport me renditjen e 14 bankave të vendeve në tranzicion, për të cilat janë studiuar ligje më të vonshme, Banka e Shqipërisë zë një vend të favorshëm. Nëse nga pikëpamja ligjore, Banka e Shqipërisë gëzon një pavarësi të konsiderueshme, për fat të keq, pavarësia reale e saj rezulton të jetë në nivele të ulëta. Megjithatë, edhe tendenca e pavarësisë reale ka qenë forcimi i saj. Po kështu, vërehet që kur një forcë politike apo koalicion politik, konsolidohet në pushtet, rritet presioni për të reduktuar pavarësinë e bankës qendrore.

Trinomi “Pushtet legjislativ-President-Pushtet ekzekutiv” në mënyrë të vazhdueshme gjatë kësaj dekade është përfaqësuar nga i njëjti krah politik duke lehtësuar mjaft ndërmarrjen e veprimeve që reduktojnë pavarësinë e bankës. Për të vërtetuar një pohim të tillë, mjafton të përmendim lehtësinë me të cilën ndryshohet legjislacioni bankar në parlament. Kjo tregon që praktikisht pavarësia ligjore e Bankës së Shqipërisë është e cenuar dhe mund, në rastin më ekstrem, të shkojë drejt minimumit.

Të tjerë faktorë që gërryejnë pavarësinë e bankës qendrore janë dhe mangësitë e vetë bankës, sidomos deri në fundin e vitit 1998, në drejtim të transparencës së veprimeve të saj, niveli i kufizuar i marrëdhënieve me publikun, cilësia e punës kërkimore, qe edhe pse kanë progres jo të pakët ende kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm. Përfundimisht pavarësia e Bankës qëndron në dy momente. E para, Banka Qendrore të jetë e lirë për të vendosur se si do të arrijë qëllimet e saj. Kjo nuk do të thotë që Banka mund të zgjidhë këto qëllime vetë. Vendimet merren nga Parlamenti dhe Banka  ka pavarësi brenda kompetencave të caktuara me ligj. Pavarësi gëzon në përdorimin e instrumenteve monetare. E dyta, të gjitha vendimet e saj të jenë të pavarura nga qeveria. Kjo shkallë pavarësie arrihet nëpërmjet krijimit dhe zbatimit të një kuadri ligjor të nevojshëm dhe, e dyta, nëpërmjet rritjes së shkallës së kredibilitetit. Në rritjen e shkallës së pavarësisë ka rëndësi transparenca, në mënyrë të veçantë transparenca me publikun. Debatet sot po bëhen për largimin e Guvernatorit dhe nuk po bëhen sesi ka punuar për zbatimin e politikave monetare. Çfarë ka të bëjë largimi i tij me pavarësinë e Bankës? Ku cenohet pavarësia e Bankës nëse Parlamenti e shkarkon menjëherë nga Këshilli i Mbikëqyrjes? Shkarkimi nga Këshilli Mbikëqyrjes në mënyrë automatike e shkarkon edhe si Guvernator.  Po a mund të realizohet kjo? Shikoni se çfarë thotë ligji Nr.8269, datë 23.12.1997. Neni 44,:” 2. Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, mbështetur nëpropozimet e bëra si më poshtë

a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi Popullor;

b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;

c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Neni 47

1Çdo     anëtar     i    Këshillit    Mbikëqyrës,     duke     përfshirë     guvernatorin     dhe zëvendës

guvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi Popullor, në qoftë se ai ose ajo:

a) është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46;

b) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;

c)është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;

ç) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publikose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Në rastin konkret anëtarët e Këshillit të Mbikëqyrjes nuk kanë plotësuar asnjë prej këtyre pikave, kështu që Këshilli i Ministrave nuk i pezullon dot.

2. Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë, si dhe çdo anëtar tjetër i Këshillit Mbikëqyrës, mund tëshkarkohen nga Kuvendi Popullor me propozim të shumicës së gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, kur:

a) personi i propozuar për shkarkim ka munguar për dy ose më shumë herë në vazhdimësi në mbledhjet e radhës tëKëshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pa shkak të arsyeshëm;

b) personi i propozuar për shkarkim është në pamundësi fizike ose mendore për të mbuluar funksionet e ngarkuara;ose

c) personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cenuar thellëinteresat e Bankës së Shqipërisë.

Ky ishte Neni dhe pika ku zonja Meksi u bazua dhe  kërkoi nga Këshilli i Mbikëqyrjes shkarkimin e Fullanit. Këshilli nuk e pranoi. Pikërisht këtu qëndron vartësia e Bankës nga një forcë politike. Dhe forca politike që i ka emëruar këta ka qenë PD-ja. Çdo veprim i kësaj Banke varet nga përfaqësuesit e PD-së në Këshillin e Mbikëqyrjes. Nëse do ishin të PS-së Guvernatori sot do qe i shkarkuar.Prandaj unë nuk them dot që Banka e Shqipërisë është një institucion i pavarur. Në këtë aspekt është 100% e varur nga forca politike që ka pushtetin.

Ligji parashikon që këta persona të bëjnë edhe dorëheqje. Por në Shqipëri askush nuk bën dorëheqje aq më pak këta që përfitojnë miliona prej këtij pozicioni.

Nga përshkrimet e mësipërme shihet qartë se as Kryeministri dhe as Kuvendi në bazë të këtij Ligji nuk e pezullojnë dhe të shkarkojnë Guvernatorin. Prandaj është e nevojëshme që Kuvendi në ditët e para të shtatorit të bëjë plotësime në ligj në mënyrë    që të fitojë të drejtën e shkarkimit edhe të pikave që ka Këshilli Mbikëqyrjes. Ligji mbi Bankën ka nevojë për plotësime dhe ndryshime. Unë do kërkoja si pikë të parë, që Kryetari i Këshillit të Mbikëqyrjes të mos jetë Guvernatori por një anëtar tjetër i tij që nuk është pjesë e Ekzekutivit të Bankës. Në këtë mënyrë do ndahet Legjislativi nga Ekzekutivi si dhe një ripërcaktim të strukturës së detyrave dhe kompetencave të tyre.