Dosja sekrete që fundos paktin për detin

45
Ish-shefi i SHIU: Grupi negociator cenon sigurinë kombëtare
“Poker spiunësh”/ Ylli Zyla, ish-drejtues i shërbimit inteligjent të ushtrisë, shprehet se Artur Meçollari nuk duhet të jetë në bisedimet me Greqinë. Roli i Presidentit, Shërbimit Informativ dhe qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes 
Ish-drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), Ylli Zyla, ka deklaruar se oficeri Artur Meçollari, i cili është larguar në vitin 2012 nga ushtria për spiunazh, nuk duhet të jetë pjesë e grupit negociator me Greqinë për marrëveshjen e detit. Ai tha se pavarësisht se Meçollari është një nga ekspertët e detit, ka dhe të tjerë që janë të po këtij niveli, dhe ai nuk ka pse të jetë i pranishëm pasi kompromenton negociatat, madje rrezikon sigurinë kombëtare. Zyla tha se Presidenti i Republikës ka informacionin e duhur për të mos e pranuar një gjë të tillë. Sipas tij, nëse Presidenti do të ushtrojë kompetencën e tij, ky grup negociator nuk do të qëndrojë kështu siç është. “Personi është i pabesueshëm dhe i papërshtatshëm për të qenë pjesë e negociatave, madje jo vetëm për negociata. Është spiunazh apo jo, këtë duhet ta thotë gjykata, por unë them që ky person nuk duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje shumë të rëndësishme për Shqipërinë”, tha ish-drejtuesi i shërbimit inteligjent të ushtrisë. Sipas tij, sot presidenti ka mundësinë që të vërtetojë se personi është i papërshtatshëm. “Ka informacione të bollshme se nuk duhet të marrë pjesë, pasi do ta kompromentonte sigurinë kombëtare”, nënvizoi Zyla. Ai shtoi se Kreu i Shtetit duhet të marrë të gjithë informacionin edhe nga institucionet e tjerë. “Presidenti është shumë komod për të marrë një vendim për këtë çështje, ai merr informacion të drejtpërdrejtë nga Shërbimi Inteligjent, por edhe struktura të tjera, jam i sigurt që nëse presidenti e ushtron kompetencën e tij ai grup negociator nuk qëndron i plotë”, tha ai. Në lidhje me reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes ku thoshte se oficeri Meçollari është rikthyer në detyrë dhe është i pajisur me certifikatë sigurie, Zyla tha se ajo që thotë Ministria e Mbrojtjes qëndron, por këtu po flitet për çështje sigurie dhe ky person është i papërshtatshëm. Gjithashtu ai deklaratën e cilësoi të papërgjegjshme, pasi sipas tij, kjo do të thotë se Ministria ose nuk e konsideron shërbimin e inteligjencës ose ky i fundit nuk funksionon fare. Zyla u shpreh se Ministria e Mbrojtjes duhet të kërkojë ndjesë për këtë deklaratë, sepse certifikata e sigurisë, pavarësisht se është thelbësore, por edhe mund të shpërdorohet. Sipas tij, ata që marrin pjesë në këto negociata duhet të jenë të pastër si kristali. “Ato që thotë Ministria e Mbrojtjes qëndrojnë, por sot po flasim për çështje besueshmërie, në këtë rast vetëm inteligjenca mund të japë përgjigje dhe duhet ta japin tek institucionet. Shërbimi Informativ duhet të japë kontributin e vet që mos të kompromentohet ky proces. Ai mund të jetë një nga ekspertët më të mirë, por ka dhe të tjerë, pse të merret ky që është i kompromentuar. Këtu kemi të bëjmë me çështje kombëtare, me sigurinë kombëtare, personat që duhet të jenë atje duhet të jenë si kristali, me integritet, përndryshe do të përballemi me situata të tilla, kur kemi me dhjetëra ekspertë, ne diskutojmë për persona të përshtatshëm, ai është i papërshtatshëm. Ai është i pabesueshëm dhe e them me përgjegjësi të plotë”, u shpreh ish-drejtori i SHIU-t. Zyla hodhi edhe kritika në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, ku sipas tij 4-5 funksionarë të nivelit të lartë nuk kanë certifikatë sigurie. “Sot dhe të paktën në 4-5 vitet e fundit, të paktën 4-5 drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes janë pa certifikatë sigurie”, u shpreh ndër të tjera Zyla.
Kush do të jenë negociatorët
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dërguar në selinë e Presidencës edhe përbërjen, që sipas saj, do të ketë grupi negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë. Grupi i negociatorëve do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, Armand Skapi nga Ministria e Jashtme dhe Ylber Dogjani, komandant i Flotës Detare. Ndërkohë, pala greke pritet që në tryezë të paraqitet me katër negociatorë.

Përbërja
Armand Skapi nga Ministria e Jashtme, bashkëkryetar
Ylber Dogjani, komandant i Flotës Detare, bashkëkryetar
Artur Meçollari nga Ministria e Mbrojtjes, anëtar
Aida Hajna, zv/drejtore e policisë, anëtare
Elira Koka, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, anëtare
Ferdi Hyraj nga Instituti i Gjeografisë, anëtar
Luan Përzhita nga Instituti i Arkeologjisë, anëtar
Lorenc Çela nga Drejtoria e Institutit te Gjeohapësirës, anëtar
Qirjako Qirko, ambasador në Londër, anëtar
Arsen Mullahi, anëtar
Viktor Doda, anëtar
Ardjan Bylyku, Ministria e Energjisë, anëtar